Sheshi i tradhtuar

0
66

Arben Rrozhani, 06.02.2011

Çdo lëvizje e ka një shesh. Prej aty ka nisur, është mbarsur dhe ka shpërthyer revolta popullore. Pa hyrë thellë në histori, sot ka mjaft të tillë. Më i famshmi ndërkohë është sheshi “Tahrir” në Kajro. Sot është dita e 13-të. Miliona egjiptianë janë mbledhur, kanë qëndruar dhe nuk kanë ndërmend të ikin, pa u larguar nga pushteti presidenti Hosni Mubarak. Janë mbledhur aty me kuç e me maç, qindra mijëra njerëz që kanë ngritur “strehën” në sytë e gjithë botës, mes plehrave urbane, barrikadave të sajuara dhe shpirtit të pafashitur të qëndresës.

Nuk ikën as kur presidenti 82-vjeçar lëshoi beduinët e vet të hipur mbi gamile, që përgjakën me thika dhe armë kundërshtarët e regjimit 30-vjeçar. Nuk kanë ndërmend të ikin edhe pse limuzinat lëshohen me shpejtësi duke marrë me vehte trupa kundërshtarësh, apo se këto makina qëllojnë të jenë të policisë. Ata presin dhe janë shumë afër plotësimit të kërkesës: fundit të një regjimi autokratik, i cili është mbajtur në këmbë falë mbështetjes së të huajve, që më mirë duan një regjim vasal dhe të qëndrueshëm për popullin e varfër dhe të shtypur 80 milionësh, sesa një demokraci funksionale.

Edhe në Jemenin copë-copë, të mbytur në pluhur e zhul opozita e ka një shesh. Kur pak ditë më parë, duke ndjekur shembullin egjiptian ajo doli për të protestuar, kundërshtarët u mblodhën në sheshin në qendër të kryqytetit Saana. Kur atë ia zunë ithtarët e presidentit Saleh, duke ngritur aty çadrat dhe vendosur portrete të mëdha të presidentit, opozitarët zgjodhën si vend tubimi sheshin para universitetit, dy kilometra më tutje.

Në Europë sheshet nuk kanë munguar. Afër nesh, në Beograd, më i famshmi është sheshi “Republika”. Aty zemërimi popullor i qindra mijëra serbëve rrëzoi 10 vite më parë Slobodan Millosheviçin. Ai shesh është bërë simboli i përhershëm i çdo lëvizjeje proeuropiane. Në Greqinë fqinje është sheshi “Sintagma”, përballë selisë së parlamentit grek, prej nga prej mëse dy vitesh sindikatat apo anarkistët “djegin” Athinën, duke iu kundërvënë masave antipopullore të qeverive.
Në Shqipëri populli nuk e ka një shesh, tashmë. Fatkeqësisht jo, edhe pse e kishte.

Kjo PD-ja e sotme e antimitingjeve e kishte një shesh simbol: sheshin “Skënderbej”. Prej aty niste rrugën për në pushtet, kur në krah i dilte ish-sekretari i shtetit, Bejker, në 1991, prej aty niste rrëmbimin e pushtetit me fitoren në 22 mars 1992. Atu mbante pushtetin me anë të hurit, duke përgjakur opozitën në 28 maj 1996, pas maskaradës zgjedhore të 26 majit. Prej aty niste grushtin e shtetit në 14 shtator 1998, kur Sali Berisha përdorte zemërimin e popullit, pas vrasjes së Azem Hajdarit për të pushtuar me arkivolë në krahë kryeministrinë, Ministrinë e Drejtësisë, selinë e Radiotelevizionit dhe shpallur “vdekjen” e Nanos. Madej vetë Sali Berisha u ul këmbëkryq në vitin 2004 në sheshin përpara selisë së qeverisë në protestat me moton “Nano Ik!”.

Opozita aktuale shqiptare e kishte një shesh. Është ai para selisë së qeverisë dhe kryesisë së Kuvendit. Aty ku përmbyllte mitingjet e nëntorit 2009, ku mbante për 19 ditë-net grevën e urisë në maj 2010. Aty ku më 21 janar 2011, u vranë tre qytetarët të varfër, të paarmatosur, faji i vetëm i të cilëve ishte pjesëmarrja në protestën e opozitës. Aty ku mori plumbin që tashmë i ka marrë jetën edhe protestuesit të katërt, Aleks Nikës. Aty ku u plagosën, u dhunuan dhe u terrorizuan qytetarët, gazetarë dhe kalimtarë të pafajshëm.

Por opozita shqiptare nuk e do më këtë shesh. Të premten e shkuar sheshi i opozitës i shkërmoq nëpër rrugica, rrugë dhe minisheshe në Tiranë dhe disa qytete. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur në sheshin para selisë së qeverisë të mos ishin marrë katër jetë njerëzore, sikur opozita nuk është ajo që del nëpër deklarata se është kundër qeverisë.

Shembulli nga sheshi “Tahrir”, është kuptimplotë. Qindra mijëra njerëz që për të 13-ën ditë janë aty për të rrëzuar pushtetin më autoritar në veri të Afrikës, që të premteve (ashtu siç e ka caktuar edhe opozita shqiptare ditën e protestës) mblidhen dhe kërkojnë një dhe dy milionë mbështetës për t’i thënë mbarë botës se sa e madhe është masa opozitare, edhe pse nuk kanë një kryetar opozite si në Shqipëri. Një masë aq e madhe njerëzore që nuk lëviz as gishtin, veçse për tu vetëmbrojtur nga vrasësit e infiltruar të rregjmit në ikje.

Kryekëput kundër asaj që Edi Rama dhe kryeopozitarët e tjerë të frustuar, që dy ditë më parë, e degdisën protestën në drejtim të paditur, ku populli protestues nuk dinte se ku duhej të protestonte, sepse për çfarë duhet të protestojë ai e di vetë.

Kjo mund t’i duket komode opozitës që druhet se do marrë pas damkën “e dhunshme” po zuri sheshin, por kjo nuk është opozitë dhe sheshi i protestës është i tradhëtuar, sot kur duhet të jetë më shumë se kurrë.