Grushti i shtetit kaq pranë monokraturës

0
82

Dritan Hila

Që tashmë ka një grusht shteti, kjo është një e vërtetë që zbulohet çdo ditë e më shumë. Që ai ka filluar më 21 janar edhe kjo është një e vërtetë. Por se kush janë autorët dhe kush nxjerr përfitim, kjo mbetet të shikohet.

Vazhdimisht citohen në diskutimet rreth ngjarjeve të fundit për identifikimin e këtij grushti shteti autorë të ndryshëm nga literatura botërore, ashtu siç nuk është mënuar të ngrihet një komision hetimor parlamentar.

Por ashtu siç çdo grusht shteti ka karakteristikat e tij, ku dallohen iniciatorët, forcat pjesëmarrëse, dhe qëllimi që duan të realizojnë nëpërmjet tij, ashtu edhe procesi në fjalë që ka filluar më 21 janar dhe po vazhdon të ndodhë në Shqipëri, ka të njëjtat simptoma të një përmbysjeje të rendit kushtetues, por këtë radhë jo me forca ushtarake ose policore, siç janë puçet e manualeve klasike, por nëpërmjet rrëzimit të institucioneve një e nga një. Ajo që e bën të identifikueshëm procesin që po ndodh në Shqipëri me një puç klasik, është se një person, po përpiqet të neutralizojë, rrëzojë, dhe më pas rimodelojë institucionet e shtetit, sipas gustos së tij dhe në shërbim të tij. Fakti që nuk po bëhet me armë të nxehta, përjashto momentin e vrasjes së tre protestuesve, por nëpërmjet shfrytëzimit të institucioneve legjitime, duke shfrytëzuar pjesë të shkëputura nga ligjet, e bën të quhet një Grusht Shteti i Bardhë. Tentativat për të implikuar ushtrinë, nëpërmjet një ministri Mbrojtjeje, i cili shan demonstruesit me të njëjtin fjalor që ka sharë edhe në vitet ’97 dhe ’98 aleatët e sotëm, nuk u duk e mundshme jo vetëm për shkak të pranisë së vendit tonë fizikisht në Europë; as për shkak të integritetit politik të ish-aktorit të dikurshëm; dhe as për shkak të besnikërisë ndaj Kushtetutës të një tufe gjeneralësh, ku më i miri i tyre është promovuar në detyrë për dorëzimin e ujërave territoriale të vendit, por për shkak se nuk mund të bësh grusht shteti me repartin e Bunavisë që deri dje ishte i mbathur me shapka, ose taborë që u bie zgjebja disa herë gjatë vitit.

Ajo që filloi më 21 janar si një demonstratë kundër qeverisjes, ku për herë të parë lidershipi socialist, për shkak edhe të presionit që vinin nga brenda, në një konferencë shtypi, i kërkonte palës qeverisëse që mos ta provokonte deri në pikën që ai nuk mund ta kontrollonte më masën e njerëzve, ishte përllogaritur nga kundërshtarët të përdorej si mekanizëm shkrepës për një kontroll më radikal të shoqërisë shqiptare dhe de faktorizim e pse jo kriminalizim të opozitës. Ajo që ndodhi në demonstratë, pavarësisht se çfarë vë në dukje komisioni parlamentar, i cili më shumë ngjan me një tufë rrogëtarësh, ku më i famshmi i tyre, shquhet në rrahjen e arbitrave në ndeshjet e futbollit të Peqinit, ishte një skenar, ku u provokua masa e njerëzve, dhe pasi u kalua në përplasje fizike midis policisë dhe demonstruesve, u arrit në vrasjen e tre qytetarëve, dukshëm jo agresivë.

Që protestuesit ishin të pavetëdijshëm dhe të paqëllimtë në marrjen e institucioneve qeveritare, kjo u vërejt kur kordoni i policëve, u zhduk për disa çaste nga balli i Kryeministrisë për t’u bërë të mundur kundërshtarëve të hynin brenda dhe pastaj t’i akuzonin për tentativë për grusht shteti. Por megjithatë, pas shuarjes së protestës, në rakordim me mjekët e Spitalit Ushtarak dhe me ministra të dehur që zunë ekranet e televizorëve, nuk u ndalua së akuzuari opozita për tentativë për grusht shteti, duke vazhduar kështu skenarin që ishte planifikuar që në fillim, i cili synonte kriminalizimin e opozitës e më pas deligjitimimin e institucioneve jo konformiste.

