“Argita dhe i shoqi fitojnë në total 600 milion lek në vit” (dhe ta mendosh se është pjesa e deklaruar)

0
55

TemA Online, 18 Dhjetor 2012

Partia Socialiste ka vijuar sërish sot të bëjë transparencën e të ardhurave të çiftit Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi.

Deputeti Taulant Balla deklaroi se vajza e kryeministrit me bashkëshortin përfitojnë nga mësimdhënia 313 milionë lekë, por sipas tij, pasuria e tyre arrin 600 milionë lekë në një vit.

“Përveç këtyre 313 milionë lekë të ardhura për një vit, pasuria e familjes kryeministrore është shtuar edhe me përfitimin e një apartamenti, një dyqani, një garazhi, nga trashëgimia e gjyshes dhe e motrës së gjyshes. Pra, në një llogari shumë të thjeshtë ekonomike, çifti kryeministror Argita Berisha – Jamarbër Mallatezi e çon pasurimin për një vit të vetëm afro 600 milionë lekë në vit. Kërkojmë sqarime nga ILDKP për këto kontrata trashëgimie nga gjyshja dhe motra e gjyshes,” tha Balla.

Deputeti Balla duke iu referuar deklarimeve të pasurive të çiftit Berisha-Malltezi kërkoi për hir të transparencës të mësohet nëse ata i kanë paguar tatimet. Përgjigjen e kësaj pyetje Balla ia kërkoi publikisht Drejtorisë së Tatimeve.

“Jamarbër Malltezi merr 7 milionë lekë në vit nga mësimdhënia apo njësoj sikur te kishte një rrogë mujore 580,000 lek. Me taksen e sheshtë paguan 10 % ose 58,000 lek tatim mbi të ardhurat. Nëse do të ishte në fuqi taksa progresive si në 2007, do të duhet të paguante 98,940 lekë tatim në muaj që i përket një shkalle tatimore 17 %.

40,940 lekë më pak taksa që shkojnë në buxhet kompensohen nga rritja e taksave për 16 mësues. Argita Berisha merr 12 milionë lekë në muaj vetëm nga mësimdhënia. Me taksën e sheshtë ajo paguan 10%, nga 18.6% që do të paguante me taksën progresive,” tha Balla.