SHQIPËRIA MES DEMOKRACISË DHE DESPOTIZMIT

0
65

Andrea Stefani

Rreth 20 vjet pas përmbysjes se republikës diktatoriale, në Shqipëri po instalohet një republikë despotike. Shenjat janë shumë të qarta, ndonëse disa diplomatë perëndimorë, pavarësisht fakteve, vazhdojnë të nanurisin ëndrrën e Shqipërisë europiane. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe politikanë shqiptarë, sikundër Kryeministri Sali Berisha, ndërsa ngulin edhe më thellë lopatën në dheun e Atdheut, duke mihur varrin e demokracisë.

Por, thamë se shenjat e Shqipërisë despotike janë tashmë gjithnjë e më të qarta. Dhe, një nga më të fundit është refuzimi nga policia (e cila ka degraduar nga e shtetit në polici të qeverisë), për të ekzekutuar urdhër-ndalimet e lëshuara nga prokuroria për disa gardistë lidhur me hetimet e 21 janarit. Policia ka shkelur hapur ligjin dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Ka guxuar ta bëjë një gjë të tillë e frymëzuar nga Kryeministri Berisha, që e akuzon prokurorinë si të njëanshme dhe Kryeprokuroren si organizatore të një puçi fantazmagorik. Kaq mjafton për të kuptuar se Shqipëria demokratike po i lë vendin një Shqipërie gjithnjë e më despotike.

* * *

“Ndodhte shpesh në monarkitë e dikurshme, që gjykata e pavarur vendoste të burgosej zyrtari publik që kishte bërë faj. Ngandonjëherë pushteti mbretëror, pasi ndërhynte, e shfuqizonte procedurën. Despotizmi atëherë dilte sheshit, ndërsa duke u nënshtruar, njerëzit i bindeshin vetëm fuqisë”. Kështu shkruan Aleksis dë Tukëvil, në librin e tij të famshëm: “Demokracia në Amerikë”. A nuk po ndodh e njëjta gjë edhe në Shqipëri, por tashmë thuajse në zemër të Europës dhe në mileniumin e ri të lirisë dhe demokracisë? Një organ i pavarur nga qeveria, që e ka me ligj dhe Kushtetutë të drejtën për të hetuar një krim, kërkon të ndalohen 6 gardistë.

Por, kjo nuk i leverdis politikisht Kryeministrit, që duhet të luajë rolin e protektorit për gardistët, edhe pse kjo është të dalësh mbi ligjin. Kryeministri ndërhyn dhe me lloj-lloj sofizmash banalë, kërkon të bindë publikun se ekzekutimi i urdhër-ndalimeve të prokurorisë, sikundër e kërkon edhe ligji, është në dëm të shtetit. Pra, sipas Berishës, është në dobi të shtetit ligjor të mos zbatohet ligji dhe në vend të tij të zbatohet, sikundër mjerisht edhe po ndodh, vullneti i Kryeministrit. E gjithë kjo nuk është as më shumë dhe as më pak, por despotizëm. Vetëm Berisha dhe mbështetësit e tij le të hapin fjalorët dhe të shohin se despotizmi është ajo formë qeverisjeje ku një entitet i vetëm sundon me pushtet absolut mbiligjor.

Ky entitet apo institucion mund të jetë një individ. Në këtë rast kemi autokraci. Por, mund të jetë edhe një grup. Në këtë rast kemi oligarki. Cili despotizëm i përket rastit shqiptar, ai autokratiku apo oligarkiku? Ne mendojmë se despotizmi shqiptar, duke pasur parasysh pushtetin absolut të Berishës në qeveri, shumicën parlamentare si dhe PD, është i llojit autokratik. Oborrtarët rreth Berishës janë shumë servilë dhe të nënshtruar ndaj tij për t’u konsideruar palë të një oligarkie. Janë vetëm manekinë që shërbejnë për të maskuar me “kolegjialitet”, “demokraci” dhe “institucionalizëm”, despotizmin autokratik të Sali Berishës.

