Kosova, 15 Dhjetor 2012
KOSOVE – Në një takim me qytetarët e Gjilanit, kreu i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti ka thënë se ajo që po ndodh aktualisht me negociatat me Serbinë është një lloj pazari të cilin politikanët tanë po e zhvillojnë për të përmbushur interesat e shtetit armik të Kosovës, Serbisë.
“Ne këtu jemi të flasim për negociata që po e vënë në pazar Kosovën, sepse kemi pazarxhinj që e udhëheqin Kosovën, e të cilët edhe do ta shesin të tërën deri në fund të udhëheqjes”, u shpreh Kurti.
Duke folur në takimin e “Vetëvendosjes” me temë “Ndalja e negociatave të cilat po na ndalin zhvillimin shtetëror, shoqëror dhe ekonomik”, Kurti u shpreh se me dialogun teknik, fillimisht të udhëhequr nga Edita Tahiri, Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, ndërsa me dialogun politik që po e udhëheq Thaçi, ajo do ta fitojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
“Përderisa është hera e parë që Serbia varet nga Kosova për anëtarësim në BE, qeveria jonë në vend se ta kushtëzojë Serbinë, po i vihet në shërbim interesave të saj, duke ia plotësuar kështu kriteret për integrim euroatlantik”, ka thënë Kurti.
Duke folur për veriun e Kosovës Kurti tha se Lëvizja “Vetëvendosje” beson se mund të integrohet veriu dhe të bashkohet Mitrovica, por për këtë duhet vullnet dhe program, që këta qeveritarë nuk e kanë.
Kreu i lëvizjes “Vetëvendosje” prezantoi 13 pikat për integrimin e veriut, pika këto që janë prezantuar për herë ta parë në vitin 2008, duke thënë që zbatimi i këtyre pikave është e vetmja atelnativë e cila do ta shpëtonte nga ndarja këtë pjesë të vendit.
“Janë dy momente të cilat e sjellin Kosovën nga pozicioni defensivë në ofensivë, njëra është ndalja e bisedimeve dhe tjetra është bllokimi i produkteve të Serbisë. Nëse i aplikojmë këto dyja mund ta zbatojmë edhe planin 13 pikësh për integrimin e veriut”, është shprehur Kurti.