Eksklusive: Sendet personale te ALEKSANDER MOISIUT

0
87

Rikthejne të gjallë në mesin tonë kujtimin e aktortit të madh!

Nga Pjetër Logoreci

Pas përpjekjesh të mëdha dhe kërkimesh të gjata, që më quan në zbulimin e maskës së vdekjes dhe kaçurrelit me flokët e Aleksandër Moisiut në Vjenë, m’u rrit deshira për të vazhduar me tej. Rastësia më ndeshi me një album të vjetër teatror, të botuar në Vjenë, mbrenda të cilit ndodhej një dokument që bënte fjalë për disa objekte që i përkisnin aktorit Moisiu. Lista (inventari) përmbante edhe maskën e vdekjes e po ashtu kacurrelin me flokët e tij, por edhe objekte të tjera të panjohura për mua e po ashtu për të gjithë shqiptarët.

Kështu nisa punën për t’i gjetur dhe për t’u njohjur me objektet e “reja”. Duhet theksuar që është shumë e vështirë të gjesh informacionet që të duhen, kur personat që je i detyruar të kontaktosh, apo të pyesësh janë hermetik dhe nuk të japin asnjë informacion. Kështu më ndodhi edhe mua. Personi përgjegjës që i dispononte këto objekte, me krijoj pengesa të paparashikuara, që nuk më lejonin të arrija te objektet.

Këmbëngula “me forcë”, i doja patjetër këto perla, të cilat në një farë mënyre janë edhe “krenaria jonë kombëtare”. Përgjegjësja e arkivit ishte prototipi i burokrates së “pakalueshme”, por këmbëngula… M’u desht të gjeja një rrugë tjetër, nëpërmes një autoritetit më të lartë, që të hyja aty. Këmbëngulja më shpërbleu dhe hyra. Tashti kam kënaqësinë të ndaj me lexuesin shqiptar emocionet e papërshkruara që përjetova, kur fotografova këto gjëra të veçanta.

Ja objektet:

Objekti 1 – Dora e majtë e Aleksandër Moisiut e formatuar në gips

(të cilën e kam fotografuar në të dy anët)

Foto 1: Dora e majtë e Moisiut e parë nga sipër
Foto 2: Dora e majtë e Moisiut e parë nga sipër
Foto 3: Dora e majtë e Moisiut e parë nga poshtë

Me keqardhje më duhet të them që në kartelen e objektit “Linke Hand” (dora e majtë), ku shenohen përmasat, emri i personit, viti i lindjes dhe i vdekjes së tij, materiali i objektit gips si dhe numri i inventarit, nuk gjindeshin të dhëna të tjera, ….si data e krijimit të objektit, …në se dora ishte bërë kur ai ishte gjallë apo i vdekur…., …kur kishte ardhur në arkiv e nga kush….???

E vetmja gjë që arrita të kem nga nënpunësja e “vështirë” e arkivës, ishte informacioni gojor, që objektet ishin nga koleksioni i aktorit vjenez Albin Skoda, si dhe nga dhurata që zonja Johanna Terwin Moisiu, i kishte bërë arkivës.

Në momentet e para, duke parë pjesën e sipërme të dorës së gjeniut, ndjeva mbrenda meje “shpirtin e butë të Fedjas”, “marrëzinë e Hamletit”,” tragjedinë e Othellos”…një botë të tërë personazhesh me të gjithë tragjeditë apo ironitë e fatit të jetës së tyre… Një dorë e bute e ledhatuese, një dorë e vuajtur, e uritur, luftëtare e kërkuese, dorë krenare, e papërkulur, dorë sakrifice, …dorë proletari apo intelektuali, dorë fshatari ….apo borgjezi…

Shpresoj që në fotot e mia, të cilat jam munduar t’i bëj sa më të qarta (edhe pse nën presionin bezdisës të nënpunëses të arkivit), lexuesi shqiptar do të mund të shikojë gjeninë e artit, forcën e karakterit e shpirtin e butë të Aleksandër Moisiut.

…nuk gjej fjalë për të përshkruar ndjesitë e përjetimin pas vështrimit të gjurmëve, apo kur fillova “të lexoj” rrudhat e jetës, në pjesën e mbrendëshme të dorës së gjeniut Moisi…

Objekti 2: Spaletat e togerit të kompanisë 9, batalioni 3, regjimenti 55 Aleksandër Moisiu.

Foto 4: Gradat (spaletat) ushtarake të Moisiut.
Foto 4a: Moisiu ushtarak

Nga shenimet personale të Aleksandër Moisiut, të gruas së tij Johanna Terwin, të biografëve të ndryshëm, është e ditur që në korrikun e vitit 1915, aktori u lajmërua vullnetar për luftë, në ushtrinë gjermane. Sapo kishte filluar lufta e parë botërore dhe ai në fillim ishte pjestar i rregjimentit të gardës kombëtare, e më pas duke parë cilësitë e tij si ushtarak dhe disiplinën e tij të lartë i dhanë graden e togerit dhe e dërguan në vijën e parë të frontit në Francë (La Bassée), pranë kompanisë 9, batalionit të tretë, regjimentit 55 të këmbsorisë.

