Kalendari ‘tabu’ zgjedhor dhe ‘herezia’ e zgjedhjeve të parakohëshme!

0
85

Artan Xh. Duka, 03.02.2011

‘Vaksinë’ dhe ‘serum’ demokratik!

Mes opinioneve që vijnë nga perëndimi, syresh theksojnë respektimin e kalendarit zgjedhor dhe 2013 si vit zgjedhor. Sipas tyre kjo është demokracia dhe opozitës nuk i mbetet veçse të durojë. Patetike ndërsa injorohen konteksti konkret, durimi në sprovë i elektoratit, performanca e qeverisjes dhe praktikisht zgjedhjet e parakohëshme shpallen ‘herezi’ demokratike ndërkohë që janë normalitet. Pritshmëria e elektoratit shqiptar prej perëndimit ndaj krizës politike, shkon përtej nxitjes për dialog, konsensus e respektim të kalendarit zgjedhor, që sa thelbësore e parimore për stabilitetin demokratik e prevenuese për kriza potenciale, koha dëshmoi se mbeten zë në shkretëtirë. Një shoqërie të ‘plagosur’ në shpresën e inspirimin demokratik, më tepër se ligjërime ‘luksi’ rreth parimeve ‘vaksinë’ i intereson ‘serumi’ intensiv, i menjëhershëm demokratik për të rikthyer normalitetin e izoluar shkaqet që e provokuan.

Ky mjerim demokratik, reflektim i kapacitetit të pamjaftueshëm negocius e predispozicionit të pakët për konsensus për të gjeneruar rezultate të balancuara për palët por maksimalisten për shoqërinë, është shndërruar në makth e tashmë ndërsa po ndërmjetësohet për bisedime Kosovë – Serbi, po ravijëzohet dhe perspektiva e bisedimeve ‘Shqipëri – Shqipëri’ (!). Ndërsa emancipimi demokratik kërkon kohën e vet pas vakumit monist, barra i takon Perëndimit, drejtn të cilit aspirojmë, që të vendosë piketa të qarta në rrugën tonë dhe përmes politikës korrekte të ‘karrotës dhe shkopit’ të sponsorizojë prirjet e bartësit e progresit demokratik e denoncojë e marzhinalizojë shkaktarët e pengmarrjes së parimeve demokratike, haptazi, qartazi e në kohën e duhur.

Kalendari zgjedhor – qëllim apo instrument?

Predikimi rreth respektimit të kalendarit të mbajtjes së zgjedhjeve, përtej racionalitetit e dëshirës së mirë për statukuo qeverisëse, druaj se nuk mund të jetë ‘serumi’ i duhur për kontekstin aktual. Ndërsa është korrekte që kalendari zgjedhor të respektohet në funksion të stabilitetit të qeverisjes për të ndërmarrë dhe performuar reformat në dobi të stabilitetit të shoqërisë, ai presupozon përgjegjësi dhe objektivitet qeverisjeje. Kjo nënkupton transparencë dhe sjellje europiane ndaj performancës duke dëshmuar burrështetësi si në rastin e mosmonopolizimit të arritjeve me rëndësi kombëtare – pranimi në NATO, liberalizimi i vizave, ndërtimi i rrugës së Kombit me paratë e gjithë shqiptarëve, ashtu dhe në rastin e ‘mosvarjes së qyrkut’ të dështimit eskluzivisht opozitës e karshillëkun ekstrem ndaj saj.

Preçedenti ‘burrështetësisë’

Sikurse është mirë të mos krijohet preçedenti i zgjedhjeve të parakohëshme pa shkak thelbësor, të mos rishfaqet preçedenti i protestave të dhunshme ndaj institucioneve, të mos krijohet preçedent i dhunës fatale ndaj protestuesve pa armë, sikundër është mirë që të mos krijohet preçedenti i akuzave reciproke mes pushteteve në demokraci, të krijohet preçedenti i transparencës zgjedhore, është po aq e rëndësishme të krijohet preçedenti i përgjegjshmërisë dhe burrështetësisë në qeverisjeje përmes transparencës së performancës, përfshirjes së opozitës efektivisht në hartimin e strategjive kombëtare, ndarjes realiste dhe objektive të meritave e përgjegjësive për përmbushjen e ambicieve drejt BE e deri ‘shlyerjen’ e dështimit e implikimit në praktika joetike qeverisjeje përmes institucioneve si dorëheqja individuale, distancim e rikompozim qeveritar, rrokadë kryeministrore apo dorëheqje qeveritare e shpallje zgjedhjesh të hershme për efekt votëbesimi në elektorat.

Pika e ‘moskthimit’ – realitet apo bllof?

