Masat e ndërsyera

0
42

Nga Met Dervishi

Çmendurimi i kryeministrit në prag të Festave të Nëntorit befasoi opinionin publik, jo vetëm këtu, por dhe në Kosovë, Maqedoni, diasporë dhe emigracion. Për herë të parë, mbase, që nga fillimi i pluralizmit, një kor komentuesish dhe analistësh së bashku me korin e telefonuesve, të sms-ve, të komentuesve në sitet e internetit etj., iu kundërvunë atij fuqimisht, duke u përpjekur dhe të shpjegojnë shkaqet e një sjelljeje të tillë. Gjithashtu, po për herë të parë, komentuesit dhe analistët që sorollaten nëpër korridoret e brekëve të kryeministrave u gjendën, jo vetëm në pakicë, por dhe pa argumente. Stigmatizimi i sjelljes së kryeministrit nga analistët dhe komentuesit e pavarur kishte një emërues të përbashkët që mund të përmblidhet në këto fjali:

1. Është një komunist i pandreqshëm, stalinisti i fundit në pushtet etj.

2. Është qenie me probleme psikike, qenie qetësuesish psikikë, haloperidoli, ta ketë në kujdes Jozefina etj.

3. I ka ikur turma, është një Hitler, Fyhrer etj.

4. Kemi krizë besimi, krizë komunikimi etj.

Përfundimi? Ndonëse çdokush do të kishte pritur një zbutje të paranojës së kryeministrit, ai rrëmbeu sërish foltoren e parlamentit dhe përsëriti po të njëjtat gjëra, madje u kërkoi të falur shqiptarëve, pse s’e kish bërë më parë këtë gjë. (Vazoja e thyer e zgjedhjeve të vitit ‘96). Pra, stigmatizimi s’duket të ketë pasur ndonjë efekt real tek ai, duke zhgënjyer kësisoj pritshmërinë publike. Përkundër kësaj, kryeministri është po ai, shkrofëtitës dhe i papërgjegjshëm deri në fundin e tij. I pashqetësuar nga komentet, mbase dhe i nxitur dhe më keq prej tyre, ai i është kthyer mjeshtërisë së tij të vjetër, të vetmes gjë që di ta bëjë në mënyrë të përsosur, mjeshtërisë së ndërsimit të masave.

Kësaj radhe ai ka vetëm një handikap që e bezdis, është kryeministër i një mandati të dështuar dhe ka prekur kutitë e votimit. Por dhe për këto të dyja, si gjithnjë, ai ka gjetur të njëjtin shpëtim, atë të ndërsimit të masave. Ky në të vërtetë ka qenë kali i betejës në të gjitha situatat e vështira që ai ka përballuar dhe kapërcyer gjatë këtyre njëzet vjetëve. Pa bërë digresione, në këtë rast, ndërsimi dhe yshtja e masave drejtohet kundër Edi Ramës. Vini re, këtu nuk po them, kundër opozitës apo kundër protestës së opozitës, po kundër Edi Ramës. Ky dallim ka rëndësi për shpjegimin e ndërsimit të masës.

Një shpjegim për termin, meqë del për herë të parë

Termi “masat e ndërsyera” është i Elias Canetti-t, çmimi Nobel 1981, në tekstin e tij “Masa dhe pushteti”. (Shih botimin shqip, Elias Canetti, “Masat dhe pushteti”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2007). Për të shpjeguar konceptin e autorit citimet janë të nevojshme, aq më tepër që koncepti do pullë të kuqe për të rinjtë nën moshën 18-dhjetëvjeçare. Sipas autorit, masat e ndërsyera formohen me një pikësynim që mund të arrihet shpejt. Ajo, masa, “ka ndërmend të vrasë dhe e di kë do të vrasë” (fq. 63).

“Një arsye për rritjen e shpejtë të masës së ndërsyer është mungesa e rrezikut në këtë punë”.

Më poshtë: “Një vrasje pa rrezik, një vrasje e lejuar, një vrasje e porositur dhe e ndarë me shumë të tjerë është tepër ngashënjyese për shumicën dërrmuese të njerëzve” (fq. 64).

Më poshtë: “Masa e ndërsyer është shumë e lashtë, ajo e ka zanafillën te bashkimi më i hershëm dinamik që njihet ndër njerëzit si lukunia e gjuetisë” etj., etj.

Kaq sa për konceptin.

Më poshtë do të shohim, nëse Berisha, nënkupto berishizmi, është praktikë e manipulimit të masave, lukunisë, nëpërmjet manipulimit të tyre.

Kemi një të dhënë paraprake, primitivizmin e sjelljes së tij politike.

