Dy bashkëvuajtësit

0
135


Ardian Vehbiu

Dy bashkëvuajtësitVeç Mubarakut të Egjiptit, autokrat i njohur që tashmë u dëbua nga pushteti pas protestave masive dhe të zgjatura të qytetarëve, dy liderëve të tjerë në Mesdhe po u lëkunden pozitat dhe kontestohet sundimi: Berishës në Tiranë dhe Berlusconit në Romë.

Për Berishën kemi folur shumë dhe do të flasim; edhe seanca e fundit e Parlamentit tregoi se PD-ja vërtet mund të ketë shumicën numerike atje, por ai institucion nuk arrin më të funksionojë normalisht, prandaj duhet përfshirë edhe ai ndër të jetërsuarit prej krizës – krahas gjyqësorit, Presidentit dhe opozitës.

Megjithatë, Berisha nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe Tirana nuk është Kajroja, për shumë arsye, prej të cilave edhe që kryeministri shqiptar, megjithë mëkatet dhe gabimet që bën, nuk është Mubaraku.

Ndërkohë vijnë lajme të reja nga Roma; Berlusconi, tashmë në shënjestër jo vetëm të prokurorisë por edhe të mediave, ka nisur të llomotitë edhe ai për “grusht shteti”, ose më saktë “golpe”.

Në një intervistë me Ferrara-n e Il Foglio, kryeministri italian akuzon kundërshtarët pikërisht për “golpe bianco” ose grusht shteti të bardhë; duke specifikuar pastaj që përndjekja e tij nga ligji është shprehje e një grushti shteti moral (“golpe morale”), që sipas liderit italian, mund të krahasohet me çfarë ndodhte dikur në Gjermaninë Lindore; Berlusconi madje i referohet drejtpërdrejt filmit “Jeta e të tjerëve”, për të përshkruar klimën e përgjimit, nga e cila ndihet i rrethuar.

Meqë në Itali bëhet fjalë për një përplasje të vjetër mes gjyqësorit dhe kryeministrit të dalë nga një shumicë parlamentare, atëherë Berlusconi sqaron edhe konceptin e tij për imunitetin parlamentar ndaj përndjekjeve gjyqësore dhe në përgjithësi, të funksionarëve të lartë politikë. Imuniteti, shpjegon ai shërben si “filtër ndërmjet pushteteve autonome”.

Meqë kryeministrin italian, ndryshe nga Berishën në Tiranë, e kanë akuzuar tani së voni për zvetënim moral, përdhosje së figurës së personit zyrtar dhe marrëdhënie seksuale me të mitura, ai kundërpërgjigjet se “kush predikon një republikë virtytesh, me tone puritane dhe jakobine, ka në mendje një demokraci autoritare, që është e kundërta e një sistemi të themeluar mbi lirinë dhe një ndërgjegje morale publike dhe private dhe të mirëfilltë.”

Gjithsesi, megjithë pakënaqësinë e madhe të elitave ndaj tyre dhe irritimin me papërgjegjshmërinë që tregojnë, nuk është e lehtë t’i largosh këta burra autoritarë nga pushteti i rrënjosur në votat, sa kohë që mungon revolta publike e shkallës së shesheve të Kajro-s. Në Tiranë, bie fjala, protesta nuk zgjati dot më shumë se gjysmë dite, dhe kjo jo për meritë të forcave të ruajtjes së rendit…

Ngjashmëritë mes të dy rasteve janë të shumta: si në Romë, ashtu edhe në Tiranë, gëlojnë konfliktet mes pushteteve, në një kohë që dy kryeministrat “mbretërojnë” falë shumicës që kanë në Parlament.

Këtu duhet pasur parasysh se, edhe Berlusconi edhe Berisha, secili në mënyrën e vet, janë produkte të reaksionit politik ndaj partitokracisë klasike.

Sa i takon Shqipërisë, partitokracia duhet parë më tepër si vazhdim inercial i sundimit të PPSh-së në jetën e vendit; por gjithnjë me proviso-n se PD-ja nuk ushtron kurrfarë ndikimi, as formal as moral, ndaj Berishës; përkundrazi, ekziston si zgjatim i trupit dhe i mendjes së tij, vegël që e lejon të ushtrojë pushtetin në mënyrë kapilare, vulë legjitimuese që ai mban në xhep.