Në arkivën e Teatrit të Vjenës në mes të objekteve që u trashëguan nga Aleksandër Moisiu, janë edhe spaletat e tij të togerit që shihen në foton me sipër.

Objekti 3: Titulli MJESHTER I MADH

Foto 5: Titulli MJESHTER I MADH
Foto 5a: Dokumenti i shkruar bashkëshoqërues i dekoratës
Foto 5b: Dekorata me kartelë

Një vlerë tjetër e madhe që na la trashëgim Moisiu është dhe titulli MJESHTER I MADH i skenës, dhënë atij në nëndor të vitit 1917 nga trashëgimtari i fronit Duka Frederik von Anhalt, i cili ishte autoriteti i parë i kohës në Gjermaninë e luftës së parë botërore. Ky titull është dhënë i shoqëruar me dy objekte: DEKORATA (Foto 5) dhe DOKUMENTI SHOQERUES (Foto 5a). Dekoratën e gjeta në seksionin e objekteve të arkivit të teatrit të Vjenës, ndërsa dokumentin shoqërues të saj (Foto 5a) në arkivën me dokumenta personale të Aleksandër Moisiut në arkivën e teatrit të Vjenës. Dekorata është e larë në ar, ka një mbajtëse mëndafshi dhe mbyllet në një kuti lëkure. Sipër saj shihet qartë “F” simboli i dukës Frederik i cili ishte krijuesi i këtij urdhëri. Sipas procedurave të kohës titulli shoqërohej pervec medaljes edhe me një kurorë me gjethe dafine (nga një metal i cmuar) e cila i vendosej mbi kokë të lauruarit, por në arkiv kjo nuk egziston.

Objekti 4 dhe 5: Dy kuleta prej lekure

Foto 6: Kuletë prej lekure ngjyrë natyrale e mbajtur nga Aleksandër Moisiu
Foto 7: Kuletë prej lekure ngjyrë kafe e mbajtur nga Aleksandër Moisiu

Objekti 6: Shtatore prej druri e aktorit Aleksandër Moisiu

Foto 8: Shtatore e punuar në dru e paraqitur në ekspozitën e parë për nder të aktorit Aleksandër Moisiu

Ky objekt që është në dru, i punuar me prerje (trafor), tregon aktorin Aleksandër Moisiu në një ndër figurat e tij më të dashura, në rolin e ENDACAKUT, nga vepra e Leon Tolstoit – FAJTOR PER GJITHSHKA, një pjesë e vitit 1919, e përkthyer në gjermanisht nga August Scholz në vitin 1920 dhe që u luajt në teatrin popullor të Vjenës, në sesonin 1920 – 1921. Figura e vogël është e madhësisë 20 cm dhe e vizatuar me bojra (sipas veshjes origjinale të Moisiut në skenë).

Foto 9: Objekte që i përkasin aktorit Aleksandër Moisiu në arkivën e teatrit në Vjenë.

Objekti 7: Lorbeerkranz (kurora me gjethe dafine)

Foto 10: Trofe e Moisiut – Kurorë me gjethe dafine

Siç shihet edhe nga figura, kjo kurorë me gjethe dafine është një trofe që Aleksandër Moisiu ka marrë si aktori më i mirë në festivalin e teatrove në Czernowitz të Ukrainës. Ajo mban mbishkrimin Teatri Kombëtar Czernowitz (Teatrul National Cernauti) dhe datën 1 Tetor 1929. Kurora është prej argjendi me pjesë të lara në ar dhe poshtë saj mban shirita mëndafshi me ngjyrat e flamurit kombëtar të vendit. Përmasat e objektit janë 34 cm x 25 cm.

Objekti 8: Busti i Aleksandër Moisiut

Foto 11: Busti i aktorit Aleksandër Moisiu
Foto 12: Të gjitha objektet së bashku
Foto 13: Busti me kartelën përkatëse

Busti i aktorit Aleksandër Moisiu është punuar në gips dhe ka përmasat 40 x 20 x 23 cm. Autori i bustit është krijuesi i famshëm e shumë dimensional me origjinë rumune Sandor Jaray, i cili është autor i shumë punimeve artistike që gjinden në Vjenë. Ai ishte mjeshtër restaurator, por punoi edhe si piktor, skulptor dhe dekorator i objekteve më të përmendura të perandorisë austro-hungareze. Ai ishte njohës i mirë i artit të Moisiut dhe fans i tij.

Nuk dua të zgjatem më shumë me përshkrime të tjera, pasi qëllimi im ishte që t’i bëj të njohur lexuesit objektet, si dhe ndonjë informacion të shkurtër për to. Objektet ruhen në gjendje shumë të mirë dhe në kushte optimale në muzeun e teatrit në Vjenë dhe nxirren (jo të gjitha) me raste të rradha në ndonjë ekspozitë për historinë e teatrit, apo ndonjë përkujtimore për Aleksandër Moisiun.

Foto 14: Autori i shkrimit Pjeter Logoreci pranë objekteve të trashëguara nga Moisiu
Foto 15: Busti nga afër
Foto 16: Në arkivin e Teatrit të Vjenës

Vjenë, 25 shkurt 2014