Lider e ndërkombëtarë! Mos luani me popullin shqiptar!

0
73

Mandeta Minxhozi

Ligjërimi është një luftë për pushtet dhe se palët që marrin pjesë në prodhimin e tij e përdorin atë si një luftë për pushtet, ku secili luan për të fituar”, – thotë Liotar.

Lider! Komuniko ndershëm me popullin tënd! Populli e kupton sesi luhet me të folurin, si prodhohen ligjërimet, qoftë nga formuluesit e ligjeve, edhe nga ata që prezantojnë ideale të ndryshme. Po ashtu, çfarëdo lloji ideali dhe përcaktimi mund t’i zbulosh qëllime të kundërta në kuadrin e një meditimi filozofik, por veprimtaritë reale të njerëzve, performanca e tyre provojnë qëllimet e mira apo të mbrapshta pas çdo përkufizimi. Dhe, ligjërimi i prodhuar nga një shpirt i ndershëm ka më tepër mundësi të perceptohet nga populli si një fjalim i besueshëm.

Lider! Vepro me shpirt dhe arsyeto! Vërtet arsyeja mund të të tërheqë që të mos i bësh gjërat e forta, kërkon të të frenojë impulset emocionale kur këto duan të shpërthejnë, por jo gjithmonë këto ndjesi të forta i binden arsyes dhe tkurren, se edhe arrijnë të shpërthejnë, sidomos kur është fjala për ndjesi të forta, jo thjesht vetjake, por me karakter kombëtar. Ndjesia jote lider, ndoshta pas kalkulimeve ndryshon, dhe fillon të ushqejë një arsye frenuese e cila lufton të ndrydhë shpirtin tënd dhe ta tërheqë nga aksioni për popullin, por shpirtrat e tjerë të varfër të trazuar që ti i fton për të bashkërenduar me shpirtin tënd nuk qetësohen dot me një shëtitje nga “Zogu i zi”, “21 Dhjetori”, qendër etj, as nga kalkulimet që të kanë qetësuar ty, por këta shpirtra të trazuar, të varfër qetësohen vetëm kur ndiejnë pranë shpirtin e liderit të tyre, që i udhëheq drejt një ardhmërie të afërt, e artikuluar me sinjale të hapura dhe jo të mbuluara se për ku, për çfarë, deri kur.

Lider! Bashkërendo me popullin! Ndjesia kombëtare e liderit duhet të bashkërendojë me atë të popullit, përndryshe nëse veprojnë si dy pjesë të shkëputura të shpirtit, si të ndryshme apo të kundërta që nuk bashkërendojnë, atëherë vihet në pikëpyetje të madhe suksesi i komunikimit lider-popull. Lideri duhet të dëshirojë ta sinjalizojë popullin e vet, se populli dëshiron të jetë i sinjalizuar. Nëse lideri nuk e sinjalizon popullin e vet, atëherë ai do të keqkuptohet dhe deri do të urrehet, se edhe sikur lideri mund ta qetësojë shpirtin e vet pas shkëmbimit të një fjale, gjesti, marrëveshjeje përgjatë axhendave të tij, ai duhet t’i japë sinjale të hapura popullit nëpërmjet një komunikimi të ndershëm për atë që ndodhi, që po ndodh, dhe që do të ndodhë, për atë që është e drejtë për ty si lider, por që duhet të jetë e tillë edhe për popullin tënd, dhe je ti lider ai që do të duhet ta bindësh popullin se ajo që është e drejtë sipas teje, është e drejtë edhe për të. Nëse nuk jep sinjale të hapura, nuk do mundesh dot të qetësosh shpirtrat e trazuar, dhe që të komunikohet suksesshëm, duhet të përputhen mendimet e folësit, sinjalizuesit (liderit) me të dëgjuesit, të sinjalizuarit (popullit).

