Panorama, 24 Nëntor 2012
Eurodeputetja social-demokrate, Tanja Fajon deklaroi sot në Lubjanë se Bashkimi Evropian është duke u përpjekur për gjetjen e “mekanizmit për aplikim të përkohshëm të regjimit të vizave për vendet e treta”.
Sipas agjencise turke Anadollya, Fajon e ka thënë këtë duke folur për mundësitë e rikthimit të regjimit të vizave për shtetet e Ballkanit perëndimor.
Ajo ka kujtuar se Komisioni Evropian para një viti ka dhënë propozimin që shtetet anëtare të BE-së të kenë mundësi të futjes së sërishme të regjimit të vizave, para së gjithash për shtetasit e vendeve të Ballkanit perëndimor.
“Presioni i shteteve anëtare të BE-së është shumë i fuqishëm për arsye të paraqitjes së numrit të madh të azilkërkuesve. Nga fillimi i vitit të ardhshëm do të miratojmë atë mekanizëm. Pas miratimit të tij, disa shtete do të kërkojnë futjen e sërishme të regjimit të vizave. Kjo do të mund t’i ndodhë edhe Serbisë”, tha Fajon të premten në mbrëmje në Lubjanë. (Koha Ditore)