Ne në KiE dhe dinjiteti kombëtar i fundjanarit 2011!

0
39

Vladimir Lame

“Ju si erdhët kështu mes plumbave?”, dëgjova i befasuar pyetjen që kishte çudinë, mëshirën, zemërgjerësinë e kureshtjen mbi vete. Shefja e KE-së për Ballkanin Perëndimor dhe kolegia e saj mbërritën në sallën 10 të takonin jo pak, 45 studentë shqiptarë, të parët e historisë së Pallatit të Europës. Kishim kaluar të gjithë nën mrekullinë e liberalizimit të vizave pa asnjë pyetje kërkesë bilete kthimi, siguracioni shëndetësor, eurosh në xhep apo në kartë krediti etj., etj. Një pyetje nuk iu bë 45 të ftuarve të Europës në Aeroportin e Baselit rrugës për në Strasburg.

Por pyetjen e tyre unë e prita me siklet. Barra e njëzet viteve demokraci me rrebeshe plumbash, bombash, ndërrime e kërkime pushtetesh, pasurimesh kuq e blu nuk ishte e jona. Ne kishim mbërritur aty ku mendjen na e kishin mbushur të urrenim njerëz që duket sikur nuk jetuan në Shqipëri. Ne ishim lektorët e rinisë intelektuale, asaj që duhet të marrë stafetën e politikës shqiptare sipas Europës. Por stafetën e japin në listë të mbyllur të paktën tre liderë me emër e mbiemër. Ata pronarët e listave të mbyllura me hiç demokraci mungonin në përballjen tonë këtë fundjanari, ku disa shqiptarë andej-këtej kufirit aludoheshin të ishin marrë me heqje e shitje veshkash robërish serbë. Të zënë me bulevardin e Tiranës, me kutitë me hirin e fletëve dhe me gjithçka tjetër që vjen erë pushtet. Kështu që pyetja apo çudia që ne kishim ardhur gjithsesi korrektë në përgjigje të ftesës së Europës m’u duk mëshirim pa vend dhe unë thjesht ktheva: We are here the same European’s like you!

Tentativat tona për të kontaktuar krerët e delegacionit shqiptar në KiE kishin dështuar. Ndërsa zumë vend në lozhën e debatit mbi të quajturin trafik organesh, Dick Marty do të merrte goditjen tonë publike me kundër duartrokitje dhe dinjitetin kombëtar. Dick Marty u habit, madje u çorodit kur iu desh të kthente pas kurrizin e tij dhe me shikimin sipër mjekrës pa egër drejt 45 studentëve shqiptarë në lozhën hijerëndë të Pallatit të Europës në Strasburg. Për ata që e rrethonin pas rreshtit të parë në atë sallë nuk kishte ndodhur kurrë që në kor të brohoritej në favor të një diskutimi të një anëtari të Asamblesë. As Shpëtim Idrizi, përfaqësuesi i një partie minore nga Tirana, nuk do të kishte menduar se do të gjente aty një elektorat në këtë rast mbarëkombëtar. Kjo ishte tabloja e paradites së 25 janarit, dita kur Këshilli i Europës hapi dyert për herë të parë për një grup kaq të madh studentësh nga Tetova e Tirana, dëshmitarët e një aktakuze që u pështjellua muajt e fundit mbi të sapolindurin shtet të Kosovës.

