Kutitë duhen hapur!

0
54

Blendi Kajsiu

Blendi Kajsiu, 01.12.2009

Kutitë e mbyllura mund të kthehen në tumor të demokracisë shqiptare. Edhe pse i vogël tumori mund të shkatërrojë një organizëm të tërë. Po kështu mund t’i ndodhë edhe demokracisë shqiptare nëse kutitë nuk hapen. Dy janë arsyet e ndërlidhura përse mund të ndodhë diçka e tillë. Së pari, përballë protestës masive të opozitës dhe ngërçit politik që ajo prodhon, nuk ka asnjë arsye, politike, juridike dhe logjike që mund të justifikojë moshapjen e kutive. Juridikisht hapja e kutive garantohet në Kodin elektoral, e zeza mbi të bardhë. Ndaj shkelje të ligjit përbën moshapja dhe jo hapja e kutive. Logjikisht askush nuk ka përse të jetë kundër hapjes së kutive.

Nëse shumica aktuale është realisht e tillë ajo nuk ka përse t’i trembet hapjes. Nëse shumica aktuale nuk është e tillë, atëherë hapja e kutive bëhet akoma më e domosdoshme, pasi po qeverisemi nga pakica. Dhe në një demokraci kjo është e papranueshme. Politikisht hapja e kutive legjitimon përfundimisht procesin e elektoral. Kjo do të thotë se nëse kutitë hapen atëherë Partia Socialiste është e detyruar të njohë procesin zgjedhor në tërësinë e tij, pavarësisht se çfarë zbulojnë kutitë. Kjo për faktin e thjeshtë se deri tani procesi është kontestuar pasi kutitë nuk janë hapur. Ndaj me hapjen e kutive përfundon edhe kontestimi i zgjedhjeve nga opozita. Ky është i vetmi kusht që shumica duhet t’i vendosë pakicës për hapjen e kutive.

Përndryshe, hapja e kutive kthehet thjesht në një pretekst për kontestimin e zgjedhjeve. Së dyti, për sa kohë çështja e vogël e kutive mbetet kauza e madhe e protestës së opozitës, ajo anashkalon një sërë çështjesh më themelore për demokracinë shqiptare, duke filluar nga reformimi i sistemit elektoral, deri tek reformimi i qeverisjes apo i opozitës. Këto janë çështje shumë më madhore sesa çështja e kutive. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit në skenën tonë publike ende nuk është debatuar aspak sistemi aktual zgjedhor, pa folur për deformimet kushtetuese Rama-Berisha të cilave akoma nuk ua kemi ndjerë erzin.

Duke u marrë me kutitë ne po harrojmë sistemin kushtetues, elektoral dhe politik që i prodhoi ato, që nesër mund të prodhojë probleme edhe më të mëdha sesa ai i kutive sot. Obsesioni me pasojën po na bën të harrojmë shkakun. Çështja e kutive po mbyt edhe problemin e degradimit të qeverisjes. Zgjedhjet e fundit treguan se degradimi i pushtetit në Shqipëri mund të vazhdojë edhe me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për pasojë rrënjët e këtij degradimi nuk duhen kërkuar thjesht tek zgjedhjet por edhe tek modeli aktual i zhvillimit politiko-ekonomik shqiptar.

Duke u kthyer në simbol të këtij degradimi çështja e kutive rrezikon ta anashkalojë atë tërësisht. Sot ne ndodhemi në një situatë absurde kur teorikisht qeveria aktuale mund të bjerë prej çështjes së kutive për t’u zëvendësuar nga një qeverisje edhe më e degraduar se kjo që kemi. Kjo sepse çështja e kutive ka bllokuar reformimin si të opozitës ashtu edhe të pozitës. Opozita sot po tenton të vijë në pushtet jo duke ofruar ndonjë standard më të lartë qeverisës por në emër të hapjes së kutive. Ndërsa qeveria po tenton të rrijë në pushtet jo duke u përmirësuar por duke mbajtur kutitë mbyllur.

E thënë thjesht çështja e kutive jo vetëm ka bllokuar, por edhe do vazhdojë ta bllokojë debatin dhe procesin politik, tamam si një tumor. Kemi të bëjmë me një ngërç që thellon pikërisht ato pasoja nga të cilat buron. Ndaj çështja e kutive duhet mbyllur me hapjen e tyre. Në të kundërt kutitë e mbyllura do kthehen në simbol të degradimit të pushtetit, të padrejtësisë dhe korrupsionit, të manipulimit të vullnetit popullor, duke prodhuar një zemërim që do të vijë duke u rritur teksa popullata përballet me vështirësi në rritje ekonomike, me një pushtet arrogant në degradim dhe me një kryeministër të destabilizuar.

Ironikisht çështja e kutive do deformojë edhe zemërimin popullor duke e kanalizuar atë në një çështje që është më e madhe për liderin e opozitës sesa për demokracinë shqiptare. Në këto kushte, në emër të kutive ne rrezikojmë një rotacion pushteti me të njëjtin sistem elektoral problematik, me të njëjtën kushtetutë të deformuar nga Berisha dhe Rama, dhe pa vendosur asnjë standard moral në qeverisje. Hapja e kutive sot mund ta parandalojë materializmin e këtij skenari nesër.