Zgjedhje të parakohshme?

0
71

Artan Xh. Duka, 02.02.2011

Kriza perpetum!Kur ‘ena’ social-ekonomike tejvlon e shigjeta është në ‘zonën e kuqe’, shkarkimi i presionit përmes valvolave demokratike – dorëheqje individuale, rikompozim qeveritar e deri zgjedhje të parakohëshme janë pritshmëri normale për një qeveri NATO-je e opozita është në misionin e saj kur insiston në të.

Nëse politika ka për moto stabilitetin e vëndit, prej shumë muajsh ai është marrë peng prej saj teksa ende debatohet për ‘tabu’ të demokracisë – vota e lirë e përgjegjshmëria qeveritare me pasoja në jetën e vëndit. Kemi pezulli të reformave strukturore, BE na ktheu ‘thëmbrat nga majat’, na hapi kufijtë të fundit por me ‘kokën të kapur në derë’, matrica e investimeve denoncohet prej opozitës e medias për korrupsion, mostransparencë e klientelizëm, buxheti është ‘vrimë e zezë’ që shpërdorohet hapur, harta e varfërisë zgjerohet, jeta e dinjiteti janë zhvlerësuar, nepotizëm elitar, mikrokorrupsion që stimulohet më tej prej modeleve lart, mosbesim të theksuar mes palëve rreth lirisë e transparencës së votës, protesta të shumta deri me sakrifica sublime apo media që përpëlitet në darën e politikës.

Stabilitet qeverisjeje apo stabilitet shoqëror!Nëse prioritet është stabiliteti i shoqërisë e jo të qeverisjes, qytetarit e jo politikanit, statukuoja e vlerave demokratike e jo abuzimi autokrat, kur nga lufta mes ‘titanëve’ nuk ka asnjë të fituar përveç politikës e asnjë të humbur përveç shoqërisë, në kushtet kur ‘vlimi’ popullor del jashtë kontrollit, valvula e shkarkimit mbetet veç zgjedhjet e parakohëshme. Statukuoja politike e tanishme nuk garanton stabilitet shoqëror e prishja apo ‘reboot’ e saj përmes zgjedhjeve të parakohëshme mbeten shpresa për stabilitetin e dëshiruar.

‘Mocioni i Mosbesimit’ popullorNë këtë kontekst dramatik social-ekonomik, kampi opozitar po shndërrohet në front multi-ideologjik për shkak të konvergimit të interesave të shtresave që, ndonse ideologjikisht ndahen, përjetojnë njëlloj efektet e bllokimit të sistemit, demokracisë tribale duke parë zgjedhjet e parakohëshme si shansin e vetëm për të evituar preçedentin e ‘tokës së djegur’. Nëse mekanizmat kushtetues favorizojnë stabilitetin e qeverisjes, kur kjo nuk promovon stabilitet shoqëror, mbetet mekanizmi moral – ‘mocioni i mosbesimit popullor’ shprehje e së cilës janë protestat e pandalshme e masive që përtej ‘pikës pakthim’ nuk amortizohen as me rrokadë kryeministrore apo rikompozim qeveritar për shkak të paragjykimit të mazhorancës që shkoi tepër larg me karshillëkun ndaj votës, abuzimin me qeverisjen e ushtrimin absurd të dhunës.

Kriza ‘pakthim’ e besimit Zgjedhjet lokale janë tejkaluar tashmë si testi për të vlerësuar mbajtjen apo jo të atyre të përgjithshme sepse dinamika e deritanishme e ngjarjeve – arroganca e KQZ, pandjeshmëria e mazhorancës ndaj institucioneve të huaja, intimidimi ndaj administratës e pushteteve të tjera, djegja e fletëve të votimit, roli i Ministrisë së Brëndëshme e akuzuar prej opozitës për fanatizëm partiak dhe jo profesionalizëm, denigrimi i protestave paqësore e tashmë sakrifica sublime e tre protestuesve që provokoi ‘pikën e moskthimit’, nuk ofron më garanci për objektivitet të proçesit e transparencës.

Preçedent i (mos)marrjes peng të Republikës!Zgjedhjet e 2009 nuk ishin të standartit të NATO ndaj sesa arsye më pak janë arsye më shumë për rikonfirmim të vullnetit të elektoratit në kushtet kur mazhoranca abuzoi me mirëbesimin e çertifikuesve ndërkombëtar e performon larg pritshmërisë të një qeverie NATO-je. Zgjedhjet e parakohëshme nuk janë shpërblim për opozitën që kryen detyrën kushtetuese në denoncimin e abuzimit qeveritar, me efekt të ‘padëshirueshëm’ preçedentin e ‘marrjes peng’ të Republikës në të ardhmen por obligim ndaj publikut e preçedent i dëshirueshëm i ‘mosmarrjes peng’ të saj prej qeverive abuzuese në të ardhmen.

