Shinasi Rama, 2 dhjetor 2009
Një shkencëtar rus, Pavllovi, është shumë i njohur, për arsye sepse ai ka provuar se qeniet mund të zhvillojnë reflekse të kushtëzuara apo te jokushtëzuara. Megjithatë, një shkencëtar rus më i vonshëm, shumë më pak i njohur, përveçse në rrethet akademike, Beljajevi, ka arritur të sprovojë se është plotësisht e mundshme që, brenda disa gjeneratave të ndërrohet predispozicioni gjenetik i një specie të veçantë. Me një fjalë, Beljajevi ia arriti të ndryshojë natyrën e specieve në nivelin gjenetik. Lloji/specia që ai zgjodhi ishte shumë e veçantë: dhelpra siberiane. E njohur si një nga kafshët më të egra e më të pazbutshme, dhelpra siberiane dukej si lloji me i papërshtatshëm për këtë eksperiment. Megjithatë, duke i veçuar dhe duke i ndërzyer dhelprat, që dukeshin më të buta njëra me tjetrën, në 18 brezni, Beljajevi ia arriti të krijonte një lloj të ri krejtësisht të zbutur, i cili nuk paraqiste kurrfarë rreziku më për njeriun.
Të njëjtën gjë bëri edhe me dhelprat, që dukeshin më të egra. Duke ndjekur të njëjtin proces, ai krijoi një lloj dhelpre e cila ishte shumë më e egër se dhelpra siberiane në natyrë. Përfundimi ishte se ajo që kishte rëndësi nuk ishte kultivimi i refleksit të një individi të veçantë, por zhvillimi i predispozicionit gjenetik të llojit. Dhe është provuar se njerëzit kanë arritur të ndryshojnë predispocionin gjenetik të bimëve e të kafshëve, nga lakra te macja. Në nivelin e shoqërive njerëzore, kjo teori përkthehet në këtë mënyrë: po të mbahen të izoluar për një kohë të mjaftueshme e të detyrohen që të përzgjidhen në baze të disa kritereve rigorozisht të caktuara, njerëzit si individë, fisi, tribuja e kombi si grupe ndërrojnë gjenetikisht dhe zhvillojnë karakteristika të përbashkëta, thelbësisht të dallueshme nga ato që kishin në pikën fillestare.
Kultura e mënyra e sjelljes së grupit ndërron, dhe vlerat dhe sistemi i besimit te tij nderojnë po ashtu. Mbi të gjitha, genet e tyre bartin informacionin e nevojshëm dhe e transmetojnë atë nga brezi në brez, duke e transformuar edhe grupin në tërësi. Kurdoherë që ato përballen me kushte të caktuara, ato sillen në atë mënyrë që ua dikton predispozicioni gjenetik i tyre. Kjo teori duhet marrë me rezerva të mëdha, sepse, përveç natyre, asnjë forcë nuk e ka konsistencën, jetëgjatësinë dhe intensitetin për të ndryshuar llojin e njeriut. Por në kohet moderne, në veçanti, rolin e Beljajevit e luajnë strukturat autoritative dhe shteti. E, natyrisht, asnjë shtet nuk mund të jetë aq i qëndrueshëm e i fuqishëm sa të ndjekë një plan të tille deri në zbatimin e tij final, sepse për njerëzit nuk asgjë qe është e përfunduar njëherë e përgjithmonë.
Shtetet ndryshojnë, natyra njerëzore është shumë e komplikuar dhe e adaptueshme, dhe kultura e grupit shpesh zhvillohet në kundërshtim me interesat e shtetit. Shkurt, njerëzit nuk mund të kontrollohen e përzgjidhen që të shkojnë në një rrugë apo në një tjetër. Njerëzit mendojnë dhe bëjnë zgjidhje duke përdoruar arsyen e ndjenjat e tyre. Kultura e trashëguar është një faktor e pengesë e fortë. Personalitetet dhe defektet e tyre janë një pengesë e rëndësishme.Megjithatë, është një fakt i njohur se paritë e vendeve të caktuara janë përpjekur që të zhvillojnë e përzgjedhin një grup njerëzish që do të kishte karakteristika të caktuara e të dallueshme nga gjithë të tjerët. Një ndër rastet më të spikatura ka qenë përpjekja sistematike, por jetëshkurtër e nazistëve gjermanë, për të krijuar racën superiore ariane, e cila, sipas mendësisë së tyre, do të kishte karakteristikat e përshtatshme për të sunduar boten. Eksperimenti tjetër, që synonte krijimin e një grupi të caktuar, ka qenë ai i drejtuar nga Pol Poti në Kamboxhia.
