Shpresë nga formaliteti

0
70


Nga Mero Baze

Në historinë e krizave politike në Shqipëri, si rrallëherë ka ndodhur që kur lideri i një shumice ka prodhuar një truk banal për të shtyrë peshën e rëndë të vrasjeve politike, si ky i tanishmi i Berishës, të gjithë të tjerët pas tij jo vetëm të bëhen qesharak duke e ndjekur, por dhe duke bërë sikur e besojnë. Dhe nuk bëhet fjalë për një truk dosido, i cili mund të të japë dorë për fantazi. Bëhet fjalë për një truk aq qesharak dhe të ndërtuar me një paaftësi mizore, i cili të shkakton të qeshura dhe nëse ta tregojnë si film vizatimor.

Bëhet fjalë për një film vizatimor të prodhuar nga Berisha, kur armët u hiqen nga duart gardistëve dhe i vihen popullit, të vrarët hiqen nga populli dhe bëhen pjesë e qeverisë, gurët kthehen në armë të policëve dhe kallashnikovët në armë të qytetarëve, dhunuesit e institucionit të presidentit, kryeprokurores dhe kryetarit të SHISH, quhen pjesë e puçit, ndërsa Berisha që i fyen me libër shtëpie dhe i shpall puçistë quhet viktimë, gazetarët që raportojnë ashtu siç nuk ka qejf Berisha shpallen pjesë e puçit, bile dhe qytetarë të kriminalizuar, ndërsa gazetarët me të cilët Berisha fliste në telefon në momentin që vriteshin qytetarë, quhen të respektuar. Ky është pak a shumë konteksti ku Berisha ka ndërtuar filmin vizatimor “puçistët”, ku detyra për të kapur një “gjeneral rob”, i është lënë Komisionit Halimi. Pra, siç shihet, truku të fyen me mungesën e fantazisë dhe përdhunimin që u bën personazheve politikë që duhet ta mbrojnë.

Po përse ndodh kjo në PD?

E di që shumë njerëz thonin me një zë që kështu është PD-ja, repart ushtarak. Është një paragjykim i cekët. E vërtet është që në atë parti dominon rreshtimi pro Berishës, por në çdo situatë kritike të saj ka pasur zëra kundër, qofshin dhe minorë. Në një situatë të tillë të ngjashme bile ka pasur shumë. Mijëra njerëz pyesnin me vete këto ditë, “si nuk doli një njeri” nga PD-ja të thoshte më vjen turp që e kam kryetar këtë të çmendur? Arsyeja është e thjeshtë.

Të gjithë ata që nënvleftësuan mungesën e lirisë dhe rregullat e lojës brenda PD-së, duke e quajtur apriori parti autoritare, sot po shikojnë sa të lartë e ka çmimin ky formalitet. I vetmi zë racional brenda strukturave të asaj partie, që mund të përjashtohet të dielën, Besnik Mustafaj, guxoi të ngrejë zërin dhe të quaj turp këtë që ndodhi, dhe menjëherë reagimi i Sali Berishës ishte “Besëprerë!”. Të tjerët që e panë me zili Mustafaj, heshtën dhe mërmërisin me vete.

I takon rrugëve dhe të shkelin syrin duke të bërë grimasa se s’kanë ç’i bëjnë trurit të atij. Arsyeja është banale. Dy vjet më parë si asnjëherë tjetër në historinë e botës politike në Shqipëri dhe gjithë globin, kjo parti bëri një Kuvend formal, dhe prej vitit 2009 kur ka mbledhur Kuvendin, nuk ka mbledhur akoma të zgjedhurit e këtij Kuvendi për Këshill Kombëtar nga ku formalisht do ta dalin nënkryetarë, sekretarë dhe anëtarë kryesie.

E dimë paraprakisht që të gjithë do të jenë eunukë të Sali Berishës, por nuk dimë se kush do të jenë ata që nuk do të jenë të zgjedhurit e tij. Edhe pse banale, shpresa e vetme që dikush të flasë është tek ata që do të anashkalohen nga sita e Berishës të dielën. Ata janë mbajtur formalisht në karantinë për të mos folur as kur vidhet dhe as kur vritet në atë parti. Nuk them kurrsesi se ata që do të flasin janë parimorë dhe të ndershëm, por mund të gëzohemi se çdo përpjekje për të qenë qoftë dhe formalist i kalb autoritaristët. Berisha e ka bazuar pushtetin e tij tek arbitrarizmi dhe çdo përpjekje qoftë dhe formale për të zbatuar ndonjë rregull i kthehet në problem.

Të dielën ai do të detyrohet pas dy vitesh të zbatojë formalisht një rregull, dhe pas së dielës ne jemi të lirë të presim kush do të mbetet i pakënaqur për të folur. Është standard i ulët dhe i turpshëm, por sidoqoftë është e vetmja shpresë në atë shkretëtirë. Ai mund të jetë i detyruar ose të mbajë në poste kyçe gjithë të dyshuarit për tradhtarë duke fyer besnikët që po bëhen qesharakë për gjithë jetën nëpër ekrane, duke mbrojtur “fanitjen” e tij vizatimore. Por kam frikë se as kjo nuk do ta shpëtojë nga heshtja.

Deri më sot po heshtin se po i mban të gjithë pezull. Nëse të dielën tenton të ulë dikë në tokë, kam shpresë se diçka do të kërcasë. Dhe për heshtjen e tyre nuk kanë faj vetëm ata, por të gjithë ne që kemi prej 2009-ës që nuk ja kemi përmendur kurrë Sali Berishës drejtimin e pushtetit nga një bandë e pazgjedhur prej demokratëve, që flet mendon dhe merr frymë si zgjatim i gjymtyrëve të sipërme dhe të poshtme të Berishës.