Në emër të patriotizmit këtyre intelektualeve të rinj u ra një fat të dëgjojnë direkt një film të inskenuar nga lobet pansllave në Këshillin e Europës në spekulimin më interesant mbi varre të humbura, mbi kocka të humbura, mbi gjurmë gjaku të thara e të shuara dhe mbi një kujtesë që flet mbi një regjim që ka dërguar në botën e përtejme idhullin e heshtur të Marty-t, Sllobodan Millosheviçin. Nuk mund të ndodhte ndryshe. E gjetur në disfatë totale pas interpretimit legal të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, makineria serbe me qendër në Moskë dhe me rrënjë në Beograd iu përvesh ofensivës që nisi nga themelet e një libri të ndryshkur, edhe pse Karla del Ponte kishte shkuar përtej fantazisë më të avancuar sllave me gjeneralë dhe ushtri të vdekur, të veshur me të ashtuquajtur mantele doktorësh në male, ku shkëmbinjtë ruajnë ngulur në nëntokë eshtra e hordhi luftërash e beteja ndonjëherë edhe pa emër. E gjithë kjo skenë u soll në teatrin e projektuar nga Dick Marty në sallën e një organizate që nuk prodhonte më prej vitesh as një rresht lajm. Të një organizate në kufijtë e ekzistencës, ku çdo tre muaj sajohen axhenda dhe duhet tashmë të sajohen raporte. Në kushtet e mbijetesës së karrierës së një organizate dhe të një ish-prokurori të veshur me imunitet politik, Europa e vjetër dhe e re u desh të supozonte dhe të detyrohej të imagjinonte dhe më në fund të zgjidhte aktorët negativë me emrin shqiptarë dhe kosovarë. Në ushtrinë e fitimtareve duheshin gjetur viktimat që duhen dënuar në emër të ekuilibrave apo listave për mënjanime politike në kuadër të stabilitetit të gjeopolitikës ballkanike. Gjithçka ndodh në paradhomën e Bashkimit Europian, ku gjithsesi edhe aty nuk ka ende konsensus sesi do të integrohen serbët, shqiptarët, viktimat, të dhunuarit, të humburit, të ikurit, të shpërngulurit, krimet e luftës dhe kufijtë e vetëm të mbetur në kontinent.

Sa arritëm në Këshillin e Europës, lajmi u përhap se po arrijnë disa studentë shqiptarë, të cilët do të ishin brenda në sallë dhe do të ndienin punimet e Asamblesë Parlamentare në aktin final mbi të përfolurin muajt e fundit në mediumet dhe brenda shoqërisë shqiptare raportin e Marty-t. Zhurma kishte filluar shumë më herët, kur politika jonë e jashtme shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë ishte në gjumë, e pakoordinuar dhe e paunifikuar. Kur hyjmë në sallë, sapo kishte filluar seanca dhe në atë moment po fliste Marty, me fare pak mister për atë që tashmë ishte e ditur për ne dhe opinionin e gjerë. Gjatë fjalimit të tij vërejta tri interpretime:

E para, Marty të gjithë raportin e kishte ndërtuar në bazë të akuzave që i kishte paraqitur në librin e saj Karla del Ponte dhe bindjeve të saj se gjatë luftës dhe pas saj kishin ndodhur veprime, të cilat Marty mendon se nuk janë zbardhur ende, duke akuzuar jo popullin shqiptar për krime, vrasje dhe trafikim organesh por individë dhe grupe të caktuara dhe e gjitha kjo, sipas tij, në bazë të informacioneve të shërbimeve të ndryshme sekrete, informacione gazetash, supozime dhe thashetheme, të cilat kanë qarkulluar nga struktura të caktuara.

E dyta, Marty akuzonte drejtpërsëdrejti lidershipin politiko- ushtarak shqiptar gjatë luftës dhe pas saj, të cilët, sipas tij, kanë penguar hetimet, pasi ato i prekin në mënyrë direkte apo indirekte në karrierat e tyre politike. Sipas tij: “Kam dokumente të duhura që në momentin e duhur do t’i publikoj”.

E treta, roli i ndërkombëtarëve gjatë luftës dhe pas saj ka qenë indirekt në mbulim të krimeve mbi robër serbë të detyruar të operohen në kushte klinikash ilegale kirurgjikale nëpër malet e kufirit shqiptaro-shqiptar. Me pak fjalë amerikanët dhe aleatë të tyre të implikuar apo bashkëpunues në atë të ashtuquajturën aventurë me krime të këtij lloji në Kosovë. Misionarë përtej Atlantikut që rivendosin kështu pushtete dhe emërojnë klasa politike mes rreshtave të gueriljes shqiptare që paketon veshka serbësh dhe i shet me shumicë e pakicë në tregun çifut.

