Balla: Fëmijëve të babit u kanë mbetur edhe pak muaj, do përballen një ditë me drejtësinë e vërtetë

0
46

TemA, 23 Dhjetor 2012

Taulant-BallaDeputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratës së fëmijëve të kryeministrit Sali Berisha.

“Jam thellësisht i keqardhur që Argita dhe Shkëlzen Berisha reaguan vetëm duke shpifur për Kryetarin e Partisë Socialiste dhe jo duke sqaruar si e kanë vënë pasurinë e tyre përrallore. Aq më keq që kërcënuan me një tjetër proces gjyqësor, në vazhdën e gjyqeve që kanë hapur me opozitën, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të kotë për të na mbyllur gojën.

Por sot unë do doja t’i kërkoja Argitës dhe Shkëlzenit, që t’u thonë shqiptarëve se si mund të bëhen edhe ata kaq të pasur pa qenë fëmijët e Saliut! Dhe s’do ishte keq që të na tregonin, qoftë Argita, qoftë Shkëlzeni, sa taksa kanë paguar për pasuritë e vëna gjatë një viti, sepse këtë s’kemi mundur ta mësojmë dot, pasi shteti ka frikë të japë informacion për vajzën dhe për djalin e babit Kryeministër,” tha Balla.

Ai sërish këmbënguli se fëmijët e Berishës duhet të bëjnë transparencën e pasurisë përrallore.

“Meqenëse Argita dhe Shkëlzeni po qahen se ne thjesht po komentojmë të çuditur deklaratat e tyre të pasurisë, pse të mos u tregojnë qetësisht shqiptarëve si mund të jepen tërë këto shtëpia me qera e si mund të mblidhen tërë këto para në këto kohë krize, ndërkohë që shqiptarët që s’kanë lidhje me oborrin e babait të tyre vuajnë për bukën e gojës! 42 milionë lekë vetëm qera.

Argita dhe Shkëlzeni i babit, bëjnë mirë t’i lënë kërcënimet, se nëse përmes gjyqeve nuk arritën deri më sot t’i mbyllin gojën opozitës, sigurisht që nuk kanë për t’ia dalë këto 5 muajt e fundit që i kanë mbetur. Por Argita dhe Shkëlzeni i babit, më shumë sesa opozitës, i detyrohen një shpjegim shqiptarëve të thjeshtë.

I detyrohen një shpjegim mësuesve të thjeshtë:

Si ka mundësi që Argita dhe bashkëshorti i saj fitojnë 210 milionë lekë në një vit të vetëm nga mësimdhënia, ndërkohë që mësuesia në këtë vend të qeverisur nga babi i Argitës është kthyer në një profesion të varfër?

Cilat janë bizneset që kanë ndihmuar, apo konsultuar Argita dhe Shkëlzeni?

Cilët janë pronarët e tyre?

A ka patur ndonjë lidhje mes këtyre bizneseve dhe punës që bën babi i Argitës dhe Shkëlzenit?

Pas konsulencës me Argitën dhe Shkëlzenin, a kanë përfituar para publike, licensa apo koncesione të pasurive shtetërore, nga ato që i menaxhon babi Saliu?” tha Balla.

Deputeti socialist deklaroi se një ditë fëmijët e Berishës dhe babai i tyre do përballen me drejtësinë.

“Këtë t’u thonë shqiptarëve Argita dhe Shkëlzeni, jo përrallat e tipit: po jam krimbur në para, por të gjitha këto para i kam deklaruar dhe i kam të ligjshme se m’i kanë kontrolluar institucionet e babit. E vërteta është se siç e dimë ne dhe mbarë shqiptarët, e di edhe Argita me Shklzenin se këto para dhe prona i kanë vënë falë babit që është kryeministri më i korruptuar i këtyre 100 vjetëve shtet shqiptar.

Prandaj o kalamajt e babit ju mund të hapni gjyqe të tjera dhe madje edhe t’i fitoni ato me ushtarët e korruptuar të babit në gjykata, po s’mund ta mbuloni të vërtetën e hidhur të qeverisjes së stërkorruptuar të babit tuaj! Prej të cilës keni përfituar dhe vazhdoni të përfitoni përditë, ndërkohë që ju e dini mirë, se ju ka mbetur edhe shumë, shumë pak kohë, pak muaj, pak javë, pak ditë, deri sa t’ju duhet të përballeni edhe ju me drejtësinë, me drejtësinë e pavarur, me drejtësinë që punon për shqiptarët dhe Shqipërinë tonë, jo për babin tuaj”.