Mesazhe dërguar… askujt

1
72


Preç Zogaj, 06.02.2011

Para zgjedhjeve të vitit 2009 kryeministri Berisha dhe shefi i opozitës Rama kanë ditur të merren vesh, madje edhe ta teprojme me kompromise. Pa i nxitur kush dhe pa ua kërkuar kush, siç ua kërkojnë sot. Kjo do të thotë se ata i njohin vlerat dialogut, se dinë ta bëjnë dhe ta finalizojnë vetë kur rrethanat dhe vullneti shkojnë në të njëjtin drejtim. Në këto kushte, çdo i huaj që vjen në Shqipëri për të ndihmuar mund të pyesë: pse funksiononte dje, kurse sot që është tamam emergjencë dialogu politik midis shumicës dhe opozitës nuk fuksionon? Këtu do të niste orjentimi i drejtë në krizën shqiptare, hyrja me këmbë të mbarë në sinorët e saj.

Nuk duhet shumë përqëndrim dhe mençuri për të kuptuar se natyra e problemeve ka një rol më të madh se natyra e personave në dështimin dhe ngrirjen e plotë të dialogut pas zgjedhjeve të vitit 2009. Natyra e problemeve është e para. Natyra e personave vjen prapa. Personat, më shumë se sa ambiciozë kokëfortë, janë interpretë të pozicioneve, bindjeve dhe mbështetjes që kanë apo që u jepet. Kësaj radhe me shumë se hërë të tjera. Ka një mendësi të përhapur, që priret ta shohë e ta lexojë krizën vetëm me sytë e dy liderve dhe ta njësojnë të keqen që ka mbërthyer vendin me figurën e njëri ose tjetrit, duke pikturuar te secili vetë dijallin. Ikja e Ramës është zgjidhja, thonë nga krahu i qeverisë. Ikja e Berishës është zgjidhja, përgjigjen në krahun opozitar.

Kjo simetri është e kërkuar dhe e paaplikueshme, për arsyen e thjeshtë se në demokraci, në situara ngërqi apo krize, ikja, largimi, dorëheqja dhe zevendësimi i kërkohet gjithnjë shefit të qeverisë dhe jo shefit të opozitës. Në raport me qeverisjen e vendit dhe qytetarëve , shefi i opozitës “i ikur është” sa kohë që nuk qeveris. Pa dashur të zgjatem në këtë pikë, dëshëroj të rimarr konceptim tim të drejtuesit-interpret për të theksuar një gjë që më duket veçanarisht e rëndësishme në periudhën që po jetojmë: Nëqoftëse përfaqësuesit e Europës dhe SHBA-së do të kufizohen me referimin e disa principeve të përgjithshme të funksionimit të demokracisë dhe nuk do të merren e rimerren konkretisht dhe urgjentisht me themelin e krizës shqiptare, me natyrën e problemeve dhe ngjarjeve që ushqejnë dhe thellojnë dita ditës këtë krizë, vështirë se do të kenë sukses në misionin e tyre dhe vështirë se do ta ndihmojnë vendin tonë të vogël të dalë pa kosto të tjera nga tuneli.

Publiku i gjerë nuk e di dhe s’ka përse ta dijë çfarë ka biseduar dhe çfarë mesazhesh ka përcjellë i dërguari i BE-së, zoti Lajçak në turin e tij të dytë të takimeve me zotërinjtë Topi, Berisha dhe Rama. Njoftimet dhe deklarimet e tij para mediave kishin stofin e një politikani profesionist, që kërkon të mos i mbyllet asnjë derë, pra të mos dorëzohet shpejt në misionin që ka marrë përsipër. Ai nënvizoi me forcë se hetimi i ngjarjeve të 21 janarit duhet të bëhet nga Prokuroria. Është një qëndrim i prerë i Perendimit, që ka frenuar jo pak sulmet e Berishës ndaj Prokurores së Përgjithshme dhe njëherësh ka dekurajuar jo pak tundimin e tij për t’i mbivendosur organit të akzuzës hetimin paralel dhe politik të ngjarjeve nga deputetët e tij.

Lënia e Prokurorisë apo e gazetarëve në punën e tyre korigjon në rastin më të mirë lajthitjet shtesë të qeverisë në përshkallëzimin e pasojave të krizës. Por nuk e prek krizën. Mesazhet që lidhen me shkaqet e krizës mungojnë ose janë tepër të rrumbullakosura. Ato janë mesazhe që nuk i drejtohen askujt, në kuptimin që nuk prodhojnë asnjë reflektim dhe janë të destinuara të shuhen në boshllëk.

Europa ka ardhur njëherë në përfundimin se rrënjet e krizës sonë janë zgjedhjet e vitit 2009, refuzimi i shumicës PD-LSI, të krijuar në tavolinë, për të bërë trasparencën e atyre zgjedhjeve nepërmjet një komisioni parlamentar. Për ketë arsye Parlamenti Europian nxorri rrezolutën që i kërkonte Shqipërisë të ngrinte një komision hetimor për të hetuar materialet zgjedhore. Vetë rrezoluta, si dokument i nivelit më të lartë, reflektonte të gjitha arsyet se përse opozita e Shqipërisë kishte të drejtë në kërkesën e asaj dhe përse demokracia dhe paqja në Shqipëri kishin nevojë për trasparencën zgjedhore.

