Shba-ve u pëlqen të punojnë me “horra të tyre”

0
40

Glenn Kessler

Lexojeni këtë shkrim, titullin e të cilit e kam ndryshuar (me ca hile, të merremi vesh) në mënyrë që të nënvizoj vetëm njërin prej mesazheve të përcjella nga Glenn Kessler (titulli origjinal është “History lesson: Why letting go is so hard to do”). Jeni të impresionuar nga qëndrimi pro-qeveritar i ambasadorit amerikan? Ky shkrim (se mos vetëm ky!) na thotë, që të mos i japim shumë peshë. Ai ka punën e vet, e shqiptarët kanë të tyren. Këtu do të ndodhë çfarë duam ne që të ndodhë, e jo çfarë do një diplomat me emrin Arvizú, apo boss-ët e këtij zotërie në Washington. Amerikanët, në rastin më të mirë, kondicionohen nga një optikë rajonale e globale e gjërave, e rrallë mund të ndodhë (s’ka gjë se ata thonë të kundërtën), që të vënë përpara kësaj optike ndjeshmëri të natyrës demokratike të një pjese të shoqërive të vendeve si Shqipëria.

Në rastin më të keq, ata lidhen me një “son of the bitch (le ta përkthejmë ‘horr’)”, që u vjen sipas midesë, dhe kjo është e gjitha për ta; kuptohet, për aq kohë, sa ky horr ia del të bëjë zap faktorët lokalë të reagimit e të rezistencës. Në momentin, që shoqëritë marrin në duar fatin e tyre, Arvizú-të s’e kanë për gjë t’i japin munxët horrit të tyre, të kthejnë pllakën fët e fët, dhe të zënë e të flasin për “shtyp jo të lirë, zgjedhje të manipuluara, për qeveri (e jo shoqëri) të korruptuar, për një qeveri që edhe mund të rrëzohet para kohe, për zgjedhje të parakohshme, për burra shteti që janë në anën e opozitës”, etj, etj.

Përkthyesi

Qysh nga momenti që ka nisur kriza egjyptiane (po bëhen dy javë), Presidenti Obama ka qënë nën trysni për të deklaruar qartë e prerë, se “është koha që Hosni Mubarak të largohet nga pushteti”. Obama ka arritur të thotë, se “tranzicioni drejt një qeverie përfaqësuese duhet të fillojë tani”, por nuk ka shkuar më tutje në qëndrimin anti-Mubarak. Dhe ka disa arsye për këtë gjë. Ai nuk do që të tjerët të mendojnë, se po i jep urdhëra një leader-i tjetër, e sidomos një leader-i që ka qënë luajal për tri dekada me radhë me Shtetet e Bashkuara. E sikur të ndodhte që Mubaraku ta refuzonte një kërkesë për dorëheqje të bërë në mënyrë të qartë nga Obama, gjërat do të komplikoheshin; Shtetet e Bashkuara do të humbisnin ndikimin dhe fuqinë në Egjypt. Përveç kësaj, Obama e di mirë se aleatë të tjerë të Amerikës janë duke ndjekur me kujdes situatën, dhe me siguri janë kureshtarë të dinë, nëse ai i mban apo i flak aleatët.

Përfundimi më i mirë i mundshëm i kësaj historie – në optikën amerikane, kuptohet – do të ishte që Mubaraku vetë të vendoste të ikte sa më shpejt nga pushteti, dhe kështu opinioni publik botëror do të shihte, se Shtetet e Bashkuara nuk e masakruan Mubarakun; e shumta, i dhanë një të shtyme të lehtë.

Nuk është Obama i pari që po jeton me këtë ndërdyshje. Ka tre raste të kohëve të fundit, në të cilët del, se presidentët amerikanë kanë mbajtur marrëdhënie me diktatorë të vënë përpara prej zemërimit popullor deri në minutën e fundit, madje edhe kur kriza ka zgjatur për muaj të tërë. Ja, çfarë ka ndodhur (sa më poshtë, në pjesën më të madhe, është marrë nga librat me kujtime të këshilltarëve presidencialë).

Rënia e Shahut të Iranit, 1979

Shahu i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, ka qënë ndoshta një njeri paranojak, që e mbronte veten me forca të shumta e të frikshme sigurimi, por regjimi i tij ka qënë shumë i rëndësishëm për ndikimin amerikan në gjirin persik. Jimmy Carter, një vit para se të rrëzohej shahu, bash në prag të vitit të ri, ka qënë në Teheran, dhe atje, duke ngritur një dolli, ka thënë: “Irani, për shkak të udhëheqjes së urtë e të mençur të shahut, është një ishull qëndrueshmërie në një rajon të trazuar të botës. Këtë gotë e ngre për ju shkëlqesi, për aftësitë tuaja të drejtimit, dhe për dashurinë e admirimin, që populli iranian demonstron për ju”. Ish një dolli e pafat. Nuk kaluan pak ditë, dhe nisën demonstratat kundër sundimit të shahut. Nëntë muaj pas kësaj vizite, dhuna shpërtheu në sheshin Jaleh të Teheranit, dhe trupat vranë një numur demonstruesish. Në ato rrethana, Carter-i ia bëri një telefonatë shahut.