Kemi dhe një të dhënë tjetër: ai i drejtohet pjesës më të prapambetur të popullsisë dhe merr votat e tyre.

Kemi dhe një të dhënë tjetër fatkeqe që ende pesëdhjetë për qind e popullsisë sonë endet mes fshatit dhe qytetit ose është fshat.

Vrasja “simbolike”. A kishim vërtet një ndërsim?

Kryeministri doli nga strofulla dhe iu rikthye instinktit të tij të vjetër politik, ndërsimit të masës, pas mitingut të 20 nëntorit. Para këtij mitingu, mbase i sigurt që opozita do të kandisej t’i rikthehej parlamentit, ai kujtonte konsensuset e mëdha me të, bënte dhe ndonjë shaka mikluese dhe lojcake etj., etj. Ndërsa tani, pra pas mitingut, ai ka rrëmbyer foltoren e parlamentit dhe që nga Pogradeci del në Lezhë, që nga Lezha s’dihet ku do të dalë, për të përfunduar në kryeqytet, gjithnjë në funksion të ndërsimit primitiv të masës.

Por, ndërkaq, unë e ndiej që dikush mund të pyesë i sëkëlldisur: Mirë që kryeministri ndërsen masat, po te Canetti bëhet fjalë për vrasje?!… Ku e kemi vrasjen këtu?!…

Natyrisht, këtu, pra në situatën tonë, bëhet fjalë për disa “momente” të ndërsimit të masës, të cilët duhen shpjeguar veç e veç, për të shkuar deri te “vrasja”.

Momenti i parë i strategjisë së ndërsimit berishist të masës është përcaktimi i “viktimës”, veçimi dhe goditja e saj. Dhe besoj se të gjithë e pranojmë që, në rastin konkret, kryeministri e ndërseu dhe po e ndërsen masën kundër Edi Ramës. Pra, ndërsimi bëhet kundër një njeriu, jo kundër opozitës, kundër protestës së saj, pra nuk atakohet një masë. Të njëjtën gjë ka bërë ai dhe më parë dhe kur i ndërsente masat kundër komunistëve, Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos, Rexhep Mejdanit etj., sa kohë që këta i dilnin para.

Veçimi i një individi bën pjesë në strategjinë e tij të ndërsimit të masës. Prandaj dhe i kushtohet kaq rëndësi ndarjes së Edi Ramës nga opozita. Në këtë rast, masa ndërsehet kundër një njeriu, gjë që e bën atë më të guximshme, dhe jo kundër një mase tjetër, çka do të ishte më problematike.

Momenti i dytë ka të bëjë me vrasjen ”simbolike”; lukunia këtë e bën me ritualet para betejës, me vallet, tamburet etj. Kryeministri këtë e bën në parlament, kryen një ritual vrasjeje “simbolike” para ekraneve televizive dhe ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të saj. Në fjalimin e tij, pasi e zhvendosi Edi Ramën nga opozita dhe e bëri kreun e mafies puniste, ishte me darë në dorë, për t’i shkulur asaj/atij “dhëmbët, dhëmballët dhe nofullat”. Pra, në delirin e ritualit të tij televiziv, kryeministri kreu publikisht diçka më tepër sesa vrasjen “simbolike”; ai kreu gjestin e gjymtimit fizik të kundërshtarit të tij. Natyrisht, “simbolik” dhe ky.

Dhe, ashtu, të “gjymtuar”, ai ua hodhi masave. Vetëkuptohet që te kjo shkulje simbolike e dhëmbëve dhe dhëmballëve ka dhe gjak, një element esencial ky për të nxitur instinktet e lukunisë. Të njëjtën gjë do të bëjë ai deri më 8 dhjetor, do “t’i rrjepë lëkurën, po ku ke lëkurë ti” (Lezhë), etj. etj.

Por ka dhe një moment të tretë. Meqë kemi të bëjmë me një viktimë njerëzore, kundër të cilit ndërsehet masa, kryeministri kreu dhe ritualin e demaskimit të tij, dhe kjo pjesë e ndërsimit të masës. E gjitha ajo çka tha kryeministri për Edi Ramën, për orgjitë e tij, për perversitetet, për djalin që akuzon të atin se e shoqja e ka të birin me të, për të ëmën e tij etj., etj., ka një domethënieje: ai u tha masave duke përdorur foltoren e parlamentit të tyre që kryetari i opozitës nuk është njeri, po kafshë.