Lider! Hap udhë për popullin, jo vetëm menaxho. Lideri i fortë me vizion të qartë drejt së ardhmes së afërt, vepron me shpirt dhe nuk e mbron vetveten me ligjërime që vetëm justifikojnë kalkulime arsyesh frenuese, por shpirti i një lideri duhet ta shtyjë fort arsyen që ta kryejë aksionin politik, derisa t’i thotë popullit të vet: U kry! Po vendose ta bësh, atëherë bëje mirë, që të dalësh para popullit tënd dhe t’i thuash krenar: U kry!

Arsyeja që niset nga kalkulimet, vihet në konflikt me ndjesinë që shtyn, por kjo arsye dorëzohet para ndjesive shumë të forta që e kalojnë sferën private, siç është ndjesia me karakter kombëtar, dhe në këtë moment arsyeja nuk është më në konflikt me ndjesinë që kërkon të veprojë, por në fazën e saj bashkërenduese ( tashmë arsye që shtyn dhe vepron si edhe ndjesia) dhe shpërthimi i kësaj ndjesie nga një absurd që mund të interpretohej më parë, kthehet tashmë në një arsye; hap udhë popullit! Modeli i liderit Albin Kurti arriti ato rezultate, se e ndjente fort në shpirt të luftonte për popullin e Kosovës, komunikonte shumë dhe ndershëm me popullin e vet, se po të ishte vetëm për arsyen e ftohtë frenuese, sigurisht herë-herë i thoshte: parandalo burgun, mos shit shtëpinë për fushatën, mos u përplas me policinë etj, etj, me mos, mos…Ky shpirt i fortë e mundi arsyen frenuese dhe fitoi arsyeja që vuri në veprim, derisa u kry!

Ndërtimi i një komunikimi empatik, me gjuhë të hapur dhe të ndershme me popullin, pa nënkuptime apo dykuptimësi, përbën çelësin e suksesit të komunikimit politik të një lideri. Lideri që e do popullin e vet lë popullin për ta testuar drejtpërsëdrejti kandidatin për deputet për vlerat që ka (nëse ka fiton), se ashtu siç do votën e popullit, ashtu dhe duhet të besosh tek mençuria e tij për të përzgjedhur. Që në lashtësi në traditën e vjetër, megjithëse pa arsimimin e sotëm, populli shqiptar e kishte gjetur formulën e tij të suksesshme kur përzgjidhte krushqit. Ai zgjidhte për krushq një nga më të mençurit, një nga më të pashmit, një nga më të pasurit (me para), një nga më trimat, një nga më të fortit, një nga më besnikët. Dhe, kështu garantonte suksesin për çdo të papritur që mund t’i dilte përgjatë rrugës që të realizonte qëllimin. Pra, jo vetëm ata me para, as jo vetëm ata më të pashmit, dhe as jo vetëm shërbëtorët!

Mos e pëlqe jetën e qetë se ajo nuk të krijon ankth, dhe si rrjedhojë, nuk të jep atë kënaqësi dhe lumturi që të jep kur e mund ankthin si dhimbje me ankthin si intelekt, dhe sidomos kur ja ke dalë menaxhimit të dhimbjeve. Lideri hap udhë, dhe jo lë në udhë. Lideri duhet të sigurojë pasues, dhe jo duke asimiluar vlerat. Të arrish sukses do të thotë të luftosh, të ekspozohesh me idetë, të rrezikosh, të sakrifikosh dhe të përçmosh me përpjekje të mirat që fitohen me lehtësi.

Lider! Mos e tradhto popullin! Njëherë e trazon! Pastaj kërkon t’ia ndrydhësh trazimin, pas flirtesh mes kontratash, ndarje pushtetesh. Mos! Se fiton ti, por jo populli! Por po humbi populli, i humbur je dhe ti! Nëse populli dyshon mbi identitetin tënd politik, dhe meqë gjuha është element identiteti, atëherë thuaja me një gjuhë të hapur, të ndershme se cili është identiteti yt politik dhe do të jetë në të ardhmen. Largo dyshimet, mos u mbulo, jep sinjale të hapura për popullin se çfarë do ti, ku do ta çosh ti! Nëse nuk ndërton këtë komunikim të ndershëm, atëherë do të të kthehet populli ty dhe të të pyesë; kush je ti, çfarë përfaqëson ti, çfarë do ti?!

