Duhet një star kundër vdekjes

0
57


Nga Anila Basha

Po, po…Turizmin shqiptar nuk mund ta prishë një 21 janar. Nuk mund ta prishin as 4 viktima, për të cilët sot ka fajtorë, por ende nuk ka autorë´. Janë rritur çmimet e ilaçeve, por nuk duhet të zbythemi se nuk kemi lekë. Është rritur edhe çmimi i bukës, edhe çmimi i gazit, por ne nuk do t’ia heqim në asnjë moment kënaqësinë shqiptarëve, për të shijuar me para në dorë yjet e muzikës botërore. Na duhet një “star” që të na sjellë gëzimin që na e hoqi nga sytë tanë kjo opozitë, që nuk merr vesh se pushteti nuk merret me dhunë, por vetëm me zgjedhje.

E pra, për këtë, do të mirëpresim këtë vit në Shqipëri, Shakirën. Keni kundërshtime? Po mirë, të votojmë. Cilat janë kandidaturat? Kush e ka çmimin më të lartë: Amy Winehouse? Ledy Gaga?…S’keni kundërshtime? T’i sjellim të gjitha këtu atëherë. Nuk mund ta zhvillojmë turizmin vetëm me Çiljetën, apo me Elita 5. Këta janë tanët tani. Na duhet një këngëtare e madhe, që kushton shumë, që të rikthejmë imazhin që na e prishi 21 janari. Nuk mund të jetë Shqipëria ajo e djegies së makinave në bulevardin e lavireve, por do të jetë ajo Shqipëria që ndryshon. Dhe për këtë duhet të porositen urgjent spote në CNN dhe në Euronews.

Ky ishte monologu jo dhe aq imagjinar i kryeministrit në mbledhjen e djeshme, kur ndërkohë në televizione, apo në lap-topët që kanë përpara vetes çdo ministër i qeverisë, sapo kishte ardhur njoftimi se demonstruesi i katërt i protestës së opozitës kishte mbyllur sytë në një spital në Ankara. Në mos është provokim për opozitën, është keqdashje nga ana e kryeministrit që pikërisht në një ditë si kjo, shfaqi cinizëm për jetët e humbura në atë demonstratë.

Për buxhetin tonë të varfër, edhe 1 milion euro janë shumë për t’u shpenzuar në një fushatë që një yll botëror të na nderojë në një koncert në sheshin “Nënë Tereza”. Mirë do ishte të kishim luksin që t’i shijonim koncerte të tilla në vend, por në një vend si i yni, ku të ardhurat për frymë janë më të ulëtat në të gjithë rajonin dhe jo vetëm, ky është një luks i tepruar. Turizmin në Shqipëri nuk e kthen dot as Lady Gaga, as Amy Winehouse e as Shakira. E kthejnë qytetarët e këtij vendi. Dhe ky vend sot nuk është në gjendje as nga ana shpirtërore, e as nga ana financiare të presë “star”-in e huaj që të na kthejë humorin e prishur.