Kufiri i të paprekshmëve

0
44

Nga Mero Baze, 16 Dhjetor 2011

Anila Basha, drejtoresha e gazetës Shqiptarja, ka botuar një letër të firmosur nga Agron Kuliçi, që i sugjeron Gjykatës së Krimeve të Rënda që procesi ndaj Dritan Dajtit të jetë i izoluar, larg medies dhe larg familjeve të viktimave. Kuliçi është formalisht Nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë, por siç thotë drejtori në detyrë në një raport pranë ambasadës së SHBA në Tiranë, ai është realisht “kryeministri” i policisë shqiptare. Pas botimit të këtij dokumenti, i cili thotë dhe nënkupton më shumë se sa lexohet në të, shteti është vënë në alarm.

Policia në një sqarim, por që s’është përgënjeshtrim, thotë se nuk e ka urdhëruar gjykatën që proceset të bëhen me dyer të mbyllura kundër Dritan Dajtit. Sipas tyre, shkresa e firmosur nga Agron Kuliçi thjesht i ka kërkuar këtë gjë gjykatës. Pas policisë del Gjykata e Krimeve të Rënda dhe thotë këtë nuk na e ka kërkuar Policia, sepse nuk na e kërkon dot policia, por na e ka kërkuar prokuroria. Pas gjykatës dalin burimet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe thonë: Ne nuk ia kërkojmë gjykatës një gjë të tillë…

Anila ndoshta është turbulluar nga gjithë kjo akrobaci institucionesh për të mos mbajtur në dorë pataten e nxehtë që u ka lënë Agron Kuliçi, të cilat më shumë se sa nga ajo që ka ndodhur, duket se tremben nga fakti se po shqetësohet “kryeministri”.

Në këtë histori ka një të vërtetë, fakti që gjyqi ndaj Dritan Dajtit është bërë ashtu siç ka sugjeruar Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë. Pas kësaj të gjitha shfajësimet rëndojnë institucionet në fjalë, të cilat paskan zbatuar një si punë urdhri që nuk është urdhër vetëm për shkak të rëndësisë së personit që e ka sugjeruar. Kjo tregon më shumë se sa një kapje të drejtësisë nga pushteti.

Nëse policia do të kishte kompetencë të urdhëronte gjykatën për seanca të mbyllura, kjo do të ishte më pak rënduese për policinë dhe gjykatën, edhe pse firmosej nga një njeri, i cili ka një histori të pasqaruar me këtë të dënuar. Problemi më i madh këtu qëndron në faktin që siç përpiqen të shfajësohen vetë këto institucione, policia nuk paska fare të drejtë të sugjerojë gjëra të tilla dhe jo vetëm që ka sugjeruar, por i ka shkuar fjala. Kjo është një situatë turpëruese për drejtësinë.

Kjo situatë tregon se Gjykata e Krimeve të Rënda, Prokuroria dhe vetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, duan të mos kenë probleme me personin që u ka sugjeruar seancën e mbyllur. Ata ndjehen të frikësuar nga shembulli që Sali Berisha dha se si i mbron njerëzit e përfshirë në afera korrupsioni apo kapje të shtetit pas publikimit të kabllogrameve të Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Ato shfaqën faktin e shumëditur nga shqiptarët se i biri i tij qëndronte pas biznesit të demontimit në Gërdec, ku mbeti i vrarë dhe baxhanaku i Kryeministrit. Dëshmia ishte dhënë nga ish- Shefi i Shtabit të Ushtrisë në Ambasadë Amerikane, i cili mes të tjerash kish deklaruar se ishte kërcënuar në telefon nga i biri i tij. Sali Berisha heshti tri ditë e tri net, derisa arriti të marr një deklaratë me e-mail pa adresë në emër të gjeneralit që e linte evazive dëshminë e vet të dhënë në ambasadë dhe doli në TV Klan për të mbrojtur të birin.

E njëjta gjë ndodhi dhe me Agron Kuliçin. Kabllogramet raportonin se ai mbante lidhje me Dritan Dajtin dhe më keq akoma, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë citohej nga ambasadori të kish raportuar pushtetin e frikshëm që Kuliçi ka në polici për shkak të lidhjeve direkt me kryeministrin. Pas kësaj dikush duhet të largohej nga policia. Por nuk ndodhi asgjë. Drejtori i Përgjithshëm u detyrua të thotë ca fjalë si nëpër dhëmbë dhe të qëndrojë në detyrë praktikisht duke bërë që i akuzuari si i plotpushtetshëm të ketë pas kësaj dhe më shumë pushtet.

Kjo situatë, ky reagim i Berishës në mbrojtje të tij dhe gjithë të akuzuarve për korrupsion, është modeli që kanë para syve Gjykata e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit apo Prokuroria ndaj dhe reagojnë në këtë mënyrë qesharake ndaj gazetës Shqiptarja, vetëm që askush nga ata të mos akuzohet se i ka prishur punë Kuliçit. Askush në të vërtetë nuk akuzoi ata. Gazeta e kishte me Nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Dhe boton një dokument që nuk përgënjeshtrohet. Përpjekja për të mbajtur distancë nga kjo histori, duke ia lënë njëri- tjetrit përgjegjësinë se pse ka ndodhur ashtu, tregon realisht frikën që ngjall një histori e pandëshkuar korrupsioni nga pushteti.

Askush nuk po thotë që Gjykata ka bërë gabim që ka bërë seancë me dyer të mbyllura, as do ta kishim lavdëruar po të bëhej seancë me dyer të hapura. Lajmi ishte se dëshira e Agron Kuliçit ishte të bëhej me dyer të mbyllura dhe kjo dëshirë i është plotësuar. Shqiptarja thotë se kjo kërkesë e Kuliçit i është plotësuar zyrtarisht, kurse gjykata thotë se ia ka pranuar jozyrtarisht. Aq më keq për gjykatën, e cila me këtë rast provon se e di ç’duhet të bëjë për të plotësuar një dëshirë jozyrtare të pushtetit. Ajo na tregon të gjithëve se deri ku e ka fuqinë të gjykojë. Deri tek ish- roja i Berishës.