“Presidenti i tha se ai po i telefononte për t’i shprehur miqësinë e shqetësimin e tij lidhur me ngjarjet”, shkruan Zbigniew Brzezinski, këshilltari i tij mbi Sigurinë Nacionale, në librin e tij me kujtime Power and Principle. “Ai i uroi shahut fat e mbarësi në përballimin e zgjidhjen e këtyre situatave e në kryerjen e reformave të nevojshme.” Carter-i i mbështeti përpjekjet e shahut për reforma si “më të mirat e mundshme”.

Kriza mori përmasa të tjera, megjithatë. Në datën 27 tetor, ambasadori i SHBA-ve u ngarkua t’i përcillte një mesazh shahut: “Shtetet e Bashkuara e mbështetin atë pa asnjë rezervë në këto momente të krizës.” Në mesazh thuhej, gjithashtu, se shtetet e Bashkuara ishin të vetëdijshme, se “Irani kish nevojë për një leadership të vendosur, që të rivendoste rendin”, dhe se “i takon shahut të vendosë, nëse është koha për një qeveri koalicioni apo për një qeveri ushatarake…. Çfarëdo rruge që ai do të ndjekë, neve na ka me vete.” Edhe Brzezinski vetë bëri një telefonatë me shahun, për t’ia bërë të qartë, se “presidenti amerikan është në mbështetje të tij.” Shahu e mori mesazhin, dhe nuk vonoi që të krijonte një qeveri ushtarake. Por kjo nuk mjaftoi që ta frenonte krizën, dhe administrata e Carter-it u trondit keq me atë rast.

Deri në mesin e muajit janar, kur shahu ra (katër muaj pas vrasjeve në sheshin Jaleh), administrata vazhdonte të diskutonte, nëse duhej inkurajuar një grusht militar shteti apo duhej vendosur në favor të një pushtimi ushtarak me synimin për të mbrojtur fushat naftëmbajtëse. Carter-i “nuk do ta kalonte kufirin mezi të dallueshëm që ndante mbështetjen e fortë (që ai ia dha shahut me bollëk e këmbëngulje) nga vendimi konkret në favor të një aksioni të përgjakshëm me fund të paparashikueshëm”, përfundon Brzezinski.

Rënia e Marcos-it, 1986

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos, ka qënë një tjetër aleat jetëgjatë. Ai ra dakord të ofronte vendin e vet për dy baza ushtarake shumë të rëndësishme për SHBA-të, dhe në këmbim zyrtarët amerikanë e bënë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj korrupsionit të shfrenuar të qeverisë së tij. Në vitin 1981, zv.Presidenti i atëhershëm, George H.W. Bush, e mbuloi me lëvdata Marcos-in “për vendosmërinë e tij në mbrojtje të parimeve e proceseve demokratike.” Presidenti Ronald Reagan e refuzonte hapur idenë, se mund të kish ndonjë alternativë tjetër jo komuniste në vend të Marcos-it.

Por në gusht të vitit 1983, politikani në egzil i opozitës, Benigno Aquino, u vra në aeroportin e Manilas, teksa po kthehej në shtëpi, dhe kjo bëri që mbështetja e brendshme për regjimin e Marcos-it të binte. Ky i fundit u shtrëngua të shpallte zgjedhje të parakohshme për në datën 7 shkurt 1986. E veja e Aquino-s, Corazon Aquino, mori vendimin për t’u futur në politikë e për të kandiduar, dhe bëri për vete turma të mëdha njerëzish. Në ditën e votimit pati raportime, se zgjedhjet po vidheshin ditën me diell. Sipas tyre, ishte e sigurtë që Aquino fitoi, por në fund Asambleja Nacionale, tok me presidencën, u morën nga Marcos-i.

E dini? Bash në ditën e zgjedhjeve, sekretari i atëhershëm i shtetit George P. Shultz e kish vendosur tanimë, që Marcos-i duhej të largohej (e thotë këtë në librin e tij me kujtime “Turmoil and Triumph).” Por ai ish i vetëdijshëm se kjo punë nuk ish aq e thjeshtë. Një nga ndihmësit e Shultz-it e ka pohuar, se “presidenti anonte nga ideja për t’i bërë një telefonatë Marcos-it e për ta uruar për fitoren.” Dhe në fakt, Shtëpia e Bardhë nxorri fillimisht një deklaratë, ku thuhej se Marcos-i i kish fituar zgjedhjet. Më pas, ndërsa po dilte në shesh manipulimi, instikti më i parë i Reagan-it në një konferencë për shtypin ishte t’i fajësonte që të dy palët (në mënyrë të barabartë) për manipulimin e zgjedhjeve. Kriza po merrte përmasa të mëdha – ndërsa edhe Marcos, edhe Aquino, po deklaronin fitore – por administrata e Reagan-it vijonte të reagonte me shumë kujdes.