Prandaj partitokracia në Shqipëri shprehet nëpërmjet monopolit që kanë partitë në jetën politike, jo në marrëdhëniet e këtyre partive me pushtetin.

Nga ana e vet, Berlusconi në Itali, dikur mogul i mediave, fitoi prominencë në jetën politike të atjeshme pas shthurjes dhe shpërbërjes së Partisë Demokristiane, që e kish qeverisur Italinë për më shumë se dyzet vjet pa ndërprerje, me bekimin e amerikanëve dhe të NATO-s; si një parti e madhe, popullore dhe e rrënjosur në qendër dhe në provincë, udhëhiqte vendin e patrazuar, nëpërmjet rotacionit të liderëve.

Kush i mban mend kryeministrat italianë gjatë viteve 1960-1980? Kujt i kujtohen sot Fanfani, Moro, Leone, Rumor, Colombo, Andreotti, Cossiga, Forlani, Goria, De Mita… që vinin e iknin në pushtet pa u ndier shumë, si në një lojë karrigesh, me qeveritë që rrëzoheshin dhe qeveritë e tjera që ngriheshin sërish nga hiri, si feniksi?

Këta burra shteti, të gjithë profesionistë të politikës dhe kompetentë deri në mërzi, mishëronin partitokracinë klasike – ata ishin krejt të zëvendësueshëm dhe të ndërkëmbyeshëm, por njëkohësisht mbeteshin në krye të punëve.

Berlusconi, nga ana e vet, erdhi në pushtet, në Itali, pas një intermezzo-je kur qeveria kaloi dorë më dorë të liberalëve pak a shumë të majtë: Spadolini, Craxi, Amato, Ciampi, Dini, Prodi e deri edhe ish-komunisti D’Alema; por të gjithë këta nuk e kishin uniformitetin, as monolitizmin e DC-së së dikurshme dhe ishin të dënuar të kapitullonin, veç e veç si individë, por edhe si epifenomene të një vullneti politik partiak tashmë të kapërcyer.

Berlusconi, njëlloj sikurse Berisha në Tiranë, solli një stil të ri në politikat e pushtetit: atë të njeriut-parti, ose versionin soft dhe populist, në mos relativisht demokratik të liderit autokrat, gjithnjë në ekran, hiperaktiv dhe të kudo-ndodhur, në raport të mediatizuar jo aq me zgjedhësit, sesa me publikun televiziv. Përndryshe, çfarë do të ishte PDL-ja (ose dje Forza Italia) pa Berlusconi-n; çfarë do të ishte PD-ja pa Berishën?

Të largosh sot Berlusconi-n nga pushteti është po aq e vështirë sa të largoje dje nga pushteti jo Fanfani-n, Forlani-n, Moro-n dhe Goria-n, sesa vetë Partinë Demokristiane – diçka e pamendueshme në vitet e Luftës së Ftohtë.

Natyrisht, metamorfoza e modelit të djeshëm monopartiak, në modelin e sotëm të njeriut-parti, sa i takon Italisë, vetëm sa e ka ndihmuar partitokracinë të përshtatet me rrethanat e reja, ku kasta e biznesit shumëkombësh dhe e financës së madhe nuk ka më arsye t’i druhet së majtës në Itali dhe gjetiu, as të marrë parasysh faktorin sindikal; dhe ku pjesëmarrja e qytetarit në jetën publike po ndodh gjithnjë e më shpesh nëpërmjet mass mediave.

Ndërkohë, në Shqipëri, modeli i njeriut-parti i përqafuar nga PD-ja është pranuar vetvetiu, si në harmoni me antropologjinë e patriarkalizmit që ende sundon në shoqërinë shqiptare. Madje krahasimisht me monizmin partiak të tridhjetë vjetëve më parë, teknologjia e komunikimit lejon tani që lideri Berisha të mikro-menaxhojë, po të dëshirojë, deri edhe vendimet e një kryetari komune në majë të malit, duke i telefonuar me celular – gjë që Enver Hoxha mund ta bënte vetëm tërthorazi, nëpërmjet frikës ose karizmës.