I huaj ndërkombëtar! Mos loz, por ndërto komunikim të ndershëm me popullin shqiptar! Ne shqiptarët jemi mikpritës, të hapur në komunikime, të sakrificës për mikun, se kemi gjak nëpër vena dhe jo ujë, të pashëm si fizikë, kemi më pak devianca seksuale, më pak AIDS, më pak prostitucion, më pak përdorues droge, më pak çifte sterile, më pak viruse vdekjeprurëse, më shumë ushqim bio, më shumë diell etj. Kemi edhe më pak para, por kjo nuk do të thotë, i huaj ndërkombëtar, që të zhvillosh aktivitetin tënd me shqiptarët me doza etnocentrike, dhe shqiptarët t’ju shohin ju me doza ksenocentrike. Ka mjaft vlera shqiptari që t’i mburret edhe botës.

Ndërkombëtar! Jo gjuhë me dykuptimësi! Populli shqiptar e kupton lojën me fjalët, mjafton të dëgjosh reagimet, artikulimet apo shpalosjet në konferenca për shtyp të palëve në konflikt, kur që të dyja palët deklarojnë se kanë mbështetje të “sigurt” nga të njëjtët ndërkombëtarë njëkohësisht. Ti i huaj ndërkombëtar, njëkohësisht vlerëson dhe mbështet dy palë të kundërta njësoj për të njëjtin konflikt, gjë që na bën të besojmë se në kohën e deklarimeve të tilla ishit duke përjetuar çastet e çakordimit njohës, duke deklaruar vlera e cilësi për palë të kundërta si më të mira, ndërkohë që vetë jeni i bindur se nuk janë të tilla. E megjithatë, përsëri përpiqeni të bindni të tjerët për këto vlera të palëve, megjithëse sërish jeni i bindur se të tjerët e dinë shumë mirë që kjo nuk është më e mira.

Tani po artikulohet nga ndërkombëtarët që protestat rrezikojnë anëtarësimin në BE, rivendosjen e regjimit të vizave etj. Si kuptohet ky ligjërim kur vetë këta ndërkombëtarë në vendet e tyre, populli i tyre, i praktikon protestat dhe nuk kanë rrezikuar rivendosjen e regjimit të vizave, as ç’antarësimin nga BE-ja. Aq më tepër që këta ndërkombëtarë e njohin mirë të drejtën e protestës. Atëherë, çne ky ligjërim? Si një presion për të hequr qafe protestat, apo përsëri për të qenë rehat me të gjitha palët mirë njëkohësisht?

Tregojeni që i doni shqiptarët, që realisht nuk doni t’i dështoni në projektet tuaja për zhvillim dhe demokraci në Shqipëri, ose shpallni falimentin tuaj në këtë proces. Veç mos bëni servilin ndaj pushtetit, që edhe për ata dhjetëra e qindra specialistë që ju vetë i trajnoni me projektet tuaja, duke shpenzuar miliona, dhe kur pushteti i heq nga puna duke i hedhur në kosh vlerat intelektuale bashkë me milionat e shpenzuara nga ju dhe shtetet tuaja, ju jo vetëm që nuk kundërshtoni, por turreni të trajnoni sa më parë fringot e emëruara rishtas nga partia në pushtet. Edhe ata të trajnuar, të njëjtin fat pësojnë, dhe ju përsëri vazhdoni të trajnoni të tjerë etj, etj, në vend që të luftoni me pushtetin që të mbani edhe ato resurse e kapacitete intelektuale me vlera nëpër administratë që ju vetë i trajnoni, duke garantuar kështu qëndrueshmërinë e suksesit dhe justifikuar fondet e investuara. Vepro o ndërkombëtar në vendin tim, për popullin tim, jo vetëm ligjëro!

Autorja: Pedagoge e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.