Ndodhi në një moment, që dy oficerë të lartë usharakë dhanë dorëheqjen, dhe vetëm në këtë rrethanë Shtëpia e Bardhë i dha karar punës, të deklaronte, se “dorëheqja e tyre rrit shqetësimin tonë lidhur me manipulimin e zgjedhjeve presidenciale”. Por ambasadori amerikan dërgon një telegram në Washington, ku thotë: “Marcos nuk e jep dorëheqjen, nëse këtë nuk ia kërkon Presidenti Reagan. Ai po planifikon të bëjë betimin në 48 orët e ardhshme.” Reagan-i nguroi. Këshilltari i tij e paralajëmroi se po përsëritej Irani. Më në fund, më 24 shkurt, ai mori vendimin për t’i telefonuar Marcos-it e për t’i kërkuar dorëheqjen. “Por këtë po ia kërkonte i vrarë në shpirt, pasi Marcos-i kish qënë një mik për një kohë të gjatë dhe një aleat anti-komunist”, shkruan Shultz-i. “Arsyeja i thosh një gjë Ronald Reagan-it; ndërsa zemra i thosh një gjë krejt tjetër.”

Kur ambasadori amerikan i dorëzoi mesazhin e dorëheqjes, Marcos-i mbeti keq. E refuzoi idenë, dhe tha, se “ky është një konkluzion qesharak”. Më pas, Marcos-i kërkoi të kish rolin e një këshilltari të rëndësishëm në qeverinë e re. E më në fund, senatorit republican nga Nevada Paul Laxalt i ra barra ta merrte në telefon Marcos-in, dhe t’ia priste shkurt: “Duhet të lësh vendin; s’ke alternativë tjetër.” Reagan-i u ndje keq, që nuk mundi ta mbronte mikun dhe aleatin në këtë krizë, që zgjati tre muaj.

Rënia e Suhartos, 1998

Suharto-ja, një ish-gjeneral indonezian, mori komandën e vendit të vet në vitin 1966 dhe e sundoi për më shumë se tri dekada kombin e katërt të botës përsa i takon numrit të banorëve; korrupsionin e madh të vetin e të regjimit të tij e maskonte me një lustër demokracie. Por Indonezia ishte një aleat i ngushtë i SHBA-ve.

Kur ky vend u godit fort nga kriza ekonomike, që kapi Azinë në vitin 1997, shumëkush jetonte me frikën, se ky vend i madh i 13 mijë ishujve do të shpërbëhej sa hap e mbyll sytë, nëse frerët e drejtimit nuk do të ishin në duart e Suharto-s. Ky i fundit kish një ndikim rajonal, gjithashtu, gjë që i vinte prej faktit që kish vite të tëra që drejtonte Indonezinë. Fillimisht, Presidenti Bill Clinton bëri çmos ta fuste Suharto-n në rrugën e reformave, dhe për këtë, ai i bëri një telefonatë më 8 janar 1998, duke e cytur të vijonte me reformat, dhe duke i shprehur besimin e tij të plotë, se nën drejtimin e tij Indonezia do ta kapërcente këtë krizë. Pastaj, kur Suharto u ndoll prej idesë plot rreziqe për ta fuqizuar artificialisht monedhën indoneziane, Clinton-i i bëri një telefonatë tjetër për t’i thënë se duhej të hiqte dorë nga kjo ide, dhe të ndiqte linjat e programit të FMN-së.

Grupe zyrtarësh të SHBA-ve udhëtuan shpesh për në Xhakartë atë mot, me synimin për t’mos e lënë Suharto-n të vepronte me kokë të vet. “Pelegrinazhi i zyrtarëve amerikanë me profil të lartë për në Xhakartë”, shkruante ato kohë gazeta Los Angeles Times, “la përshtypjen mes indonezianëve të thjeshtë, se amerikanët po mbështesnin edhe njëherë tjetër regjimin e Suharto-s.” Demonstratat kundër qeverisë u shtuan dhe u fuqizuan, gjë që lidhej dhe me hamendësimet, se regjimi i Suharto-s rrëmbente, torturonte e zhdukte njerëzit që ishin kritikë ndaj tij; por administrata e Clinton-it qëndroi e fokusuar tek rreziqet ndërkombëtare të natyrës ekonomike.

Më 2 maj, Gazeta Washington Post raportonte, se zyrtarë të administratës thonë se, “pavarësisht kritikave që po shtohen kundër regjimit të Suharto-s lidhur me të drejtat e njeriut, ata nuk e çojnë nëpër mendje idenë e anulimit të një huaje të FMN-së në ndihmë të Indonezisë, që kap shifrën e 43 miliardë dollarëve. Ai vend ka nevojë dramatike për cash, e nëse kjo nevojë nuk u përmbushet, kriza ekonomike do të thellohet, dhe trazirat mund të bëhen të përgjakshme.”

Pozicioni i administratës ndryshoi vetëm në 12 maj, kur forcat e ruajtjes së rendit dhe gardistët vranë studentë të paarmatosur që po protestonin. The State Department zuri të mendonte, se ish bash koha që Suharto-ja të lëshonte një pjesë të madhe të pushtetit; në mos, të tërin. Ai dha dorëheqje më 21 maj 1998, gjashtë muaj pasi kriza kish filluar.

Përktheu: M. Nano
Marrë nga Wall Street Journal