Qeveria dhe opozita e mbështeten me të dyja duart, qysh të nesermen atë rrezolutë, por pas pak muajsh Berisha kaloi mbi të si të mos kishte qenë. A pyet njeri tani nga Parlementi Europian dhe Komisioni Europian : si vallë qeveria e Shqipërisë guxoi ta bëntë për asgjë Rrezolutën në fjalë? Me çfarë mendjeje? Me çfarë çmimi? Dikush në Europë mbase mund ta ketë harruar apo mund edhe ta gëlltisë këtë sfidë të pamerituar dhe të rrezikshme, që qeveria e një vendi të vogël, pretendent për të qenë kandidat i BE-së, guxon t’i bëjë tempullit te demokracisë europiane. Por opozita e Shqipërisë dhe publiku i gjerë shqiptar nuk kishin dhe nuk kanë si ta harrojnë.

Është e lehtë të kuptohet se kjo qeveri që nuk pyet për Parlementin Europian nuk e ka fare në hesap opozitën e vet. Ndërkaq është e qartë se në refuzimin me kaq arrogancë të trasparencës kanë marrë jetë abuzimet e reja me pushtetin, korrupsioni i niveleve të papara e deri vrasjet barbare të katër demostruesve të pafajshëm në bulevardin “Dëshmorët e kombit” para kryeministrisë në 21 janar 2011. Vrasjet në bulevard të protestuesve dhe përpjekjet e shëmtuara të qeverisë për t’i trajtuar si mish për top ata njerëz të papunë, të mbytur nga hallet, janë sot leximi më i saktë i krizës shqiptare, i përspektivës së saj. Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurisht e dinë më mirë se ne se cili është kuptimi i atyre vrasjeve dhe çfarë plagësh i hapin ato demokracisë.

Ata po mbështesin hetimin e prokurorisë dhe kjo është një ndihmë e madhe në kushtet e tensionit dhe krizës së thellë institucionale që ka kapluar vendin. E vërteta e 21 janarit, në radhë të parë e vërteta e vrasjeve, thërret në kauzë një gjuhë të qartë, një gjuhë njëkuptimeshe nga partnerët dhe miqtë tanë euroamerikanë në lidhje me formulat e daljes nga kriza. Le t’i thonë. Duke folur hapur për faktet dhe problemet, pa dyshim do të jemë më efikasë në komunikimin me lidërit. Qartësia është një obligim. Dhe investimi i tyre më i lirë për të mbajtur në këmbë demokracinë në Shqipëri.

1 COMMENT

  1. Oh ! Sa e veshtire te te kuptosh,te duash,te ecesh perpara!
    Ne çdo hap, gjate rruges se gabuar,behet gjithmon me e veshtire qe te pranosh te kthehesh prapa ne fillimin e gabuar dhe te pranosh qe ke humbur kohe dhe energji.
    Ligesia eshte nje fenomen specifikisht njerezor.Eshte regres per te eliminuar ate qe eshte specifikisht njerezore:Arsyen,Dashurine,Lirine.
    Kafsha nuk mund te jete e lige,ajo vepron sipas instiktiteve te saja per te mbijetuar.
    E liga eshte tentativa per te trasformuar boten njerezore ne bote çnjerezore.
    Jemi dele apo ujqer?
    Kur sillemi si dele kemi nevoje per lider qe te vendosin per ne dhe te mbajne pergjegjsine per ne.
    Por ne qofte se jemi dele perse jeta jone eshte kaq ndryshe nga jeta e deleve? Nje histori e shkruar me gjak:Hitleri,Stalini,Enveri.
    Keta njerez nuk ishin vetem;kishin me mijra njerez qe per ‘ta torturonin e vrisnin,jo vetem me deshire,por edhe me qejf,athere ?
    Njeriu per njeriun ujk? ( Hobbes)
    Por jo te gjithe ama.Athere jemi ujqer nen lekure deleje?
    Apo nje minorance ujqesh qe jeton perkrah deleve?
    Ujqerit duan te vrasin, delet i ndjekin,bile ujqerit dergojne delet per te vrare ,mbytur.Delja bindet,jo pse i pelqen,por sepse do qe te ndjek,eshte militante.Dhe pastaj krijohen lloj historish ,per t’i bindur delet qe te veprojne si ujqerit,me arsye fisnike dhe te duartrokitura.
    Kohet po kthehen prapa,njeriu po e kerkon pergjigjen tek regresi.Per Berserks teutonik,(luftetar legjendar norvegjez),njeri normal ishte ai qe ishte i afte te vepronte si nje kafshe e eger,njeri qe sot do te quhej psikotik (i semure).
    Liria e zgjedhjes nuk eshte nje dhunti formale abstrakte qe e ke apo nuk e ke.Eshte para se gjithash nje funksion i struktures se karakterit te nje personi.Disa nuk e kane lirine e zgjedhjes se te mires sepse struktura e karakterit te tyre nuk eshte ne gjendje te reagoje ne harmoni me te miren.Njeriu i pavendosur eshte ai qe ka problemin e lirise se zgjedhjes.Ketu nje rol te madh luan vetedija.
    Vetedija mbi ate qe eshte e mire apo e keqe.
    Po a kemi vetedije ne ? Sepse vetedija eshte ndryshe nga dituria teorike e asaj qe quhet e mire apo e keqe ne sistemet morale.
    Vetedije do te thote qe personi ben ate qe meson nga vetja,duke eksperimentuar,duke provuar,duke pare te tjeret dhe ne fund,duke fituar nje bindje dhe jo nje opinion te papergjegjshem.
    Kam frike se ne dime te bejme vetem nje gje te shohim te tjeret dhe te bejme si ata?
    Historia i perket se kaluares,dhe sherben vetem per gje ,si mesim per te ardhmen,e cila do te jete ashtu si ne do ta ndertojme.

Comments are closed.