Këto interpretime do t’i përmbyllja me një thënie tjetër të tij: “Gjatë përpilimit të këtij raporti kam takuar familjare të të zhdukurve serbë dhe kosovarë, të cilët ende i kërkojnë njerëzit e tyre, më jepni shansin që të fillojmë hetimin dhe të zbardhim të gjitha krimet dhe të pagjeturit në Kosovë”.

Dick Marty, sipas kolegëve të tij të vjetër e të rinj në Ansamble, kishte integritet dhe reputacion të pacenuar. Gjatë diskutimeve dhe debateve për amendamentet, të cilat i kishte propozuar delegacioni shqiptar, dëgjohej refreni që ne as kemi mbuluar, as kemi penguar hetime dhe karvani i Dick Marty-t mund të vizitonte të gjitha shtëpitë e lyera me të verdhë në male e kudo tjetër. 

Por Rusmali, kryetari i delegacionit parlamentar nga Shqipëria, ia doli të bindë auditorin të pranojë dy amendamente në trupin e rezolutës Marty për eshtra, operacione kirurgjikale dhe serbë të mbetur pa veshka. Këto gjetën mbështetje nga pjesëmarrësit në sallë, atëherë kur në momentin kur vetë përpiluesi i raportit, Marty pajtohej për këtë. Rusmali, Idrizi, Gjiknuri e Trashani do të kishin me vete edhe deputeten e BDI-së zonjën Ermira Mehmeti Devaja. Madje Mehmeti shkoi përtej shqiptarizmit patriotik të shfaqur prej kolegëve nga Tirana, çka dëshmon se kryetari Ahmeti kishte dhënë planimetrinë e duhur anti-Marty rezolutë. Ajo që duhet qartësuar për opinionin e gjerë dhe tashmë të gjithë e kanë të qartë, raporti i Marty-t është i ndërtuar në dyshime rrënjësore. Dick Marty shpeshherë për procese dhe vendime që kanë ndodhur në Kosovë gjatë dhe mbas luftës ka qenë dhe është shprehur kundër tyre si intervenimi i NATO-s në Kosovë, pavarësimi i Kosovës dhe së fundi me lobimin e tij me qëndrimin e Këshillit të Europës ndaj Kosovës. Ajo që më pëlqeu nga delegacioni shqiptar dhe fjalimet e tyre gjatë diskutimeve ishte që ata u treguan jo emocionalë, por racionalë dhe me maturi në atë se të gjitha akuzat që në këtë raport po i dëmtojnë shqiptarët, të zbardhen dhe të hetohen sa më shpejt që më në fund të dalë e vërteta. Përfaqësuesit tanë nga Shqipëria gjatë votimit nuk votuan njësoj, disa kundër dhe disa pro rezolutës. Përfaqësuesja shkupjane znj. Ermira Mehmeti Devaja, e cila gjatë tërë seancave ishte aktive, ka abstenuar gjatë votimit të rezolutës, e jo sikurse përfaqësuesit e Shqipërisë, të cilët kohë pas kohe dilnin dhe mungonin në diskutime të rëndësishme sikurse në ditën e dytë të punimeve, të cilët në vend të qëndronin brenda dhe të marrin pjesë aktive gjatë debateve që po zhvilloheshin, ata po shfrytëzonin Strasburgun për shoping, d.m.th. blerje teshash me 50% ulje. Delegacionet nga shtetet e Lindjes në krye me Rusinë dhe Serbinë po e shfrytëzonin raportin Marty që të ndalojnë proceset integruese të Kosovës, shtimin e njohjeve, prishjen e imazhit dhe për ta dobësuar përkrahjen ndërkombëtare të Kosovës, sidomos tani para fillimit të bisedimeve direkte Serbi-Kosovë. Delegacionet e disa shteteve perëndimore dhe Turqisë, të cilët po shprehnin disa rezerva dhe kundërshtimet e tyre, sidomos për trafikimin e organeve, për shtëpinë e verdhë apo gjenocidin dhe shfarosjen etnike, kërkonin që hetimi të fillojë sa më shpejt, të mbizotërojë transparenca dhe të zbardhet përfundimisht kjo çështje e shumëdiskutuar që në brendi përmban shumë supozime dhe thashetheme, të mbrohen liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të mbrohen dëshmitarët në terren. Më erdhi mirë kur takova përfaqësuesit nga Kosova në krye me z. Xhavit Halitin dhe z. Enver Hoxhaj, të cilët takonin personalitete të ndryshme duke biseduar drejtpërsëdrejti me to dhe duke u treguar të gatshëm për bashkëpunim ndërkombëtar dhe po ashtu do të përmendja edhe një çast të rëndësishëm, atë të përshëndetjes së z. Xhavit Haliti me Dick Marty-n, përballjen dhe njohjen e tyre.