Te ky lloj demaskimi kuptohet që vërtetohet Canetti: kemi të bëjmë me nxitjen e lukunisë kundër një kafshe. Deliri i kryeministrit në këtë rast dhe ilaçet që përdor për ta theksuar atë bëjnë pjesë në aktrimin e tij. Në të vërtetë, këto janë dy elementet thelbësore të paranojës: simulimi, shtirja se është mjaft i nervozuar që ka përballë një kafshë të tillë dhe vrasja “simbolike” e kundërshtarit që ngjet me një ekzekutim publik, gjithnjë “simbolik”.

Masat festuese. Shpikja e një feste

Për mekanizmin e tij të ndërsimit të masës kryeministrit i duhet dhe i është dashur gjithnjë një datë, po jo një datë dosido, atij i duhet dhe i është dashur gjithnjë një datë feste. Kjo ka të bëjë me ngazëllimin e masës, me thirrjen e njëkohshme të lukunisë për “vrasje”, po dhe për festë. Masat, që të ndërsehen, duan festë, edhe kur s’ka një të tillë përreth, ajo shpiket.

Që të mos zgjatemi. Kësaj radhe kryeministri shpiku festën e 8 Dhjetorit, në të vërtetë, një datë partie, përveç kësaj dhe një datë që s’ka të bëjë me të. Mirëpo atij s’i duhet një festë partie për masat, i duhet shumë më tepër se kaq, dhe atëherë ai shpiku 8 Dhjetorin, festën e shembjes së Murit të Berlinit! Gjithë kjo është një lidhje alogjike, po atij pikërisht kjo i duhet: vetë masa së cilës i drejtohet është alogjike.

Këtu vijmë te hiperbola. Masës i duhen hiperbola. Dhe kryeministri e gjeti një të tillë, gjeti madje një hiperbolë historike, shembjen e një muri. Kryeministrit s’i hyn aspak në punë që shembja e Murit të Berlinit është një festë kontinentale, është një datë tjetër, ka të bëjë me ngjarje të tjera dhe jo me 8 Dhjetorin etj., etj. Ai është në fushën politike të ndërsimit të masës dhe ai e di shumë mirë që masa nuk arsyeton, masës i duhen simbole, festa, hiperbola, legjenda. Te Muri i Berlinit ai gjeti dhe një element tjetër që përputhet me psikologjinë e masës: maninë e shkatërrimit, shembjen.

Qëllimi tjetër: Shpërbërja, kërcënimi i masës kundërshtare

Kryeministrin e nxori nga strofulla protesta e 20 nëntorit. Me foltore në dorë, përveç simulimit të vrasjes “simbolike” të Edi Ramës, kryeministri synon njëkohësisht kërcënimin dhe mundësisht shpërbërjen e masës kundërshtare.

Për këtë objektiv ai ka bërë një gabim, një gabim të madh, të cilin e kuptoi shpejt: ai doli në dritare me dy gishta. Sipas psikologjisë së masës, kundërvënia ndaj saj bën efektin e kundërt: e shton atë dhe pikërisht kësaj gjëje i trembet kryeministri më shumë, shtimit të masës kundërshtare. Ai u tërhoq menjëherë nga gjesti i tij, po kjo s’do të thotë se është tërhequr nga synimi i tij i kërcënimit dhe shpërbërjes së masës kundërshtare. Përkundrazi. Për këtë gjë, përveç masakrimit simbolik të Edi Ramës, që tërthorazi është dhe një kërcënim i masës së tij, kryeministri nuk do të reshtë së prodhuari skena dhe mikroskena deri më 8 dhjetor. P.sh., dje nxori nga rekuizita fustanin e Gramoz Ruçit, ia mbathi me fustan në Greqi! Nesër kushedi se ç’do të shpikë, gjithnjë për të telendisur pa iu dridhur qerpiku. Te të gjitha këto që thotë dhe te të tjerat që do të vijnë pas, do të ketë shpifje, thashetheme, shpikje të atypëratyshme. Por kjo s’e shqetëson dhe s’do ta shqetësojë aspak atë, mjaft të trembë masën kundërshtare, anasjelltas të nxisë të tijtë: (“e shihni, janë frikacakë, ia mbathin!”)

Në fillim kishte një lloj paqartësie, nxori Lul Bashën për të kërcënuar. Mirëpo e kuptoi shpejt se s’ka nxitës më të madh për shtimin e masës kundërshtare sesa një ministër i Brendshëm. Por tani e ka qartësuar pozicionin, tani ai ka marrë në mbrojtje institucionet. Mirëpo nuk i ka marrë në mbrojtje si ligj, si detyrim publik etj., etj. Kryeministri e di që këto gjëra bëjnë për tekstet shkollore dhe universitare. Ai i ka marrë institucionet në mbrojtje gjithnjë në funksion të nxitjes së masës së tij dhe shpërbërjes së kundërshtarëve. Nga foltoret ai po thotë dhe do të thotë deri në fund: “Preki, preki po deshe, preki po ta mbajti!”