Krahasimi mes Berlusconit dhe Berishës nxjerr në dritë edhe një aspekt tjetër domethënës të dialektikës politike në të dy vendet, dhe pikërisht rolin që po luajnë, në këtë dialektikë politike, përballjet e liderëve me ligjin.

Njihen përplasjet e Berlusconi-t me prokurorët dhe gjykatësit; atë e kanë akuzuar për evazion fiskal, mashtrime në kontabilitet, kontakte me mafia-n, korrupsion dhe ryshfete; disa herë, ai u ka shpëtuar dënimeve falë ligjeve ad hoc, të miratuara nga shumica e vet parlamentare. Sipas Berlusconi-t vetë, mes viteve 1994 dhe 2006, “789 prokurorë dhe gjykatës janë marrë me çështje të tijat, me synimin për të përmbysur votën e popullit italian”, çka i ka kushtuar, ndër të tjera, 174 milion euro vetëm për të paguar avokatët e shumtë (mes të cilëve dikur edhe Nicolas Sarkozy).

Aq e vërtetë është kjo, sa sot nuk mund të kuptohet më karriera politike e Berlusconi-t jashtë ballafaqimit të tij me ligjin dhe me institucionet e gjyqësorit që e hetojnë për çështje të ndryshme. Skandali i tanishëm i Ruby-t, ose Qerimesë (Karima El Mahroug), është vetëm qershiza mbi një tortë të stërmadhe akuzash; ironikisht, kur doli në shesh ky skandal, u tha se, kur e patën arrestuar këtë marokene 17-vjeçare për vjedhje, Berlusconi paskësh ndërhyrë drejtpërdrejt me autoritetet përkatëse, duke marrë në telefon policinë për ta liruar vajzën, me pretekstin se ajo ishte mbesa e Mubarak-ut (ec e mos fol pastaj për botë të vogël)!

Nga ana tjetër, edhe disa nga prokurorët, hetuesit dhe gjykatësit që janë marrë, ndër të tjera, me Berlusconi-n, kanë përfunduar si politikanë aktivë dhe ndonjëherë deri janë zgjedhur deputetë në radhët e opozitës; në një kuptim, lufta politike sot në Itali mund të interpretohet edhe si vazhdim i përplasjeve gjyqësore me mjete të tjera; në një kohë që e djathta berlusconiane gjithnjë ka këmbëngulur se veprimet e gjyqësorit kundër Berlusconit kanë qenë gjithnjë të motivuara politikisht nga e majta jakobine, nëmos thjesht hipokrite.

A ka ndonjë rrezik që ky polenizim i kryqëzuar i politikës me ligjin të manifestohet edhe në Tiranë? Në të vërtetë, Berishën dhe sidomos familjarë të tij dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë i kanë akuzuar për gjithfarë gjestesh, bëmash dhe aferash korruptive dhe klientelare; në qoftë se Prokuroria e Përgjithshme vendos t’i marrë këto akuza seriozisht dhe t’i ndjekë ato deri në fund, me mbështetjen edhe të ambasadës amerikane, atëherë edhe karriera politike e Berishës do të vijë duke u përcaktuar, gjithnjë e më vendimtarisht, nga strategjitë e tij për të mbrojtur nga akuzat dhe hetimet veten dhe bashkëpunëtorët; për çka atij do t’i duhet për jetë a vdekje shumica në parlament.

Edhe liderin e PS-së Rama e kanë akuzuar për gjithfarë lidhjesh dhe koluzionesh me mafia-n e ndërtimit dhe korrupsion; por gjasat që ky të përndiqet nga Prokuroria janë më të pakta, siç mund të deduktohet edhe nga shigjetat që u ka hedhur të dy Rama-ve Berisha tani së fundi, publikisht, për bashkëpunim në “tentativën për grusht shteti”. Nëse ndodh kështu, atëherë lufta politike në Tiranë, njëlloj si lufta politike e tanishme në Romë, rrezikon të mos zhvillohet më normalisht, midis dy ose më shumë partive, por midis një njeriu-parti, ose Berishës, dhe gjyqësorit, të përfaqësuar politikisht (në parlament) nga opozita dhe të amplifikuar nga mediat e majta.

Po i kanë vallë shteti shqiptar dhe demokracia e atjeshme, ekonomia dhe shoqëria shqiptare, këllqet dhe luksin që ta përballojnë këtë përçudnim të madh të politikës?