Në kontekstin shqiptar, debati është fokusuar nëse performanca e pushtetit është ende brënda normalitetit demokratik për të vijuar me statukuonë kundrejt ritestimit në elektorat. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për tejkalim dhe abuzim me standartet demokratike dhe në këto kushte është i domosdoshëm roli i të tretëve duke patur në konsideratë shkaqet e kriterin e një zgjidhjeje që favorizon interesin afatgjatë të publikut.

Përtej arritjeve, për të cilat mazhoranca ka bërë detyrën, ajo po koleksionon shumë ‘skelete në dollapin’ e saj politik duke filluar, sipas opozitës e medias, me Gërdecin, financimin e rrugës së Kombit, konçensione larg transparencës, ‘Arka e shpuar e Noes’ që futi aq ujë në Shkodër, marrëveshje detare jokushtetuese, shkartisje të prioriteteve të zhvillimit, alergji absurde ndaj transparencës zgjedhore, tejkalim fatal i reagimit ndaj protestave të dhunshme, interferencë e intimidim të pushteteve etj devijime nga standarti demokratik e programi elektoral për të cilin u votbesua që e bëjnë realist debatin për gjasën e kalimit të ‘pikës së moskthimit’ përtej të cilës është i domosdoshëm rikonfirmimi i votës popullore.

‘Nyja Gordiane’ dhe ‘herezia’ e zgjedhjeve të parakohëshme

Nëse nisemi nga paranteza se besimi reciprok mes palëve është inekzistent, se secila pretendon monopolin e së vertetës e flet në emër të demokracisë e shtetit ligjor, në kushtet kur ky debat ka përfshirë e ndarë deri-diku dhe faktorin ndërkombëtar, kur koha nuk pret më për reforma të mëdha në interes të të gjithëve, këtë ‘nyje gordiane’ mund të ndajë vetëm një ‘shpatë’: zgjedhjet e parakohëshme.

Zgjedhjet e parakohëshme, në rastet kur performanca qeverisëse stonon me standartet normale demokratike e nuk shoqërohet me katarsis në kohë prej saj, nuk janë më ‘shkopi nën rrotë’ në ecurinë e reformave por ‘karburanti’ i domosdoshëm për përshpejtimin e tyre, ‘metri’

që rilexon saktë dhe bën efektive përpjekjet në vijim. Ato janë shprehje e sjelljes demokratike dhe respektimit me vepra të interesave madhore të shoqërisë përtej statukuosë së interesave të çastit të politikës.

Zgjedhjet e parakohëshme – trofeu i takon të gjithëve

Zgjedhjet e parakohëshme janë burrështetësi e çdo mazhorance që i sfidon ato në rradhë të parë në emër të vetëdijes demokratike dhe më tej pragmatizmit të kredos politike që pason. Nëse është normale të kërkohen nga opozita, ato nuk dëshmojnë dobësi politike të mazhorancës por thirrje ‘xhentëlmenësh’ ndaj opozitës për ‘duel’ demokratik. Kjo sjellje demokratike e rasti për t’a demonstruar atë është një shans për mazhorancën. Duke lançuar ato, përveçse hapet një kapitull i ri në normalizimin e parametrave demokratik, ajo kreditohet me autorësinë e këtij preçedenti solemn demokratik të përgjegjshmërisë politike në ballafaqimet e rradhës elektorale.

Në pritje të reagimit të mazhorancës, opozita është në misionin e saj kushtetues për të kërkuar dhe insistuar në standarte demokratike sjelljeje prej saj me dorëheqjen si pritshmëri normale dhe zgjedhjet e parakohëshme si tezë të panegociushme pas krizës pakthim të besimit se kjo mazhorancë garanton objektivitet në proçesin zgjedhor dhe transparencën eventuale. Ndërkohë sfida për të mbetet të konfirmojë preçedentin e opozitës normale në një vënd demokratik përmes një fushate paqësore kritike ndaj qeverisjes dhe afirmimit të një strategjie alternative për t’i dhënë një arsye më shumë tezës së ndryshimit.

Në këtë garë të fisme për ‘burrështetësi’, vetë Perëndimi ka përballë sfidën për të folur qartë dhe pozicionuar me objektivitet në dilemën ‘statukuo qeverisjeje – stabilitet të qytetarit’. Kalendari zgjedhor nuk mund të jetë qëllim më vete në demokraci. Nëse verifikohet devijancë prej qeverisjes përtej kufirit të pranueshëm demokratik, ndryshimi datave në të nuk përbën ‘mëkat’ por ‘ringjallje’ të besimit në shpirtin demokratik dhe nëse kështu, Perëndimi duhet të jetë i pari që duhet ta sponzorizojë atë.