
Eduard Zaloshnja
Në dhomën e fshehtëSynimi kryesor i aksionit politik të opozitës gjatë 18 muajve të fundit duket se ka qenë bindja e partnerëve tanë ndërkombëtarë që Berisha i vodhi zgjedhjet dhe që zgjidhja më e mirë për Shqipërinë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare pa Berishën kryeministër. Pavarësisht se partnerët ndërkombëtarë mund ta pranojnë privatisht që opozita mund të ketë të drejtë në lidhje me vjedhjen e zgjedhjeve të kaluara (Berisha nuk pranoi të bënte transparencën e tyre sipas rezolutës së Parlamentit Europian), publikisht i mbeten qëndrimit të tyre fillestar se zgjedhjet ishin “përgjithësisht të lira e të ndershme” dhe se zgjedhjet e radhës – lokalet e 2011-s dhe parlamentaret e 2013-ës – duhet të jenë më të mira. Kjo, sepse ata shohin tek Berisha një kokëfortësi të rrezikshme për stabilitetin në Shqipëri e më gjerë, kur vihet në diskutim largimi i tij i parakohshëm nga pushteti. Pra, duket se ata mendojnse se aksioni i opozitës shqiptare mund të dëmtojë strategjinë e tyre afatgjatë për qetësimin gradual të Ballkanit.
Në këto kushte, ndërmjetësimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë synon qetësimin e situatës aktuale duke i mëshuar nevojës që ngjarjet e 21 janarit dhe aferat korruptive të pushtetarëve të lartë të hetohen dhe gjykohen nga drejtësia, ndërkohë që politika të fokusohet në zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit, për të cilat garantojnë se do të ndihmojnë fuqimisht që të jenë vërtetë të lira e të ndershme. Në kushtet kur nuk e kanë përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë për zgjedhje të parakohshme, dhe kur velave të tyre nuk u fryn një erë e fortë si ajo e revoltës së gjerë popullore të Vlorës së 1997-ës, udhëheqësit e opozitës mund të detyrohen të pranojnë formulën e ofruar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Pra, të pranojnë të futen në zgjedhjet e 8 majit me Berishën kryeministër, ndërkohë që drejtësia bën punën e vet me dosjen e 21 janarit dhe me akuzat për korrupsion.
Por aksioni politik i opozitës, pavarësisht se ka shënjestruar kryesisht partneret tanë ndërkombëtarë, ka patur pa dyshim efekt edhe te elektorati shqiptar. Në Shqipëri nuk zhvillohen sondazhe periodike opinioni (siç ndodh në shumicën dërrmuese të vendeve demokratike), por po të zhvilloheshin, mendja ta do se do të rezultonte që një shumicë e ndjeshme e elektoratit është bindur tashmë se Berisha i ka vjedhur zgjedhjet e 2009-ës. Por a mund të konsiderohet kjo një fitore politike e opozitës? Një betejë politike mund të quhet e fituar nga njëra palë vetëm kur ka si rezultante një ndryshim të raporteve elektorale në favor të saj. Dhe një aksiomë e gjithëpranuar rreth garës politike në demokraci na tregon se votuesit e lëkundur janë faktori kryesor për ndryshimin e raporteve elektorale në një vend.
Por a funksionon kjo aksiomë edhe në Shqipëri? Ose ndryshe mund të pyetet nëse segmenti i elektoratit të lëkundur është aq i madh sa të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të rradhës. Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetje, le të analizojmë përbërjen e këtij segmenti. Elektorati i lëkundur përbëhet nga dy nën-grupe. Në nën-grupin e parë përfshihen votuesit që e ndërrojnë krahun e votimit nga njëra zgjedhje në tjetrën – pra, janë votues të ndryshueshëm. Ndërsa nën-grupi i dytë përbëhet nga votuesit që anojnë nga njëri krah, por që herë marrin pjesë në zgjedhje e herë jo – pra, janë votues të vakët.
Nga një studim statistikor që kreva para zgjedhjeve të 2009-ës, më rezultoi se 38% ishin votues të vendosur për njërin apo tjetrin krah; 29% e votuesve të mundshëm ishin në emigracion në atë kohë; 21% e votuesve nuk merrnin pjesë në zgjedhje; 8% e votuesve herë kishin marrë pjesë në zgjedhje e herë jo – pra, ishin votues të vakët; dhe 4% ishin votues që e kishin ndërruar krahun e votimit – pra, ishin votues të ndryshueshëm.
Ekzistenca e votuesve të lëkundur del në pah edhe nga krahasimi i zgjedhjeve të vitit 2005 në zonën 31 të Tiranës dhe zgjedhjeve të pjesshme në po të njëjtën zonë në shtator 2007. Kështu, mbi 18600 votues të zonës 31 votuan në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, por vetëm 12850 shkuan në kutitë e votimit në shtator 2007.