Si përfundim do të kisha thënë se shqiptarët po hyjnë në sfida dhe beteja të reja si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Komunikimi ndërshqiptar duhet edhe më tutje të përforcohet. Opozita shqiptare, sidomos disa individë apo grupe të caktuara në Kosovë, duhet të ketë kujdes kur bëhet fjalë për interesa shtetërore që të mos bien në kurthe dhe të jenë në linjë të njëjtë, që i sajon Beogradi dhe Rusia kundër UÇK-së, Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kontribuuan para luftës, gjatë, pas saj dhe po kontribuojnë ende në shtetndërtimin e Kosovës. Faktori ndërkombëtar tashmë ka filluar me fshesën politike dhe me pastrimin e skenës politike në Ballkan. Në Kosovë po ndërtohet një gjeneratë e re politike në krye me Hashim Thaçin, e cila do t’u prijë proceseve të reja të pajtimeve ndërmjet fqinjëve, sidomos me Serbinë dhe anëtarësimin në organizatat euroatlantike. Në Shqipëri po fryn era e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe krijimi i një ekipi të ri me vizione dhe gjuhë bashkëpunimi ndërpartiak, kurse në Maqedoni po shkohet deri nga vera avazi i vjetër dhe duke u komplikuar edhe më tej çështjet, duke kaluar më tej në zgjedhje të parakohshme dhe me një rikonstrukturim të ri të partisë më të madhe shqiptare BDI dhe me një opozitë konstruktive, ku në çështjet madhore duhet folur gjuha e përbashkët politike. Rasti i Dick Marty-t dhe raste të tjera besoj se janë prova shumë të mëdha, se fërkimet dhe gjuha e ashpër e brendshme politike prodhon pasoja të mëdha në politikën e jashtme dhe na dobësojnë shumë rolin tonë shqiptar në skenën ndërkombëtare.

Progresi e progresistët janë në dilemën e konsiderimit nga shqiptarët. Këta të fundit në testet e njëzet viteve kanë votuar e jo ndëshkuar goditjet mbi institucione me vezë, gurë, shkopinj, plumba, tanke e bomba “Molotov”. Emigrimi, kthimi, kulturimi ynë mbetet në pikëpyetje, sepse ne jemi të detyruar në shumicën e popullsisë të mbetemi në nivelin e viteve të Enverit në rresht, në frikë e aspak si te lindorët e tjerë që vetëkorrigjuan veten dhe ripërtëritën elitat. Fajin dhe negocimin ne e kërkuam te 
 “Krokodili”, ku studentët tanë ishin pelegrinët e parë në nder të një darke të famshme që mbarti në fakt njëzet vjet histori dhe lënien tonë në mëshirë të fatit tonë në kërkim të Europës.