Letër e hapur z. Arvizu për sjelljen e policisë në 21 janar

0
38


Nga Ened Janina

(Një nga gazetarët e dhunuar më 21 Janar)

I nderuar z. Arvizu!

Ju dëgjova paraditen e djeshme, në atë mënyrë që shqiptarët (juve duhet t’jua kenë thënë tashmë këtë) dëgjojnë miqtë e huaj: me shumë respekt dhe vëmendje. Por kur arritët në frazën që policia nuk përdori dhunë më 21 janar dhe se ajo nuk u hakmor ndaj protestuesve, të më falni, por doja të qeshja. Doja të qeshja, por kohët e fundit, kam vështirësi për ta bërë këtë gjest të thjeshtë njerëzor. E dini pse? Zoti Ambasador, brinjët më dhembin ende nga 21 janari. Nuk u përplasa me ndonjë derë xhami. As nuk bëra aksident me makinë. Atë ditë po ndiqja demonstratën duke bërë detyrën time që bëj prej dhjetë vjetësh, atë të gazetarit.

Të gjithë ata që kanë ndjekur protestën e 21 janarit e dinë si u soll policia. Po unë nuk dua t’i hyj këtij debati. Sot dua t’ju përgjigjem juve lidhur me atë që deklaruat dje: “Ata (policia) qëndruan përballë këtyre sulmeve duke zbatuar urdhrat dhe nuk u hakmorën kur u sulmuan”.
Zoti ambasador, unë nuk e di se ku ndodheshit ju më 21 Janar nga ora 16.00 deri në 17.30, dhe realisht nuk dua ta di. Dua thjesht t’ju tregoj atë që ndodhi, e parë nga sytë e një njeriu që ndodhej në shesh.

Zoti Ambasador, unë fillimisht pashë gjak në rrugë. Pashë një nga njerëzit që u vra. Ai nuk kishte asgjë në dorë, as çadër-pistoletë, as thikë me helm dhe asnjë nga armët që gjenden tek filmat e hershëm të James Bond. Në mes të turmës mësova se kishte edhe të tjerë të vrarë dhe të plagosur. Të gjithë jashtë territorit të kryeministrisë.

Në 16.30 ndodhesha me dy kolegë të mi duke parë pjesën e fundit të protestës. Rreth 90% e njerëzve ishin larguar dhe bulevardi ishte boshatisur. Rreth orës 17.10 përpara kryeministri ndodheshin jo më shumë se 100 protestues, pjesa më e madhe djem të rinj. Kishte rënë errësira.

Zoti Ambasador! Në këtë moment, kur demonstrata ishte shkrehur dhe nuk kishte më asnjë rrezik, për askënd, më shumë se 200 policë të forcave speciale, të mbathur me mburoja, shkopinj gome, kaska dhe parzmore iu turrën protestuesve, por nuk ndaluan me kaq. Ata iu turrën me egërsi kujtdo që ndodhej deri në 500 metra larg kryeministrisë. Një prej tyre isha edhe unë.

Zoti Ambasador, më goditën herën e parë me shkop gome dhe iu tregova që isha gazetar. Në dorë mbaja dokumentin. Personi që më goditi ndaloi. Një fragment sekonde më pas ndjeva një goditje të dytë, një të tretë dhe më pas shumë të tjera. E gjeta veten të shtrirë përdhe dhe gjashtë ose shtatë policë që më godisnin. I them sërish: Mos më godisni, jam gazetar. Përgjigjen që mora po jua them në gjuhën tuaj: “Who gives a fuck!”..

E parë nga një këndvështrim imi humoristik, nuk e dija që u dashkan gjashtë ose shtatë policë për të më rrahur mua. Unë nuk peshoj shumë, nuk jam as shumë i gjatë. Pyesni, dhe do t’ju thonë. E sigurt që do mjaftonte vetëm një polic për të më rrahur.

Dhe, z. Ambasador, nuk mbaroi me kaq. Arrita që të ngrihem në këmbë dhe të vrapoj. Por vetëm për disa metra. Mu prenë gjunjët nga dhimbjet sepse më goditën sërish. E gjeta veten në tokë për herë të dytë. Policë të tjerë më godisnin. Teksa isha i shtrirë përdhe, shihja këmbë policësh dhe dëgjoja ulërima.