Në këtë kategori futet edhe përpjekja e pashoqe e Enver Hoxhës dhe e parisë së Tiranës gjatë kohës së sistemit diktatorial. Përpjekja e tyre ishte për të krijuar një lloj të ri njeriu, i cili duhej të ishte i përshtatshëm për të punuar e për të funksionuar në strukturat e shtetit e të shoqërisë, siç mendonin e siç kërkonin ato. Ky lloj i ri njeriu duhej të ishte njeriu i ri socialist, homo albanicus, krejtësisht i formësuar, në bazë të nevojave të sistemit që kishin ndërtuar Enver Hoxha dhe paria e Tiranës. Mirëpo, në vitin 1990, në gërmadhat e atij sistemi u pa se njeriu i ri socialist ishte një qenie shumë e dyzuar, hipokrite, cinike, … dhe krejtësisht e çoroditur. E, megjithatë, paradoksi ishte se, nëse kishte ndonjë grup që kishte ndryshuar thelbësisht e rrënjësisht gjatë sistemit të Enver Hoxhës, ishte paria e Tiranës.
Enver Hoxha nuk arriti t’i ndryshonte të gjithë shqiptarët, por ai arriti të krijonte një lloj të veçantë jeniçerësh në parinë e Tiranës. Duke qenë në kontroll absolut të shtetit e të institucioneve, duke i njohur shtrëngesat e shtetit, dhe, mbi të gjitha, e rritur me një urrejtje të frikshme për gjithçka kombëtare apo që kishte të bënte me popullin e vet, paria jeniçer e Tiranës e tregoi fytyrën e vet të vërtetë menjëherë sa iu dha mundësia. Dhe ajo ishte e frikshme. Në thelb të saj ishte një cinizëm i pashoq, hipokrizi shembullore, përbuzje e urrejtje për popullin e vet, një materializëm i skajshëm, mungesë e theksuar vlerash e morali, dhe një shpirtvogëlsi ekstreme. Ishte fatkeqësi e madhe për shqiptaret që pjesëtarët e eksponentët e asaj parie, si Ramiz Alia, Fatos Nano, Gramoz Ruçi, Salih Berisha, Gramoz Pashko, Skënder Gjinushi e me radhë dolën në krye të shtetit shqiptar. Përtej grindjeve të ditës e sjelljeve prej rrugaçësh të orës së fundit, përtej kacafytjeve televizive, ata e dinë mirë se çka duan.
Ajo që i bashkon pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin nuk është vetëm formimi, e shkuara, lidhjet personale e të natyrave të tjera, por edhe interesi i tyre jetik e i përbashkët, për ta transformuar shoqërinë shqiptare në atë mënyrë, që ajo t’u shërbejë interesave të tyre. Kanë thanë se i përçudnuemi, kur e sheh fytyrën e vet në pasqyrë don që të gjithë me kenë të përçudnuem. Kjo mund të jetë e mund të mos jetë e vërtetë, mirëpo është krejtësisht e qartë se këta shërbëtorë jeniçerë të sistemit të kaluar kanë një plan të qëndrueshëm e koherent për transformimin e shoqërisë shqiptare dhe krijimin e njeriut të ri të tranzicionit, novus homo albanicus. Ata duan që shqiptarët të transformohen në skllevërit e tyre modernë, në shërbim të tyre, të jenë pjesë e sistemit të tyre, të ndajnë vlerat e tyre, të mos arrijnë që të mendojnë ndryshe prej tyre.
Ata duan një shoqëri në fytyrën e tyre e në shërbim të tyre, pa vetëdije tjetër, pa vlera të ndryshme e pa pikë ndërgjegje e përgjegjësie shoqërore. Dhe mekanizmi kryesor për të arritur këtë objektiv është mbajtja e një shteti të dobët, hallakatja mendore e shqiptareve, si dhe sundimi me dorë të hekurt i shoqërisë përmes strukturave politike partiake dhe krijimi i një lagermentalitat fals. Si pasojë, shoqëria shqiptare është transformuar e po transformohet në një grup të frikshëm njerëzish që nuk ka asgjë të përbashkët me shoqëritë e ligjshme, por ka gjithçka të përbashkët me botën e krimit e të vesit. Të ardhurat kryesore në shoqëri vijnë nga aktivitetet e paligjshme, drogat, prostitucioni, kontrabanda, vjedhja e shtetit dhe e burimeve te tjera. Gjatë sistemit të mëparshëm, hajnia ishte zgjidhje e problemeve të jetesës dhe tash është krenari kombëtare. Hajni ma i madh nderohet si nderi i kombit.
