‘Djali ishte imi, por drejtësia do ju duhet një ditë të gjithëve’

0
109

Shekulli Online, 08.02.2011

Shekulli: Zoti Durdaj si e komentoni vendimin e Gjykatës së Tiranës për të liruar që prej ditës së djeshme të pandehurit e çështjes Gërdeci, Delijorgji, Pinari e Ngjeci, ndërkohë që disa ditë më parë është liruar prej paraburgimit edhe i pandehuri tjetër, Minxolli.

Feruzan Durdaj: Kjo çështje është shtyrë deri në këtë pikë me qëllim. Drejtësia në këtë rast ka vepruar shumë ngadalë, ka zvarritur proceset, ka lejuar avokatët e fajtorëve të tallen me ne dhe me drejtësinë, duke shtyrë seancë pas seance me justifikime idiote, e ka ndarë çështjen në 10 gjyqe pikërisht për të krijuar konfuzion. Për mua kjo është një strategji e tyre për t’i shpëtuar përgjegjësisë mbi atë tragjedi që mori jetët e të afërmve tanë më të shtrenjtë. Lirimi i këtyre njerëzve, që për ne do të duhet të mbanin përgjegjësi, ne na lëndon të gjithëve.

Gjykata është shprehur se lirimi i të pandehurve nuk e komprometon çështjen dhe gjyqi do të vazhdojë përtej ndërhyrjeve politike…

Këtë unë nuk e besoj. Gjykatat nuk kanë mundur t’i shpëtojnë ndërhyrjeve të politikës, madje nuk kanë arritur të bëjnë as menaxhimin minimal të kohës. Vetë të pandehurit, për shembull Dritan Minxolli, janë shprehur nga brenda burgut se do të flasin vetëm kur të vijë koha, sepse atje ndihen të kërcënuar. Unë një gjë di të them, këta të pandehur janë edhe më të kërcënuar jashtë burgut. Unë nuk jam jurist, por me grupin e avokatëve që mbron interesat tona ne e kemi çuar çështjen deri në Strasburg, pikërisht se nuk kemi gjetur zgjidhje në Shqipëri, madje jemi keqtrajtuar nga instancat e gjyqësorit tonë.

Çështja jonë është pranuar atje, po nga ana tjetër, një pjesë e proceseve vazhdojnë të jenë peng i sistemit tonë gjyqësor, që bie pre e ndërhyrjeve të parave e të pushtetit. Efraim Diveroli në SHBA e mori dënimin, ndërsa këtu te ne ende s’ka fajtor për 26 veta që humbën jetën, për një skandal të provuar e të dokumentuar trafiku armësh. Kjo tregon mirë se çfarë drejtësie kemi në Shqipëri.

Deklarata nga partitë politike thonë se çështja është keqpërdorur dhe është penguar nga pala tjetër. Ju a mendoni se ndonjëra prej palëve ka ndërhyrë në çështje?

Unë di të them që ne i kemi bërë kërkesë politikës për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, dhe kjo nuk ka ndodhur. Kemi bërë kërkesë për dëmshpërblim familjeve të viktimave, dëmshpërblim për jetën e humbur, dhe kjo nuk ka ndodhur. Kemi bërë kërkesë për t’u bërë palë në gjyq, dhe këtë shpesh na e kanë mohuar. Qartësisht as politika, as drejtësia nuk ka qenë në anën tonë. Për këtë arsye tashmë shpresojmë te drejtësia ndërkombëtare.

A e shihni të humbur luftën në instancat e drejtësisë shqiptare?

Ne nuk kemi më çfarë të humbasim, atë që kishim për të humbur e humbëm. Mua nuk ma kthen dot njeri djalin e vogël që humba prej shpërthimit. Tani lufta nuk është më vetëm e jona, lufta është që të ketë drejtësi, e kjo drejtësi i nevojitet të gjithëve. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se nëse nuk ka drejtësi sot për ne, nëse nuk dënohen vrasësit e fëmijëve tanë, nesër nuk ka për të patur drejtësi për shumë të tjerë. Gjithsesi ne kemi për ta vazhduar luftën tonë me çdo mjet, në instancat e drejtësisë dhe jashtë tyre.

Çfarë nënkuptoni kur thoni se do ta vazhdoni luftën edhe jashtë institucioneve të drejtësisë?

Nënkuptoj këtë që po ndodh. Nëse “procesi” i tyre zhvillohet në tavolina pushtetarësh, dhe nëse ata lirohen e shëtisin rrugëve, çfarë duhet të bëj unë, apo të tjerët që humbën familjarët në atë skandal? Ne po na shtyjnë drejt dëshpërimit, sepse ajo e atjeshmja ndodhi në mes të ditës, gjithë bota e ka marrë vesh kush ishte përfshirë e kush bënte para nga Gërdeci. Ata persona duhet të mbajnë përgjegjësi se s’bën. Nuk mund të bëhet ujë gjaku i 28 personave. Ne nuk do lejojmë që kjo çështje të mbetet pa përgjegjës e pa fajtorë, siç kanë mbetur shumë çështje të tjera. Unë i bëj thirrje edhe qytetarëve shqiptarë që të na mbështesin…

26 viktimat e shpërthimeve në Gërdec, mes tyre 10 gra e dy fëmijë

• Zelfi Sali Ahmeti, lindur më 28.06.1956
• Shqipe Dilaver Alhasa, lindur më 13.08.1983
• Roland Gëzim Alla, lindur më 18.06.1987
• Arben Selajdin Ase, lindur më 10.02.1967
• Jetmir Sali Ballazhi, lindur më 29.02.1988
• Hysen Abaz Cani, lindur më 10.05.1957
• Bukurije Bektash Cani, lindur më 30.08.1960
• Shefki Ahmet Cani, lindur më 05.04.1962
• Besim Fadil Çanga, lindur më 12.12.1957
• Qemal Can Deliu, lindur më 28.01.1961
• Korre Ali Deliu, lindur më 18.07.1960
• Jetmir Qemal Deliu, lindur më 13.11.1986
• Liljana Ramiz Deliu, lindur më 16.08.1983
• Flavio Uran Deliu, lindur më 03.08.2004
• Erison Feruzan Durdaj, lindur më 27.11.2000
• Rajmonda Medi Durdaj, lindur më 08.09.1974
• Endri Mustafa Dvorani, lindur më 25.01.1962
• Azem Kadri Hamolli, lindur më 20.08.1964
• Hamet Laze Hazizaj, lindur më 21.06.1944
• Muhamet Ramiz Hoxha, lindur më 11.06.1951
• Zelie Shyqyri Kaca, lindur më 2.07.1979
• Reshit Haxhi Kruja, lindur më 28.11.1961
• Nafije Selman Laçi, lindur më 20.05.1971
• Zelije Bajram Leti, (Prini) lindur më 02.11.1988
• Ilirjan Ndue Malçi, lindur më 15.09.1963
• Resmije Kujtim Osmani, (Kranja) lindur më 23.08.1988