* * *

Deri tani është bërë siç ka dashur Berisha. Shteti i shqiptarëve dhe ata vetë i janë bindur fuqisë dhe jo të drejtës, pushtetit dhe jo Kushtetutës, që është shpirti i shtetit. Ligji është shkelur ditën për diell. Prokuroria po pengohet në hetimet e masakrës së 21 janarit nga qeveria. Policia nuk po bashkëpunon me prokurorinë, duke i shërbyer pushtetit (fuqisë) dhe jo shtetit, publikut dhe të drejtës.

Nëse gjërat vazhdojnë kështu, nëse Berisha arrin të obstruktojë hetimet e masakrës së 21 janarit, sikundër bëri me masakrën e Gërdecit apo me jo pak skandale të tjera korrupsioni, ky do të ishte triumfi përfundimtar i despotizmit mbi liberalizmin, i padrejtësisë mbi drejtësinë, i krimit mbi pafajësinë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, tërë bateritë e opozitës, medias dhe shoqërisë civile të pakapur nga pushteti, duhet t’i japin mbështetje të fuqishme prokurorisë në sinkron edhe me mbështetjen e dhënë për këtë institucion edhe nga SHBA dhe BE. Dhe, jo vetëm për masakrën e 21 janarit, por edhe për video-skandalin ‘Meta’, që edhe pse u bë shkak i demonstratës së përgjakur, ka mbetur sot disi i mjegulluar në prapaskenë. Dhe, ky është në fakt edhe qëllimi i Berishës. Të bëjë të harrohen skandalet korruptive të qeverisë së tij. Berisha e sulmon prokurorinë jo vetëm që ta pengojë të nxjerrë të vërtetën mbi 4 vrasjet e demonstruesve.

Ai lakmon më shumë. Lakmon ta nxjerrë jashtë loje prokurorinë dhe titullarin e saj, Ina Rama. Lakmon të obstruktojë hetimin e skandaleve korruptive aq kërcënuese për pushtetin e tij. E sulmon prokurorinë, sepse e ndjen tehun e shpatës antikorrupsion që i rri mbi kokë. Sokëllin kundër prokurorisë, akuzon për njëanshmëri të hetimeve, për pjesëmarrje në një grusht shteti që ekziston vetëm në kokën e tij me qëllim që ta nxjerrë prokurorinë jashtë loje. Qoftë edhe moralisht. Kërkon të fitojë kohë. I ka mbetur edhe rreth 1 vit e gjysmë deri sa të vijë çasti kur mbaron mandati i Kryeprokurores. Sepse pas ndryshimeve që ju bënë Kushtetutës në vitin 2008, Kryeprokurori nuk ka më mandat të pakufizuar, por vetëm 5- vjeçar.

Me të ardhur ai moment, Berisha e di vetë se kë do të bëjë të zgjidhet në krye të organit të akuzës. Nuk do gabojë më si me Ina Ramën, që e mburri “Silvia Konti”, por që për dreq, po i del vërtetë e tillë. Në treg ka jo pak juristë të gatshëm t’i shërbejnë pushtetit dhe jo drejtësisë. Dhe, mendoni për një moment se ç’mund të ndodhë pastaj. Mjafton të supozoni se në 21 janar në krye të prokurorisë do të kishte qenë një delfin i Berishës. S’ka asnjë dyshim se prokuroria do kishte vërtetuar që demonstruesit ishin vrarë nga afër me pistoleta me silenciator apo me thika me helm, sikundër deklaruan fillimisht Berisha, Olldashi dhe Imami në publik.

Më tej, prokuroria do kishte “zbuluar” se edhe vetura që u përplas te porta e Kryeministrisë ishte plot me dinamit, tamam ashtu sikundër tha Olldashi. Prokuroria do kishte zbuluar shumë shpejt provat e grushtit të shtetit (këtë herë pa Kryeprokurorin pjesëtar të puçit) dhe krerët e opozitës do përfundonin në burg, të akuzuar për tradhti të lartë. Më pas Berisha nuk do ta kishte shumë vështirë të lante hesapet me pjesën e mbetur të opozitës. Despotizmi autokratik do arrinte përkryerjen e tij. Mu në dyert e Europës. Dhe, mos mendoni se është një skenar që ka marrë fund. Por, mund të marrë fund nëse prokuroria do i qëndrojë misionit të saj, nëse opozita dhe krejt shteti, duke pasur si armë të drejtën, do i qëndrojnë fort një pushteti të padrejtë që kërkon të gllabërojë shtetin.