Dilni në rrugë!

0
21


Nga Joel Brinkley

Këtë muaj në Rusi presidenti Dmitri Medvedec zbuloi një statujë prej mermeri të Boris Jelcin, i cili, si presidenti i parë i Rurisë dha ndihmën e tij për të sjellë demokracinë në ish- shtetin komunist.

Në Tunizi tani do të doja të shihja që qeveria e përkohshme të ngrinte një statujë prej mermeri për Muhamed Buazizi, shitësi 26 vjeçari tunizian që sakrifikoi veten përpara godinës së qeverisë në dhjetor, duke frymëzuar atë që disa gazetarë arabë e quajnë “kryengritja e lavdishme”.

Nisur nga fakti se sa shumë është shpërndarë “kryengritja e lavdishme”- nga Algjeria në Shqipëri, Kajro e në Kazakistan, Buazizi ka ndezur zhvillimet më të rëndësishme ndërkombëtare që pas rënies së Bashkimit Sovjetik 20 vite më parë.

Për herë të parë në kujtesë, miliona njerëz të shtypur në mbarë botën, që jetojnë nën thundrën e drejtuesve të korruptuar, janë duke u ngritur me grushtat lart duke klithur: Nuk durojmë më!

Për herë të parë në kujtesë diktatorët viciozë kanë nisur të kenë dukshëm frikë. Ata po nxitojnë të ofrojnë premtime për ndryshim, duke shpresuar se njerëzit nuk do i flakin nga zyra. Edhe pse përpara ka ende rreziqe domethënëse, ethet e lirisë po përhapen në mbarë botën- e jo vetëm në Lindjen e Mesme.

Në Kinë, sapo nisën demonstratat në Kajro, censorët e qeverisë u hodhën në sulm duke hequr nga gazetat, televizionet, radiot e faqet e internetit lajmet ku përmendej Egjipti- të tmerruar nga fakti se populli mund t’i kërcënojë.

Më shumë se 20 mijë demonstrues të zemëruar dolën në rrugë në Tiranë, Shqipëri, duke kërkuar zgjedhje të reja. Oficerët e gardës kombëtare vranë tre protestues, duke provokuar tubime edhe më gjigante disa ditë më vonë.

Qindra rusë të tërbuar kërkuan largimin e kryeministrit Vladimir Putin, duke e quajtur qeverinë e tij “tufë hajdutësh”. Një lider i opozitës i tha turmës: “Më thoni ku ndryshon lidershipi juaj nga Hosni Mubarak në Egjipt?”

Nursultan Nazarbayev, udhëheqësi i pamëshirshëm dhe i korruptuar i Kazakistanit, e kapi situatën dhe i tha popullit të tij se do thërrasë zgjedhje të parakohshme duke braktisur planin e tij për të thirrur një referendum që do e lejonte atë të qëndronte në pushtet edhe për një dekadë tjetër.

Por lëshimet më të dallueshme kanë ardhur nga liderët arabë- diktatorët jetëgjatë. Mbreti Abdullah II i Jordanisë shpërndau qeverinë dhe caktoi një kryeministër të ri duke thënë se puna e tij ishte që të kalonte reformat.

Mahmoud Abbas, lideri palestinez, i ka shtyrë zgjedhjet prej vitesh, por papritur ka shpallur se do mbahen zgjedhjet e reja “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Bashar Assad, diktatori brutal i Sirisë dha një intervistë të jashtëzakonshme për “Wall Street Journal” në të cilën tha: “Nëse nuk e shihni nevojën për reforma përpara asaj që ndodhi në Egjipt e Tunizi, është shumë vonë për të bërë ndonjë reformë. Edhe ai premtoi ndryshim.

Presidenti i Jemenit, duke u përballur me trazira të shumta, premtoi se nuk do rikandidonte më.

Lideri i Algjerisë premtoi se do i japë fund 19 viteve të gjendjes së emergjencës dhe do lejojë më shumë liri politike.

Qeveri të tjera janë duke parë dhe u përpjekur të ndalojnë protestat në Afganistan, Libi, Sudan, Pakistan, Marok, Irak, Arabi Saudite dhe në Rripin e Gazës.

Entuziazmi në rritje tregon se këto protesta janë vetëm hapi i parë. Asnjë prej këtyre diktatorëve që ka mbetur në pushtet për kaq shumë vite, e që tani tregon keqardhje, nuk e ka mbajtur postin pa dinakëri e terror. Thuajse të gjithë janë duke ofruar koncesione që shtyjnë në të vërtet për muaj ose vite ndryshimet reale.

Jam i sigurt se secili prej tyre- në Siri, Jemen, Kazakistan, Algjeri, Shqipëri- e di tani që e gjithë bota po i sheh.

Ata nuk duan që të jenë subjekt përbuzje si në rastin e Mubarak. Asnjë nuk dëshiron të shohë popullin e tij që të kërkojë largimin e tyre drejt aeroportit.

Por këta liderë e dini shumë mirë se pas disa muajsh ky moment do ketë kaluar, vëmendja e botës do jetë larguar. Ata mund të bëjnë disa ndryshime kozmetike dhe të vazhdojnë si më parë.

Presidenti i Jemenit, për shembull, thotë se do qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e tjera në vitin 2013. Kush e pengon atë që pas një vit ose dy, të ndryshojë mendjen, duke thënë se terrorizmi në rritje kërkon një lidership të qëndrueshëm?

Vetëm njerëzit që kanë dalë në rrugë tani mund të mbajnë presionin të lartë. Dilni në rrugë e mos besoni tek Amerika e as tek shtetet e tjera të paqëndrueshme perëndimore për ndihmën e tyre. Pushteti është i juaji, i askujt tjetër!

*Joel Brinkley është një profesor gazetarie në Stanford University, fitues i Çmimit Pulitzer si korrespondent për jashtë për gazetën New York Times