Gjithashtu, në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në 2007-ën, morën pjesë rreth 73 mijë votues më pak se në vitin 2009. Dhe ky ndryshim nuk mund të shpjegohet me rritjen e popullsisë; sipas INSTAT-it, numri i votuesve që jetojnë brenda kufijve të kryeqytetit, është rritur vetëm me 5% në vit në 5-vjeçarin e fundit. Ky ndryshim nuk mund të shpiegohet as me manipulime të mundshme elektorale. Ndryshimi dramatik I votave – i cili ishte pothuaj i barabartë për të dy krahët – mund të shpjegohet kryesisht me faktin se secila palë ka nga një segment të konsiderueshëm votuesish të vakët, të cilët marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, por jo në ato lokale.
Duke u kthyer tek mesazhi i PS-së rreth vjedhjes së votave nga Berisha, le të supozojmë se ai ka ngjitur tek të gjithë votuesit e lëkundur në Shqipëri – bazuar në shifrat e mësipërme, bëhet fjalë për rreth 360,000 votues të tillë. Pas këtij supozimi, pyetja shtrohet nëse bindja që Berisha i ka vjedhur zgjedhjet e 2009-ës do t’i motivonte ata të shkonin të votonin për PS-në në 8 maj. Votuesit e vakët të PD-së dhe aleatëve të saj, pavarsisht se mund të jenë të bindur se PS-ja ka të drejtë rreth vjedhjes së zgjedhjeve të shkuara, nuk ta do mendja se mund të ndikohen shumë nga çfarë ka bërë apo mund të bëjë Berisha me votat e kundërshtarit – vota e tyre mund të ndikohet shumë më tepër nga çka bërë apo mund të bëjë Berisha për ta dhe familjet e tyre.
Nga ana tjetër, votuesit e ndryshueshëm, si dhe votuesit e vakët të majtë, mund të ndikohen nga çfarë ka bërë apo mund të bëjë Berisha me votat e kundërshtarit – por jo në drejtimin që dëshirojnë udhëheqësit e opozitës. Përderisa këta votues i ka bindur PS-ja që, pavarësisht se mund t’ia japin votat asaj apo aleatëve të vet, Berisha i vjedh ato, pak arsye kanë për të marrë mundimin të shkojnë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve. Ndryshe do të kishte qenë puna në qoftë se një numër i konsiderueshëm komisionerësh të zgjedhjeve të 2009-ës do të kishin përfunduar prapa dyerve të burgut…
Kjo nuk është një situatë e re për opozitën – në një situatë të ngjashme ajo u ndodh edhe para zgjedhjeve të 2009-ës, kur eksponentët e saj kryesorë ngjallën për disa muaj rresht dyshime të besueshme se qeveria po përgatiste manipulime masive të zgjedhjeve nëpërmjet listave të votuesve dhe kartave të identitetit. Por muajin e fundit para zgjedhjeve, duke e kuptuar grackën elektorale ku po e futnin veten, ata filluan të jepnin garanci publike se nuk do të lejonin që votat të vidheshin. Se sa e suksesshme ishte ajo manovër e muajit të fundit, nuk u mat dot nga sondazhet që u zhvilluan para zgjedhjeve. Por fakti që e gjithë e majta së bashku mori rreth 100 mijë vota më shumë se në 2007-ën tregon se një farë suksesi u arrit.
A mund të jetë e susksesshme një manovër e ngjashme para zgjedhjeve të 2011-ës? Në qytete ndoshta po. Në dy zgjedhjet e fundit, kontestimet për votat urbane kanë qenë pothuaj të papërfillshme. Për këtë arsye, si dhe për faktin se partnerët tanë do të ndihmojnë fuqishëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme, votuesit e lëkundur në qytete mund të mos kenë frikë se votat e tyre do të vidhen. Pjesëmarrja dhe krahu i votimit të tyre mund të përcaktohen kryesisht nga sa do të jenë të aftë kandidatët e secilës palë t’ua fitojnë votën.
Ndryshe qëndron puna në zonat rurale, ku dhe kanë qenë të përqendruara kontestimet në dy zgjedhjet e fundit. Atje votuesit e ndryshueshëm, si dhe votuesit e vakët të majtë – gjithsej rreth 80 mijë – mund të mos binden se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, pavarësisht garancive të opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë për moscënimin e votës së tyre. Për rrjedhojë, shumë syresh mund të mos e marrin mundimin të shkojnë në votim, duke përcaktuar kështu humbjen e opozitës në ato komuna ku pesha elektorale e secilës palë është pothuaj e barabartë.
Në tablonë e madhe të gjërave, opozita mund të dalë më e fituar politikisht në qoftë se përsërit fitoren e bashkive në shumicën dërrmuese të qyteteve, pavarsisht humbjes në disa komuna për shkak të efektit të sipëranalizuar. Një fitore e tillë, e pasuar edhe nga ndonjë dënim i mundshëm i pushtetarëve të lartë për çështjet që po hetohen, mund t’i hapë asaj rrugën për një fitore në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës…







