Nga ADRI NURELLAI, 29 Nëntor 2012
TIRANE – Atmosfera e krijuar, përfshirja spontane masive, stolisja e dendur me flamuj, entuziazmi i përcjellë për festën e njëqindvjetorit demonstruan qartë një rimëkëmbje të krenarisë kombëtare në Shqipëri. Përtej banaliteteve të përditshmërisë shqiptare, inercisë së grindjeve politike, përplasjes së egove të kërcyera të liderëve dhe për inat të cinikëve, skeptikëve, dashakeqëve, fatalistëve dhe disfatistëve, pjesa më e madhe e shqiptarëve e festuan me dinjitet, hare e përfshirje të sinqertë festën e jubileut. Por përtej ngazëllimit dhe ekzaltimit elektrizues ky qindvjetor thërret për një bilanc, kërkon një reflektim të mirëfilltë dhe gjakftohtë për Shqipërinë çka qenë, çështë e çdo të jetë.
Ne jemi një komb të mbijetuarish dhe historinë moderne të kombit tonë mund ta kuptojnë vetëm kombe me fat të ngjashëm tragjik si hebrenjtë apo armenët Kalvari i mundimshëm i shqiptarëve nisi që në mesin e dytë të shekullit të 19-të me pastrimin etnik të nisur prej të reja shteteve sllave. Ky proces i hidhur arriti kulmin me luftën ruso- turke kur me ndihmën e forcave ruse, serbët masakruan dhjetëra mijëra shqiptarë, pastruan etnikisht mbi 600 fshatra të krahinave të Toplicës, Vranjës, Pirotit, Kurshumlise e Leskovcit duke dëbuar mbi 200 mijë banorë vetëm gjatë periudhës 1878-81.
Shfarosja, shpërngulja, shpronësimi, asimilimi dhe diskriminimi u bënë pjesë e të qenurit shqiptarë dhe e nesërmja ngelej e vazhdimisht e pasigurtë posaçërisht për familjet që ishin në skajet e trojeve të Shqipërisë. Pastrimi etnik vijoi për gjithë shekullin e kaluar duke patur momente veçanërisht dramatike sikurse qene luftërat Ballkanike dhe pushtimi i Shqipërisë pas Traktatit të Londrës, dëbimi masiv i shqiptarëve nga shteti grek në shkëmbimin e popullsisë në vitin 1923 pas marrëveshjes së Lozanës, shpërngulja e shqiptarëve drejt Turqisë nga qeveria e Pashiqit e mandej dekada më pas prej Rankoviçit, masakrat dhe dëbimi nga Çamëria për të vijuar tek operacioni Patkoi i Millosheviçit. Njëqind vjet më para u shpall pavarësia për të gjitha trojet etnike ku shqiptarët ishin shumicë dërrmuese. Asokohe shqiptarët jetonin në rreth 75 mijë kilometra katrorë të katër vilajeteve dhe Ismail Qemali me etërit e tjerë themelues kërkoi ndërtimin e një shteti që ishte diku tek 55 mijë kilometra katrorë.
Padyshim që ajo që u arrit me shtetin shqiptar është vepër madhështore, anipse ishte shtet i gjymtuar. Kjo festë është më se e merituar për të gjithë ata që ndihen shqiptare mirëpo ne ende kemi hesape të palara dhe pengje e plagë të ngelura nga historia me të cilat duhet të merremi paralel me sfidat bashkohore. Neve na lind nevoja që në këtë qindvjetor mos të ngelemi thjesht në nivelin e ekzaltimit dhe festimit, por mbi të gjitha të reflektojmë, të nxjerrim mësim nga pësimet, të vajtojmë për vuajtjet dhe plagët e trashëguara dhe të përveshim mëngët për të çuar përpara projektin e rilindasve.
Ne nuk duhet të vetëkënaqemi por ta kapitalizojmë këtë momentum historik për të bërë hapa gjigandë përpara. Ne sot kemi Kosovën shtet të pavarur por dy shtetet shqiptare sot janë më të varfërat në Evropë, shqiptarët e Maqedonisë ende nuk marrin çfare meritojnë, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Malit të zi vazhdojnë të diskriminohen dhe çështja çame ende nuk e ka marrë rrugën e zgjidhjes. Asimilimi vazhdon edhe sot tek shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë e Çamërisë, shqiptarët muslimanë të Sanxhakut dhe shqiptarët katolikë të zonës së Tivarit dhe Krajës.
Prandaj nuk duhet të iludohemi me shprehjen “bacë u kry” se ende rrugë e gjatë ngelet për t’u bërë. Prandaj fryma e krijuar këto ditë duhet të përdoret për të përballur edhe problemet e trashëguara edhe sfidat e të ardhmes. Është krejtësisht e pavërtetë dhe bëjnë pandershmëri të madhe intelektuale ata që thonë se shqiptarëve do u duhet të zgjedhin midis integrimit evropian dhe bashkimit kombëtar, demokratizimit dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare, zhvillimit ekonomik apo ngritjes lartë të ndërgjegjes dhe krenarisë kombëtare. Ne si popull mund t’u bëjmë ballë të tëra sfidave, edhe të luftojmë për të ndërtuar një shtet të së drejtës edhe të vëmë në vend padrejtësitë historike, edhe të ndërtojmë institucione shtetërore solide edhe të ndërtojmë një bashkëpunim të çimentuar mbarëkombëtar.
Kur rilindasit tanë ia dolën të bëjnë dhe mbajnë një shtet në kushte jashtëzakonisht të vështira kuptohet që në kushtet tona të favorshme të sotshme ne mund të bëjmë shumë më tepër. Ne shqiptarët kemi mbijetuar si feniksi duke u ringjallur prej hirit dhe kemi demonstruar mjaftueshëm vitalitet në këtë shekull sa për të qenë të bindur që shekulli i ardhshëm ka për të qenë shumë më i begatë dhe i suksesshëm sepse era tanimë fryn në anën tonë. Këtë shekull të ri duhet ta nisim me këmbë të mbarë duke e kthyer dhimbjen në forcë, duke hedhur tutje qaramaninë kolektive, viktimizimin e skajshëm, fatalizmin infektues dhe të parit të së ardhmes me overdoza cinizmi.
Na t’birt e shekullit të ri
që plakun e lamë në “shejtnin” e tij,
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue…
(Gre.M/Shqiptarja.com)