Parlamenti “bllokon” imunitetin e Metës

0
85

Erjon Ajazi

Strategjia e PD-së/ Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të përdorë modelin e Bundestagut gjerman

Parlamenti “bllokon” imunitetin e deputetit Ilir Meta. Partia Demokratike do të vërë në përdorim një skenar të ri për heqjen e imunitetit duke imituar modelin gjerman. Për t’u vendosur në zbatim, duhet që ky ndryshim të inkuadrohet në rregulloren e Parlamentit, në mënyrë që t’i jepet vlerë ligjore deklaratës personale të deputetit. Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije për “Shqip” se ditën e hënë do të ketë direktiva më të qarta dhe specifike në lidhje me këtë iniciativë të mazhorancës për procesin e lënies së imunitetit.

Në fakt, Kushtetuta specifikon që lënia e imunitetit është një nismë që votohet në Parlament me votim të fshehtë, por Partia Demokratike duket se do të devijojë nga ky plan. Plani rezervë është hedhja në arenën politike të modelit gjerman për të lënë imunitetin. Burime nga kampi demokrat bëjnë me dije se deputeti Ilir Meta ka lënë imunitetin në mënyrë të vullnetshme dhe nuk ka nevojë për votim në Kuvend. Kjo, sipas ligjit bie ndesh me Kushtetutën.

Këshilli i Mandatave
Ditën e hënë, Kryeministri Sali Berisha do të informojë grupin e tij parlamentar në lidhje me nismën që 140 deputetët e Parlamentit do t’i nënshtrohen për lënien e imunitetit. Është ende e paqartë mënyra sesi do të interpretohet kjo paketë e propozuar nga mazhoranca nga kampi opozitar. Mësohet gjithashtu se ditën e hënë është paralajmëruar një mbledhje e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Qëndrimi i anëtarëve të PD-së në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve pritet të jetë një ndjekje e shembullit të Bundestagut gjerman.

Mënyra sesi do të procedohet është ende e paqartë, por ajo që paralajmërohet sipas burimeve nga Kuvendi dhe grupi parlamentar i PD-së është që të nënshkruhet një deklaratë nga të gjithë anëtarët e mazhorancës. Dilema e vetme qëndron në faktin sesa efektive do të jetë kjo nismë për Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që prerogativat ligjore sipas nenit 73 të Kushtetutës dhe nenit 118 të rregullores së Kuvendit, specifikojnë vetëm një mënyrë për të hequr imunitetin, dhe ajo është me votë të fshehtë në Kuvend.

Kushtetuta
Neni 73 i Kushtetutës, pika 2, specifikon se deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Sipas kësaj pike, autorizimi i Kuvendit kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet. Pika 3 e këtij neni citon se “Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës”. Duke iu referuar këtij neni në Kushtetutë, për të gjitha rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të nenit 73, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.

Rregullorja e Kuvendit
Neni 118 i rregullores së Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit specifikon në mënyrë të qartë në pikën 4 të tij se imuniteti i një deputeti hiqet vetëm në rastin kur kryhet një votim në seancën parlamentare në mënyrë të fshehtë. “Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit”, citohet në pikën 4 të nenit 118.

Neni 118
Heqja e imunitetit të deputetit

1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë.

2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

5. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.

6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.