Z.Ambasador. Ata goditën këdo që u dilte përpara deri tek ajo që ne quajmë “Ura e Madhe e Lanës”. Nuk e di sa e njihni Tiranën, por është pak larg kryeministrisë.
Sa për mua, unë u ngrita për herë të dytë. Shkova duke vrapuar tek disa kolegë të mi të televizionit për të gjetur strehë në makinën që ata përdornin për të transmetuar live. Ata më ndihmuan dhe më vunë të ulesha në brendësi të makinës. Prej aty pashë që policët nuk u ndalën.

Hynë dhunshëm në ambientet e “dy kullave”. Janë ato dy ndërtesat e larta në shëtitoren e kryeqytetit. Pashë xhamat e katit të parë të thyheshin, pashë xhamat e lokaleve të katit të dytë të thyheshin. Më pas pashë prapë njerëz që rriheshin. Dhe disa prej tyre, i nderuar, ishin mes policëve, por ishin pa uniforma policie. Ata merrnin zvarrë djem të rinj dhe i fusnin në makina policie. I njeh ti ata z.ambasador? Lejohen këto sjellje në Amerikë z.Ambasador? Po policë të forcave speciale që rrahin njerëz të moshuar në moshën e prindërve të tyre lejohen në Amerikë z.ambasador?

Në mos më besoni mua, pyesni brenda në polici z.ambasador. Është një prej tyre që mua më ka mbetur në mendje. Ai hapi krahët dhe iu bërtiti me të madhe kolegëve të tij duke mbrojtur tre djem të rinj: “Mos i godisni. Ata po kalonin rrugën!”..

Pra, zoti Ambasador, askush nga ata njerëz nuk përbënte rrezik. Unë nuk përbëja rrezik! Dhjetëra djem të rinj të kryeqytetit që thjesht “kaluan në rrugë” nga ora 17.10 e deri në orën 17.30, nuk përbënin rrezik. Këtë nuk e them unë zoti Ambasador, por Gjykata ku ju dhe z.Berisha thoni se besoni. Ajo vendosi që ata nuk përbëjnë rrezik dhe për këtë arsye i liroi një ditë më pas.

Z.Ambasador, dhunën ndaj meje nuk ka nevojë ta vërtetojë kryeministri që ju ta besoni. E vërtetojnë regjistrat e spitalit civil ku unë mora ndihmën e parë mjekësore, e vërteton akt-ekspertimi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, e vërtetojnë hematomat që kam ende në trup, sot 25 ditë pas 21 janarit.

Zoti Ambasador, në spital kur po mjekohesha mësova edhe për dy kolegë të mi. Fatos Mahmutaj ishte goditur nga një plumb në dorë. Ai po rrinte në skelën e vendosur nga një TV për të filmuar ngjarjet. Fatosi edhe sot e ka dorën e fashuar dhe merr mjekime. Elton Dono ishte goditur teksa po transmetonte “live” nga shëtitorja. Edhe atë e goditi policia.

Zoti Ambasador. Gazetarë janë rrahur, gazetarë janë vrarë në protesta dhe demonstrata, gazetarë janë rrëmbyer dhe vrarë në vende në konflikt. Të gjitha këto i kisha menduar. Ajo që nuk kisha menduar ishte që të rrihesha jashtë çdo legjislacioni, nga policë që paguhen nga taksat e mia. Ajo që nuk kisha menduar është edhe se një ditë do të dilte një ambasador që do të bënte analizën e shtypit shqiptar dhe do bënte “ndarjen” e gazetave dhe televizioneve duke marrë si kriter demokracie faktin që tre gazeta në vend guxojnë të kritikojnë qeverinë. Ajo që nuk kisha menduar ishte se ju do të dilnit dhe do komentonit edhe dhimbjen e trupit tim. Zoti Ambasador, për këtë ne kemi një shprehje: “Mirë kali që më ngordhi, por as mizat nuk më lënë rehat”!