Tirana nën subjektivizmin ekzistencialist dhe e shuar nga vizioni i së ardhmes

0
49

Nga Edi Sara, 22 Dhjetor 2012

Nën tingujt therës të “Lacrimosa-s” së Mozartit, po më shpaloset si një faqe e zverdhur historie Tirana jonë e dashur…

Pozicioni në të cilën ndodhem, ofron një kënd shikimi mjaft të qartë mbi sheshin Skënderbej dhe bulevardin që vijon pas tij e vazhdon si një lumë i gjatë e i valëzuar me dallgë asimetrike të cilat shkumojnë e përplasen në pika të ndryshme të horizontit, të errësuar nga vrenjtësia e kohës së bukur me re të dendura, të cilat tentojnë të denden edhe më me njëra-tjetrën për të ndaluar depërtimin e “rrezeve të diellit”…

(Lumi i makinave që mbush bulevardin kryesor të kryeqytetit tonë lëviz me një shpejtësi relativisht të vogël, në kundërshtim të plotë me dinamizmin e zhurmës së marmitave të cilat vjellin tym dhe smog nga gojët e tyre të ndyra blozë… Kjo zhurmë e mbështjellë me një vello tymi të dendur dalë bojësh, krijon një panoramë sa keqardhëse për vendasit po aq edhe misterioze për turistët e pakët që vizitojnë vendin tonë).

Më tej, syri ndeshet me vetë monumentin e heroit tonë kombëtar Gj. K. Skënderbeut, i cili ulur krenar dhe madhështor mbi kalin e tij trim, përshëndet me shikimin e tij vigoroz dhe plot pompozitet gjithë kalimtarët, të cilët kur kalojnë pranë tij, ndjejnë aromën e petaleve të luleve shumëllojëshe dhe shumëngjyrëshe të cilat, nëse dikush vendos të fotografojë pamjen e sheshit lart nga ajri, krijojnë kompozitetin e një mjedisi ngrohës dhe buzëqeshës.

(Monumenti i Kastriotit lënë mbi një fushë të “shteruar gjelbërisht”, e cila nuk prodhon asnjë fryt të vyer kohët e fundit, të jep shëmbëlltyrën reflektive të pamjes së kërrusur të popullit tonë, i cili në kalvarin e betejave dhe luftërave që kanë mbushur faqet e lavdishme të historisë sonë kombëtare, dëfton qartë luftën aktuale në gjirin e Shqiptarëve, të cilët jo vetëm janë polarizuar në ekstrem për shkak të interesave të tyre partiakë, por janë ndarë me mish e shpirt nga mendimi optimist për atdheun e tyre: një ironi e fatit përballë shembullit të përkryer të thuprave të heroit tonë).

Një fllad i lehtë ere më ngacmoi qerpikët dhe më detyroi të mbyll sytë përballë asaj tabloje me ngjyra të zvenitura dhe më inspiroi të imagjinoj Tiranën përtej “blusë” së imponuar nga “qielli”, përtej të gjelbrës së tharë dhe të rralluar për shkak të gangrenës kombëtare të rrallimit të zonave pyjore, e cila si një epidemi lebroze e ka goditur jo vetëm kryeqytetin, por gjithë vendin duke e lënë atë si një zonë “delikate” të zhveshur trupore në mëshirën e acartë të këtij dimri… Ky vizion, i cili më lindi vetëtimthi, u shoqërua me një “bubullimë” zëri misterioz që jehoi në “timbrin e trurit” duke ofshatur: “NDRYSHIM…”

Duke mbajtur një “Cuba Libre” në njërën dorë e në tjetrën një puro kubaneze, më pamje nga “lumi” i Tiranës, dhe në qetësinë e trafikut të ndezur zjarr në mes të shiut… gjithçka e parë nga Hotel Tirana of ‘Cakallana’! Ju përshëndes nga subjektivizmi im ekzistencialist të dashur qytetarë dhe shqytetarë!