Shkëlzen Berisha, 490 milion lekë të ardhura, që s’dihet nga vijnë. Fiton sa shpërblimi i 25 mijë pensionistëve

0
34

TemA Online, 19 Dhjetor 2012

Deputeti i PS, Taulant Balla vazhdoi sot denoncimin e pasurisë së djalit të kryeministrit. Balla deklaroi se Shkëlzen Berisha sipas deklarimit të tij të pasurisë ka një aktivitet privat në fushën e pasurive të paluajtshme, prej të cilit vetëm në dy vite ka pasur një fitim prej 350 mijë euro, ose 490 milion lekë. Deputeti socialist duke bërë një krahasim me shpërblimin e fundvitit që qeveria ka premtuar t’u japë pensionistëve u shpreh: “Pak minuta më parë Kryeministri tha se do t’u japë pensionistëve çerek gjeli shpërblim, vetëm 20 mijë lekë. Ndërkohë që i biri i tij fiton sa shuma totale e shpërblimit të 25 mijë pensionistëve”.

Por, nga ana tjetër Balla ka akuzuar djalin e kryeministrit se në deklarimin e tij të pasurisë ka fshehur të dhëna të rëndësishme. Ai nuk ka deklaruar emërtimin e kompanisë nga ku janë siguruar të ardhurat, adresën e saj, numrin e regjistrit publik, statusin e kompanisë. Dhe më tej akoma pasuritë e Shkëlzen Berishës janë shtuar dukshëm në vitin 2009, por në deklaratën e tij nuk tregohet asnjë burim se nga kanë ardhur këto fitime. Deputeti socialist ka kërkuar që djali i kryeministrit të japë përgjigje në ILKPD për gjithë parregullsitë që ka në deklaratën e tij të pasurisë, si dhe të jetë më specifik në këto deklarata, për t’i treguar institucionit që kontrollon pasuritë e zyrtarëve se si mund të arrihet të fitohen 200 mijë euro në vit.

DEKLARATA

“Prej disa ditësh i kemi treguar publikut shqiptar për pasurimin e jashtëzakonshëm të bllokut blu dhe të neobllokmenëve të familjes biologjike dhe politike të Sali Berishës. Sot po vazhdojmë me një tjetër anëtar të kësaj familjeje, me të birin e Kryeministrit të vendit, Shkëlzen Berishën. Sot po zbardhim për publikun dy deklarata vjetore të pasurisë.

Djali i Kryeministrit nuk jepka mësim. Paska aktivitet tjetër. Shkëlzen Berisha deklaron se ka një aktivitet privat në fushën e pasurive të paluajtshme. Nëse shikojmë deklarimin e pasurive të dy viteve, vetëm nga ky aktivitet Shkëlzeni ka deklaruar se ka pasur fitim fiks 350 mijë Euro. Pra, Shkëlzen Berisha vetëm nga çfarë ka deklaruar paska fituar 490 milionë lekë në dy vite.

Pak minuta më parë Kryeministri tha se do t’u japë pensionistëve çerek gjeli shpërblim, vetëm 20 mijë lekë. Ndërkohë që i biri i tij fiton sa shuma totale e shpërblimit të 25 mijë pensionistëve. Por, deklarimi i tij i pasurisë përveç shumës me të cilën ka shtuar pasurinë, 490 milionë lekë, ka fshehur të dhëna të rëndësishme. Nuk ka deklaruar emërtimin e kompanisë nga ku janë siguruar të ardhurat, adresën e saj, numrin e regjistrit publik, statusin e kompanisë.

Duam të sqarojmë diçka tjetër në lidhje me pasurimin e birit të Kryeministrit, të cilit i përcilleshin edhe dokumentet shtetërore dhe raportojnë ministrat e babit, siç mund ta kujtojë opinioni publik. Vetëm në një vit të vetëm, 2009, Shkëlzen Berisha ka deklaruar rritje të depozitave dhe llogarive bankare me 310 mijë Euro (sepse ky punon me Euro) ndërsa të ardhurat e tij të deklaruara ishin më pak se 210 mijë Euro. Ja edhe një shkelje tjetër dhe dyshime, se nga ka ardhur kjo diferencë e “vogël” prej 100 mijë Eurosh??

Ne kemi dyshime, se populli e di nga i kanë ardhur këto të ardhura. Janë 140 milionë lekë të cilat nuk figurojnë të kenë hyrë në të ardhurat e djalit të Kryeministrit Berisha në vitin kur i ati vidhte zgjedhjet, por që i janë shtuar nëpër llogari të birit të Kryeministrit. Në vitin që Sali Berisha vidhte zgjedhjet, i biri i tij shton llogaritë dhe depozitat me 310 mijë Euro.

Djali i kryeministrit duhet të japë përgjigje në ILKPD për gjithë këto parregullsi dhe dyshime. Ndërkohë në të dyja këto deklarime, pra ato të vitit 2009 dhe 2010 i biri i kryeministrit flet për aktivitet me pasuri të paluajtshme. Djali i Kryeministrit në deklaratën e tij të pasurisë duhet të jetë më specifik në këto deklarata, duhet t’i tregojë institucionit që kontrollon pasuritë e zyrtarëve dhe të familjarëve të tyre se si mund të arrihet të fitohen 200 mijë Euro në vit? Çfarë ka bërë me pasuritë e paluajtshme, i ka shitur, blerë apo falur?

Si në rastin e të motrës së tij Argita Berisha, edhe i biri i Kryeministrit deklaron në vija të përgjithshme të ardhura marramendëse ndërsa nuk specifikon mënyrën në të cilën këto fitime mund të arrihen. Këto fakte flagrante bashkë me pasurimin e skajshëm të familjes biologjike dhe politike të Sali Berishës janë një shuplakë ndaj të gjithë shqiptarëve, të cilët po vuajnë në kurriz të tyre një krizë të thellë ekonomike dhe sociale. Kjo krizë e thellë po përkeqësohet si pasojë e makutërisë dhe papërgjegjshmërisë së neobllokmenëve milionerë të Sali Berishës”.