Ashton, nga Tunizia me mision në Shqipëri

0
82


Fatjona Mejdini

Ashton, nga Tunizia me mision në Shqipëri
Eurodeputetët “zgjidhin gjuhën” për Berishën dhe Ramën në seancën me Lajçak
Pas Tunizisë, zyrtarja e lartë e Brukselit do të tentojë dialogun PD-PS
Shefja e Diplomacisë së BE-së, takime me Topin, Berishën e Ramën

Bashkimi Europian po përgatitet për të ndërhyrë intensivisht në atë që për ta quhet “kriza shqiptare”. Pas dy takimeve të të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë çështje, Miroslav Lajçak, europianët kanë vendosur ta rrisin nivelin e përfaqësimit në vendin tonë, duke sjellë në Tiranë përfaqësuesen e lartë të Punëve të Jashtme dhe Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton. Vizita e saj në Shqipëri pritet të konkretizohet javën e ardhshme, pas përfundimit të vizitës së Ashton në Tunizi.

Gjatë kësaj vizite, që pritet të jetë e shkurtër, Ashton do të takojë krerët më të lartë të politikës në vend, Kryeministrin Sali Berisha, Presidentin Bamir Topi dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Duket se misioni i Baroneshës Ashton do të përqendrohet në uljen e palëve në një tryezë për të gjetur edhe një marrëveshje, e cila do të siguronte zgjidhje të krizës politike. Pas dy vizitave që i dërguari i saj për Shqipërinë, Miroslav Lajçak ka zhvilluar me secilin nga aktorët politikë të përfshirë në këtë konflikt, Ashton duket se ka mbi tryezën e saj të punës të gjithë informacionin e nevojshëm që duhet për të analizuar situatën dhe për të evidentuar pikat e qarta që i mbajnë palët larg njëra- tjetrës.

Vizita e saj në Shqipëri është konsideruar gjithmonë një opsion nga ana e përfaqësuesve të BE-së, në rast se mes palëve nuk do të gjendej një zgjidhje e përshtatshme brenda një kohe të shkurtër. Këtë vizitë e paralajmëroi edhe Miroslav Lajçak, gjatë takimit të zhvilluar nën Tiranë pak javë më parë, kur theksoi se për BE-në nuk ishte problem sikur të dërgonte në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike edhe përfaqësuesit më të lartë të saj. Në kushtet kur me gjithë mesazhet e qarta dhe të prera që Lajçak ka dhënë për të dy përfaqësuesit e partive kryesorë, nuk është gjetur një zgjidhje, vizita e Ashton pritet t’i japë më shumë forcë dhe energji negocimit të BE-së.

Gjatë konferencës së fundit për shtyp, Lajçak deklaroi se dialogu politik duhet të vijonte në vend, pavarësisht procesit të hetimit. Sipas të dërguarit të Ashton në Tiranë, këto dy procese duhet të ecnin në mënyrë paralele dhe të painterferuar tek njëri-tjetri. Pikërisht kjo duket edhe pjesa më e vështirë e detyrave të shtëpisë për t’u kryer nga ana e politikës tonë në këtë moment, duke qenë se palët akuzojnë njëra-tjetrën për implikim të plotë tek ajo çfarë ndodhi përpara Kryeministrisë në 21 janar. Kjo vizitë vjen jo vetëm pas mesazheve të dhëna nga Lajçak në Tiranë, por edhe pas dhjetëra deklaratave të bëra nga zëdhënësja e Komisionerit europian, Natasha Butler për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.

Po kështu, kjo vizitë vjen edhe pas mbledhjes së Parlamentit Europian për çështjen e Shqipërisë, ku Hanes Svoboda dhe Jozef Daul deklaruan se ka ardhur momenti në të cilin Berisha dhe Rama të gjenin gjuhën e përbashkët nëpërmjet dialogut, sepse nëse nuk do ta bënin këtë, e ardhmja nuk do t’ju sillte asgjë pozitive. Tashmë duket se kriza shqiptare po hyn në një fazë të re të saj, që po detyron partnerët kryesorë të Shqipërisë, SHBA-në dhe Europën të dërgojnë në Shqipëri drejtuesit e tyre më të lartë për politikën e jashtme, siç ishte edhe rasti i ardhjes në Shqipëri të zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Thomas Countryman.