BIA dhe Policia e Serbisë ende aktive në Kosovë

0
68


Nga Korresp. 24-ore.com

Agjencia inteligjente e Serbisë, BIA, dhe një strukturë që nga UNMIK-u evidencohet si Policia e Serbisë janë ende aktivë në Kosovë. Një raport i përpiluar nga hetuesit e ish-administratës së OKB-së në Kosovë jep shumë detaje për funksionimin e këtyre strukturave dhe për ekzistimin menjëherë pas luftës të të ashtuquajturave “grupe luftuese” në veri të Kosovës. Raporti, një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”, infiltron shumë emra të përfaqësuesve politikë serbë në krime të ndryshme, ndërsa në detaje flet për vrasjen e dhjetë shqiptarëve brenda një nate, që UNMIK-u dyshon të jenë bërë nga një grup i udhëhequr prej Oliver Ivanoviqit, aktualisht sekretar shtetëror në Ministrisë e Qeverisë së Serbisë për Kosovë.

Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për gazetën se struktura e të ashtuquajturës Polici e Serbisë funksionon ende në Kosovë, ndërkaq të vetmet që janë shuar nga viti 2006 janë “grupet luftuese” që i ka udhëhequr kjo polici.

Të njëjtat burime kanë shpjeguar se edhe struktura dhe aktiviteti i agjencisë inteligjente të Serbisë, BIA, është i njëjtë me atë që e përshkruan raporti i atëhershëm.
Në pjesën ku flet për vrasjen e shqiptarëve në natën mes 2 dhe 3 shkurtit të vitit 2000, ku kanë humbur jetën dhjetëra persona, sipas raportit, vlerësohet se të dyshuarit kryesorë të rastit janë Oliver Ivanoviqi dhe shefi i Policisë së Serbisë në veri, Dragan Delibashiq.
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX, ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se është duke zhvilluar hetime lidhur me masakrën e shkurtit të vitit 2000, por nuk ka pranuar që të përmendë emrat e të dyshuarve.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, Ivanoviq, i ka mohuar lidhjet e tij me rastin, duke vlerësuar se akuzat janë të motivuara politikisht. Sipas tij, UNMIK-u i ka mbyllur hetimet, pasi që ka konstatuar se kanë qenë të pabaza.
Raporti i UNMIK-ut që mban emrin “Pandora- Sigma”, nuk ka dhënë të dhëna vetëm për masakrën e shkurtit të vitit 2000. Ai pasqyron aktivitet e strukturave të Serbisë në Kosovë dhe paraqet të dhëna edhe për një masakër në Vushtrri të bërë gjatë kohës së luftës.
Raporti konstaton se janë tri lloje të aktiviteteve të Policisë së Serbisë në Kosovën e pas luftës që bien ndesh edhe me Rezolutën 12 44. Sipas raportit, Policia e Serbisë ka bërë aktivitete të rregullta policore, ka mbajtur në mënyrë ilegale armë dhe eksploziv, si dhe ka orientuar aktivitetet kriminale të “grupeve luftuese”.
Sa i përket Policisë së Serbisë, raporti vetëm për atë kohë i vlerëson ata si ekzekutues të vrasjes së tre personave, pas dhënies së urdhrit, nga ai që mendohet të jetë komandant i strukturës ilegale policore Dragolub Delibashiq. Raporti përmend edhe vrasjen e Muharrem Sokolit dhe të familjes së Nexhmedin Ahmetit, si vepra të së njëjtës strukturë.
Në raport tregohet edhe për rrahjen deri në vdekje të një shqiptari nga një pjesëtar i kësaj policie që ka emrin Vuqina Janiçijeviq.
Raporti jep një shpjegim të detajuar të funksionimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërkaq tregon se si të gjitha zyrat e sekretarive të kësaj ministrie që udhëheqin policinë (SUP-et) që kanë qenë në qytetet e Kosovës, funksionojnë ende dhe i kanë selitë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë.
Sipas raportit, SUP-i që ka operuar në Prishtinë është i vendosur në Nish. Ai që ka operuar në Pejë është i vendosur në Kragujevc. SUP-i i Gjilanit gjendet në Vranjë, e ai i Ferizajt në Leskovc. SUP-i që para lufte ka operuar në Prizren tash është i vendosur në Krushevc, ndërkaq ai i Gjakovës është vendosur në Jagodinë.
Raporti jep një përshkrim të detajuar të funksionimit të SUP-it që merret me Mitrovicën, që funksionin në Kralevë, por që ka kontakte më të rregullta, për shkak edhe të pranisë më të madhe të strukturave në veri.
Shef i Zyrës së SUP-it për Mitrovicë në raport përshkruhet Momir Kasaloviq. Komandant i Policisë që operon në Mitrovicë, sipas raportit, është Dragolub Delibashiq, i njohur me nofkën “Dragan”.
Raporti i përshkruan si përgjegjësit mes kooperimit të këtij SUP-i me BIA-n janë Liljana Dokniq dhe Danica Radojeviq.
Edhe BIA, sipas raportit, funksionon në të njëjtën ndarje sikur SUP-et. BIA që operon në Prishtinë i raporton SUP-it në Nish, që është përgjegjës për Prishtinën. Njësiti i BIA-s që operon në Mitrovicë i raporton SUP-it në Kralevë, që është përgjegjës për Mitrovicën. BIA e Pejës i raporton SUP-it në Kragujevc, ajo e Gjilanit asaj në Vranjë. BIA e Ferizajt i raporton SUP-it në Leskovc, ajo e Prizrenit asaj në Krushevc dhe BIA e Gjakovës i raporton SUP-it në Jagodinë.
Raporti identifikon edhe një adresë të BIA-s në veri të Kosovës, e që është kafe “VoZd” në veri të Mitrovicës.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Oliver Salgado, ka thënë se nuk mund të komentojë për ngjarje që kanë ndodhur para dhjetë vjetësh .