Pra, po përdor dialogun tipik të rrugës. Por dhe kjo s’e shqetëson aspak: ai e di që masa është rrugë, rruga është gjuha e saj, gjuha që ajo kupton më mirë.

Lukunia ndarëse. Premisa e dështimit

Mitingu i 20 nëntorit ishte një ngjarje, ndoshta dhe një pikë kthese historike: shqiptarët, përkundër të gjitha pritshmërive, treguan që dinë të protestojnë për votën. Pavarësisht nga kasandrat e tij, pavarësisht nga lakenjtë e tezave të shqiptarëve pa histori, pa kulturë qytetare e bla… bla… bla… shqiptarët treguan që motivohen për protestë në mbrojtje të votës së tyre. Kjo, nga ana tjetër, tregon se Edi Rama dhe lidershipi socialist bashkë me të djathtët që i janë bashkuar asaj proteste dhe protestave të nesërme kanë përcaktuar një objektiv të thjeshtë që ka konsensusin e masave: hapjen e kutive. Përqendrimi te ky objektiv do ta shtojë masën e mbështetësve të tij.

Mitingu i 20 nëntorit është preludi i dështimit politik të Berishës, sepse mjeshtri i ndërsimit të lukunive (dhe kjo shpjegon dhe sepse Partia Demokratike vazhdon të mbesë një parti e çorganizuar në mënyrë të organizuar, s’ka lista, s’ka një anëtar, një votë etj., etj.), e ka prekur lukuninë e tij te thembra e saj e Akilit, te ndarja e presë.

Dy fjalë për këtë: Masat, dhe lukunitë që qëndrojnë poshtë tyre, shndërrohen nga një tip në një tip tjetër lukunie. P.sh., masa e mbyllur shndërrohet në masë të hapur, pastaj mund të shndërrohet në masë përmbysëse, pastaj në masë vajtuese (kujto se si e shndërroi Berisha masën vajtuese të vrasjes së Azem Hajdarit në masë përmbysëse), etj., etj. Por ka dhe një gjë tjetër: lukunia e gjuetisë, pas vrasjes së viktimës (p.sh., pas fitores në zgjedhje) shndërrohet në lukuni ndarëse. Ligji i pashkruar i lukunisë është që preja ndahet në mënyrë të barabartë. Pikërisht këtë ligj të shenjtëruar Berisha e ka prekur: ai e ka ndarë prenë, tortën, për familjen e tij të ngushtë biopolitike dhe ka përjashtuar masat që e sollën në pushtet. Ndarja e pabarabartë e presë, tortës moderne, shkakton njëkohësisht, ose vrasjen e kreut nga lukunia, ose shpërbërjen e saj, nënkupto, shpërbërjen e masës që e ka mbështetur.

Kjo shpjegon dhe pse antimitingjet e pritshme të tij do të jenë antimitingje nëpunësish; masat ai s’i ka më me vete. Kjo është dhe pika më e dobët e kryeministrit në lojën e tij me ndërsimin e masës. Mirëpo për këtë fakt masa duhet ushqyer çdo ditë, duhet ushqyer me fakte të shpërdorimit me pushtetin që nga tenderët deri te shembja e tunelit të kombit dhe milionat që fshihen pas saj.

Por, gjithsesi, kjo është vetëm një premisë, një premisë që duhet shndërruar në realitet politik. Problemi i berishizmit si stil politik i nxitjes së instinkteve primitive të masës nuk është vetëm një problem i Edi Ramës, i opozitës apo i partive të djathta, po problem i gjithë shoqërisë dhe i krejt mjedisit shqiptar këtu, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë, tek emigrantët e kudo. Berisha ka ditur të instalojë një regjim të manipulimit të instinkteve primitive të masës, një regjim që kamuflohet si demokratik, dhe ky regjim duhet shembur.

Hapja e kutive, në këtë rast, thembra e Akilit, duhet shndërruar nga një objektiv politik i opozitës me të djathtën që e përkrah atë, në një objektiv politik të të gjithëve. Është një objektiv politik i thjeshtë, një objektiv i përvetësueshëm nga masat (mitingu i 20 nëntorit), por që ka dhe do të ketë përballë antimitingjet e lukunisë berishiste.

Realizimi i këtij objektivi mund të bëhet gur themeli për demokracinë e re shqiptare dhe evropianizimin e krejt mjedisit shqiptar.