Nëse mëson si të qeshësh kur vret

0
70


Shekulli Online, 06.02.2011

Listës së zezë të viktimave të 21 JANARIT, dje iu shtua edhe një tjetër emër: ndërroi jetë Aleks Nika. Por ca si kryeministri i këtij vendi e paskan patur më të lehtë të mbajnë mend emrat e
katër-pesë këngëtareve amerikane, se të thonë se cilët qenë ata që vdiqën në 21 janar, nga kush dhe pse u vranë. Natyrisht, një personi si Berisha i vjen më për mbarë të zgërdhihet në momente morti, duke qenë se krimi në fjalë buron përgjithësisht prej tij.

Duket sikur, me historitë që përmend në mbledhje të qeverisë, me ëndrrat e tij për glamour, me aventurat marshuese në Mur Kinez apo me sfidat olimpike që i bën Poseidonit, Berisha po ia transferon gjithë Shqipërisë krizën dhe perversitetin e një 67 vjeçari, në andropauzë jo vetëm politike. S’është hera e parë që Berisha qesh me papunësinë, s’është hera e parë që Berisha qesh me urinë, s’është hera e parë që Berisha i zbardh dhëmbët mjerimit që shkaktoi protestën e 21 janarit, të cilën, e shtypi përgjakshëm.

Ca e quajnë fashist, ca e quajnë “Hitler” e ca “Enver”. Po s’është Berisha asnjë prej këtyre. Berisha është thjesht një mikrosatrap i mbaruar e i trembur, një peng i ambicieve mafioze, familjare apo klanore, që shet gjithçka për hatër të kolltukut. E si çdo i rrjedhur që ka në dorë një armë, në momente frike nuk heziton të shkelë këmbëzën. E pastaj qesh. Përfundimisht nuk ka kuptim që të ankohesh për Berishën. Profili psikik i tij është definuar qartë në 20 vjet ekzistencë
politike.

Ai shkel mbi gjithçka, shkel mbi vjedhje, shkel mbi Gërdec, shkel mbi vrasje protestuesish e dëshmitarësh e nuk përton të mbajë në gji ata që duhet të ishin në pranga, medinjtë, metët, bashët. Ata të gjithë na qeshin prej ekranesh nga “mbledhje qeverie”. Por s’ka kuptim të qeshim ne të tjerët. Pas 21 janarit. Pas vrasjes të emigrantëve të varfër e të papunë, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Pas zisë që u shtrua dje.

S’duhet të komentonim dje Shakirat a Lady Gagat, s’duhet të marshojmë as në “protesta” pa sens të premteve, por duhet të ishim të gjithë në kryeministri, duhet t’ia çonim zinë te dera plakut, që kërkon të sjellë Rihanat të këndojnë në të njëjtin bulevard ku vrau fukarenjtë e vendit të tij.