Poshtërsia e sjellja e pandershme kanë qenë moralisht e shoqërisht të dënueshme. Tash me kenë kopil i madh është virtyt publik. E kështu me radhë. Por si e ka menduar paria e Tiranës që, me një shtet të dobët ta transformojë shoqërinë shqiptare? Mekanizmi që ajo ka gjetur është i dyfishtë. Së pari, me shqiptarët e të tjerët që jetojnë me ta në shtetin shqiptar, paria e Tiranës vepron me kujdes. Ajo e mban gjithë shoqërinë të varur për një kafshatë bukë, e lejon që të korruptohet e të zvetënohet sa më shumë që të jetë e mundur, dhe e inkurajon që të ecë në rrugën e së keqes e të vesit. Si vuajtja për të shkuarën, ashtu edhe untia njerëzore për mall e gja e pushtet mbi të tjerët nuk njeh kufij. Dhe paria e përdor këtë vuajtje të njerëzve të thjeshte e untine njerëzore si rripa të hekurt që e mbajnë shoqërinë të lidhur mbas saj.
Duke shpërblyer disa lloj sjelljesh, e duke dënuar disa të tjera, përmes shoqërisë, politikës, medieve e bile edhe përmes sistemit të thashethemeve, strukturat autoritative të parisë së Tiranës kanë krijuar e rikrijojnë një model sjelljeje që i ka transformuar si zyrtaret e shtetit ashtu edhe gjithë qytetarët në një luzmë njerëzish që shkon kah don paria. Dhe qytetari model i këtij sistemi është hajn-militant-afarist. Kjo i duhet parisë dhe këtë model e shpërblen ajo, të tjerët e emulojnë. Paria nuk ka fare nevojë që të përdorë forcën, siç bënte në sistemin e mëparshëm. Të gjithë ata që nuk duan të jetojnë në atë vend e të ndjekin rregullat e lojës, të vendosura prej saj, janë të inkurajuar që të ikin jashtë shtetit, të degdisen ku të munden, sepse ai shtet u takon ‘qëndrestarëve’ të parisë, ai shtet është krijesa e saj.
Shumë mbërrijnë në përfundimin e duhur vetë, pa ndonjë shtysë prej saj. Është vendimi i tyre dhe paria e respekton atë vendim. E kështu, një milion e gjysmë shqiptarë kanë ikur e nuk kanë ndërmend që të kthehen më, jo pse nuk duan, sepse aty i kanë hedhur kursimet, por se u vjen frikë e neveri kur shohin se çfarë shoqërie është krijuar atje. Ata nuk kanë asnjëfarë lidhje me atë shoqëri e kthehen në vendet ku janë të huaj, por njerëz me vlera e me dinjitet.
Pra, fatkeqësia e madhe është se, pak a shumë, në këta 20 vjet paria e Tiranës ia ka arritur që ta transformojë rrënjësisht shoqërinë shqiptare. Ata që nuk kanë dashur të jetojnë kanë ikur, ata që kanë mbetur nuk kanë zgjidhje të tjera, shumë e pranojnë sistemin e parisë dhe e konsiderojnë si mënyrën e vetme të jetesës. Edhe botën, kur e shohin e shohin përmes lentave të sjelljes në shtetin shqiptar. Askush më mirë se emigrantët që kthehen mbas një kohe të gjatë nuk e kupton se sa larg tashmë janë ata të ikur me kohë prej njeriut të ri të krijuar nga paria e Tiranës gjatë këtij tranzicioni. Njeriu model i tranzicionit është bosh, materialist, hipokrit, pa vlera morale të vërteta, arrivist dhe pa pikë ndjenje shërbimi publik.
Natyrisht, jo te gjithë shqiptarët kanë rënë pre e parisë. Rezistenca e grupeve të caktuara është intense dhe në rritje, mirëpo në dukje të gjithë konformohen me sjelljen e pritur nga paria. Pra, Beljajevi duhet të rrotullohet në varr, sepse, në dukje, e gjykuar nga mitingjet e nga tamtamet e medieve, paria e Tiranës po ia mbrrin objektivit të vet vetëm në dy breza. Ajo ia ka arritur të transformojë shoqërinë dhe ta bindë se kjo është rruga e tjetër nuk ka. Edhe Enver Hoxha duhet të rrotullohet në varr (atje ku e kanë fshehur), sepse krijesat e shërbyesit e tij bënë tamam atë që ai nuk kishte mundur as ta imagjinonte, të krijonin një njeri të ri, pavarësisht sesa i përbindshëm do të ishte edhe për atë vete.
Mirëpo, paria e Tiranës nuk është e sigurt se ajo çka ka krijue i shërben asaj, nuk është e sigurt se mundet me e kontrollue gjendjen deri në fund, dhe nuk e din me siguri se çka bluan ky njeriu i ri i tranzicionit. Njerëzit janë të adaptueshëm dhe ata kanë arsye e mendojnë. Prandaj, paria është e shqetësuar dhe ka shumë arsye me kenë e shqetësuar, nuk dihet se çka me i sjellë dita nesër, se ndoshta janë ndrrue vetëm reflekset e kushtëzuara, e jo predispozicioni gjenetik.