Sfida nuk është dekurajimi e shtypja e protestave por mosprovokimi i tyre përmes qeverisjeve të përgjegjshme në respekt të Republikës që tanimë e dinë se çfarë pason nëse derdhet ‘kupa’ e abuzimit e intimidimit të të drejtave kushtetuese. Nëse nuk kemi zgjedhje të reja dhe nuk krijojmë preçedentin e ndëshkimit politik, pushteti imunizohet prej llogaridhënies e abuzimi veç riciklohet me opozitën në pushtet. Nëse stabiliteti qeverisjes dhe jo i shoqërisë shndërrohet në qëllim më vete, nuk mbetet veç të hiqet prej Kushtetutës e drejta e opozitës për mocion të mosbesimit duke legalizuar kështu karshillëkun ndaj elektoratit.

Respektimi standarteve fillon nga mazhorancaNë një vënd të NATO e para që duhet të standartizohet demokratisht është mazhoranca. Opozita duhet të mos abuzojë me të drejtat e saj kushtetuese e ndër to dhe tubimi por mazhoranca shumë më herët se 21 Janarit duhej të reagonte si një qeveri në NATO duke vënë në dispozicion e jo imunizuar të dyshuarit e Gërdecit, respektuar e dëshmuar vullnet për transparencën zgjedhore, respektuar rezolutën e PE, spastruar individët e përfolur për korrupsion dhe rikompozuar apo ofruar dorëheqjen pas tragjedisë së 21 Janarit. Tubimi i 21 Janarit degjeneroi në dhunë por faji nuk është simetrik.

Përtej intimidimit të opozitës deri në 20 janar tashmë po projektohet inkriminimi i saj dhe kjo është ‘paloburrështetësi’! Përpara se perëndimi t’i kërkojë normalitet demokratik opozitës të intimiduar e shpërfillur në ekstrem, ai duhet të verifikojë marrëdhëniet me një mazhorancë që duke mos respektuar opozitën, nuk ka respektuar shoqërinë, vlerat perëndimore që aspirojmë dhe vetë perëndimin që i ka për shumë zëmër ato.

‘Gandizëm’ që impresionon e impononTubimi homazh i 28 Janarit, nderoi jetën e dëshmorëve më të fundit të demokracisë, lartësoi një komb përpara opinionit botëror e konfirmoi ‘Gandizmin’ opozitar që impresionon e imponon përballë ‘burrështetësisë’ surrogate të mazhorancës që e akredituar në mënyrë absurde prej perëndimit, ngre pikëpyetje rreth konsistencës së realizmit të perceptimit të tij politik. I paragjykuar padrejtësisht, tubimi theu frikën e intimidimit ndaj një opozite që nëse do e anullonte atë, nuk do të ‘guxonte’ më të tjerë duke krijuar një standart demokracie ‘buono per Albania’.

Ndërsa ka fituar opinionin e brëndshëm, sfida e opozitës është lobimi i perëndimit për të davaritur çdo hezitim apo mëdyshje e garantuar partnership solid nën frymën e vlerave të përbashkëta të qytetërimit demokratik perëndimor konfirmimi i të cilave përbën ‘burrështetësi’ politike reale.

Zgjedhje të parakohëshme jo të parakohëshme! Pas 21 Janarit arsyet nuk janë pakësuar por janë kompletuar për të lançuar zgjedhje të parakohëshme. Për mazhorancën është shansi për të rikonfirmuar 2009 e marzhinalizuar ‘puçistët’ që luftojnë me ‘mullinjtë e erës’. Ajo ka shansin e inicimit e kreditimit që pason nëse e para lançon ato duke pritur si kompensim për ‘burrështetësinë’ statukuonë qeveritare deri në zgjedhje me avantazhet ‘legale’ si kontrolli institucioneve, administratës, fondet, media. Kjo sepse zgjedhjet janë në funksion të zgjidhjeve e jo të riciklimit të ngërçeve ndaj për opozitën parakohshmëria e zgjedhjeve të parakohshme apo zhvillimi nën administrimin e qeverisë që nuk ofron garanci e nuk respekton transparencën, do të provokonte potencialisht një cikël të ri abuzimesh zgjedhore, karshillëk ndaj opozitës e tension pambarim për shoqërinë.

Qeveri e ‘Mirëbesimit’Sfida e opozitës është organizimi i zgjedhjeve të parakohëshme në kohën e duhur prej një qeverie të ‘Besimit’ apo ‘Mirëbesimit’ për të balancuar e neutralizuar politizimin fanatik në administratën përgjegjëse direkt apo indirekt për zgjedhjet. Njëkohësisht apo në distancë disa mujore prej atyre lokale por me kushtin e vetëm që secila të administrohet prej ‘Qeverisë së Mirëbesimit’. Ato duhet të paraprihen edhe nga përmbushja e teknikaliteteve si karta identiteti online, filtrim listave zgjedhore, garanci për rishikim rezultati apo monitorim të fondeve elektorale. Zgjedhjet e parakohëshme veç më mirë shpien. Kushti i vetëm është respektimi votes dhe besimi reciprok garantuar prej Qeverisë së ‘Mirëbesimit’.