Një diplomat dezhurn për problemin Berisha !

0
63


Nga Mero Baze

Në situata të tilla delikate siç është kriza shqiptare, më të rrezikuarit për tu bërë viktima janë diplomatët perëndimorë. Dhe nëse më torturoni tani të vizatoj portretin e një viktime të mundshme, i pari që më vjen në mendje, është ambasadori i sapoardhur i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili është përfshirë në zemër të krizës duke i qëndruar afër kryeministrit Berisha.

Falë mitit që ekziston për institucionin e ambasadorit të SHBA në Shqipëri, ai po luan një rol të rëndësishëm në këtë krizë.

Merita e tij e madhe dhe e padiskutueshme është që u përfshi në debatin haluçinant të Sali Berishës rreth “puçit” të shtetit duke i dalë në krah puçistes kryesore, Ina Rama. Duke e çmuar atë si një pikë kyçe në krizën e prodhuar nga 21 janari, diplomati i lartë amerikan në të vërtetë mori një pozicion të qartë zyrtar kundër terminologjisë së pushtetit ndaj kësaj ngjarje dhe mbi të gjitha dhe një lloj kontrolli diplomatik mbi hetimin.

Një tjetër gjest i zgjuar diplomatik i tij është ruajtja e dialogut personal me Sali Berishën, qoftë dhe duke paguar një taksë në opinion publik duke e quajtur atë burrë shteti ditën që merrej duke sharë lavire bulevardi një grua. Në situata të tilla të rrezikshme, kur integriteti i institucioneve ka rënë, ruajtja e dialogut me problemin kryesor të kësaj krize, që është Sali Berisha, është e rëndësishme. Ambasadori Arvizu ia ka arritur dhe kësaj pike. Ai është tani një figurë e dashur dhe e besueshme për mbështetësit e kryeministrit Berisha dhe ky është një favor i madh për diplomacinë amerikane, e cila ruan ndikimin mbi vatrën e krizës. Edhe për këtë ambasadorit Arvizu i është dashur të paguajë një taksë.

Ai po flet publikisht me fjalorin e Sali Berishës, nuk po zë në gojë represionin mbi medien dhe gjestet ekstreme që Berisha bën ndaj medies kritike dhe vrapon të jap statistika për liri shtypi, nga ato që Berisha ofron për ta ilustruar lirinë që ka prodhuar në mendje të vet. Unë druaj se ambasadori e kupton të vërtetën, por jam gati ta justikoj në rolin e “Lolos” për të ruajtur raportet me problemin kryesor të krizës shqiptare. Jam gati tia pranoj faktin, që ndryshe nga Bashkimi Evropian, Amnisty International, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, të mos citoj asgjë nga ato që po ndodhin para syve tanë pas 21 janarit kur unë dhe tre kolegë të mi u shpallëm dhe pjesë e puçit, bile dhe urdhërues vrasjesh. Është mirë që ambasadorin Arvizu ta ruajmë nga kjo betejë, dhe ta konsiderojmë si diplomat dezhurn për problemin Berisha.

Është mirë po ashtu që ambasadori Arvizu nuk po konsumohet për të dënuar korrupsionin zyrtar në vend. Shqiptarët, por dhe mediet botërore thotë se në Shqipëri u vranë katër vet pas demonstratave të dhunshme që shpërthyen për shkak të një historie të rëndë korrupsioni zyrtar që kishte në qendër zëvendëskryeministrin. Këtë e thotë çdo medie rrotull botës, nga Japonia në Meksikë.

Ambasadori Arvizu po përdor një teknikë të mosarmiqësimit me qeveritarët shqiptarë për çështjen e korrupsionit duke kaluar bile në një tezë ekstreme ku sipas tij “korrupsioni është një problem i shqiptarëve dhe jo “i qeverisë shqiptare”…!” (Intervista VOA). Edhe ky qëndrim e bën popullor tek mbështetësit e qeverisë dhe sidomos tek ajo pjesë e administratës ku siç shpjegoi ambasadori Arvizu shpërblehet politikisht, d.m.th shpërblehet në mënyrë të paligjshme. Kjo e bën këtë diplomat një aspirinë shumë të çmuar për dhimbjen e kokës në të cilën gjendet pushteti nga bërja publike e aferave të tij korruptive që kanë rritur zemërimin popullor.

Së fundmi ambasadori ka bërë dhe një rekomandim të parrezikshëm për qeverinë, një lloj ftese për seanca degjimore ne terren, që është diçka mes një rekomandimi politik dhe një teze seminaresh për të shtyrë kohën.

Pra, nëse i përmbledh të gjitha këto qëndrime të ambasadorit të SHBA ndaj krizës, dhe nëse e sheh me syrin pozitiv siç gjithmonë jemi munduar të shohim rolin e SHBA për demokracinë në vendin tonë, arrin në përfundimin se ambasadori i SHBA është i angazhuar në një luftë diplomatike për t’i qëndruar afër kryeministrit Berisha në këto ditë të vështira të tij, me qëllim që ta kontrollojë krizën në vatrën e saj. Ky është dhe investimi më i madh që një shtet demokratik si SHBA mund të bëjë për një demokraci hibride dhe të pazhvilluar si Shqipëria. Ndryshe nga SHBA, Evropa është më e qartë dhe më morale në këtë krizë. Ajo ka qenë e prerë në ruajtjen e pavarësisë së pushteteve, e qartë në distancimin ndaj kryeministrit kur ka tentuar të frikësojë medie dhe pushtete të tjera në Shqipëri, e qartë në rëndësinë e zgjidhjes së krizës politike në vend. Dhe kjo natyrisht ka krijuar një lloj distance të tyre me Sali Berishën.

Problemi tani është se cila recetë është më e mirë për zgjidhjen e krizës. Unë mendoj se është fat i madh që në momente të tilla kur Berisha reflekton hapur dhe çrregullime psikike, ka në krah ambasadorin e SHBA me teza që e qetësojnë. Frika e madhe është se ndërsa vendi po i ngjan përditë e më shumë një demokracie latino-amerikane ku korrupsioni justifikohet nga politika, mungesa e lirisë së medies justifikohet me statistika, mungesa e mirëqenies justifikohet me koncerte të Rihanës dhe Shakirës (po latino-amerikane) dhe dhuna në formë junte injorohet, ambasadori amerikan mund të harrohet që vjen nga Uashingtoni, dhe do citohet origjina e tij meksikane. Kjo do na rrëzojë pastaj gjithë shpresat për veprimet e zgjuara që po bën duke qëndruar afër Berishës si diplomat dezhurn i krizës.