Kjo deri në momentin që kamerat e televizioneve private, shfaqën pamjet shokuese të vrasjes gjakftohtë të demonstruesve.

Nëse nuk do ishin këto pamje, sot do kishim një opozitë e cila do ishte mish i therur për çengelët e pushtetit dhe institucionet do ishin të terrorizuara e kotele të bindura ndaj kreut të qeverisë.

Për fat tonin, dhe për nder të medias që dha ato sekuenca, sot jemi në situatën kur një komplot personal, i matricës afrikane ose amerikanojugore të viteve ’60, ndodhet i çaktivizuar, por ende jo i mënjanuar.

Tashmë po kalohet në skenarë të marrë nga arkivat e Komitetit Qendror. Sot gjendet nën sulm e gjithë shoqëria shqiptare, ku një njeri i çoroditur, akuzon për grusht shteti kundër tij, të gjithë institucionet, duke filluar që nga Presidenti, prokuroria, opozita dhe media. Në ditët ku jemi, shteti shqiptar, praktikisht është i paralizuar, dhe policia, vepron si një polici private, duke mos pranuar të zbatojë urdhrat e prokurorisë dhe një ushtri, e cila ka shfaqur haptas njëanshmërinë e saj.

Duhet një reagim i prerë i prokurorisë, e cila nuk ka pse të stepet nga sharjet e një njeriu i cili po merr dimensione groteske. Drejtësia shqiptare, shpesh ka pasur në dorë të zgjidhë nëpërmjet ligjit çështje korruptive dhe kriminale, por me mefshtësinë e saj, ose shpesh edhe komplicitetit pasiv, ka shkaktuar degjenerimin e këtyre proceseve, dhe ka dhënë ndihmesën në mahisjen e fenomeneve dhe shndërrimin e tyre në plagë sociale deri më vonë në gangrenizimin. Sot është rasti që të mos shikojë njeri në sy dhe të zbatojë ligjin, pasi kjo është edhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar fytyrën. Ose përndryshe të deklarojë hapur pafuqinë e saj, dhe të tërhiqet, por nuk mund të vazhdojë të lërë vendin në zgrip të krizës, dhe të shënojë në arkivat e saj një tjetër vrasje politike të pazgjidhur. Në fund të fundit, tymnaja që ushqehet, është edhe për të fshehur autorësinë e krimit, pasi ndryshe nga çdo rast paraardhës, këtë herë, dikush duhet t’i hajë nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm. Ndaj ky organ është mirë të vendosë drejtësinë dhe t’ua kursejë shqiptarëve një katrahurë tjetër.

Institucioneve shqiptare u ka lindur detyra të mbrojnë vendin që mos rrëshqasë në një monokraturë të prerjes klanore. Gjuha e përdorur ndaj udhëheqësit të opozitës dhe ndaj titullarëve të institucioneve që përfaqësojnë pushtetet e Presidencës, drejtësisë dhe medias, i ka kaluar kufijtë e një etiketimi rrugaçëror, dhe janë tregues se ky vend rishtas ndodhet përballë konfigurimit të një pushteti personal, ku shumë shpejt qytetari i thjeshtë mund të jetë pre jo e drejtësisë sipas ligjit, por të favorit sipas afërsisë me njeriun e fortë që do komandojë vendin. Nëse kryetari i opozitës kërcënohet “live” në mbledhjet e Këshillit të Ministrave me ekzekutim, çfarë garancish mbi jetën mund të ketë një qytetar i thjeshtë?

Tashmë bëhet fjalë për mbrojtjen e lirive themelore që qytetarët e një shteti kanë në një demokraci, qoftë kjo edhe rudimentare si e jona. Ndaj mbrojtja e këtyre lirive e të drejtave, është një mision-detyrë ndaj shqiptarëve, u pëlqen apo jo ky qëndrim faktorëve vëzhgues të kësaj krize. Pavarësisht gjuhës herë komike, por më shumë kriminalë që shfaq protagonisti, nuk duhet harruar se procesi nën të cilin ndodhemi, është një goditje e cila nëse nuk amortizohet nga reagimi i institucioneve, mund të shkaktojë handikape në të ardhmen e shtetit shqiptar, në mos janë shkaktuar tashmë.