KOHA PËR T’I THËNË “JO” REPUBLIKËS SË BERISHËS

0
41


Andrea Stefani

“Mos lejoni që në Shqipëri të kryhet një grusht shteti brenda shtetit”! Kjo është thirrja që opozita u drejtoi “ndërkombëtarëve” në një përpjekje për të ndalur persekutimin e opozitës nga ai që lideri i saj, Edi Rama, e quajti “regjim i kusarisë”. E ndërsa Kryeministri Berisha po përshkallëzon një aksion politik mbiligjor dhe autokratik kundër opozitës, në qarqe politike dhe gazetareske perëndimore janë shtuar zërat që kërkojnë një ndërhyrje më të prerë dhe më të qartë të BE-së dhe SHBA-së lidhur me krizën në Shqipëri. Është një gjë që perëndimorët duhet ta bëjnë jo vetëm sepse kështu mund të shmanget një degradim i krizës me pasoja të pallogaritshme në Shqipëri dhe rajon, por edhe sepse, në një farë mase, ata vetë janë përgjegjës për shpërthimin e saj.

* * *

S’ka asnjë dyshim që shkaqet kryesore të krizës duhen kërkuar në Shqipëri. Veç nuk duhet harruar se kemi të bëjmë me shkaqe që nuk u shfaqën befas tani, por që janë toleruar të zhvillohen e fuqizohen nën “mbikëqyrjen”, madje sponsorizimin e vetë perëndimorëve. Tashmë nuk mund të tolerohet që ndërkombëtarët të bëjnë të befasuarin lidhur me Qeverinë ‘Berisha’, ashtu sikundër bënë gjatë krizës së vitit 1997 me Presidentin Berisha. Nëse në atë kohë Perëndimi “u kap në befasi” nga kriza e piramidave financiare që rrënoi një ekonomi, e cila sipas Bankës Botërore dhe FMN-së ishte më e shpejta në rajon për reforma, sot nuk mund të tolerohet e njëjta sjellje lidhur me rrënimin “e beftë” të demokracisë së “suksesshme” shqiptare.

Sepse, edhe në krizën e vitit ’97, por edhe në këtë të sotmen, nuk ka pasur dhe nuk ka vend për befasi. Informacionet për zhvillimin e së keqes ishin dhe janë dhënë me kohë. Por, janë neglizhuar për shkaqe të mbetura ende në errësirë nga qarqe politike perëndimore. Për sa i takon krizës së vitit ’97, deri në shtypin perëndimor janë botuar artikuj që shprehin habinë se përse diplomacia europiane injoroi për vite me radhë informacionet e shërbimeve sekrete po perëndimore, mbi kriminalizimin e qeverisjes në Shqipëri. Kujtojmë artikullin: “Qeveria e gangsterëve që ne financojmë”, e publikuar nga gazetari Endrju Gembëll në të përditshmen britanike “The Indipendent”.

Kujtojmë shkrimet e Miranda Vikers dhe Xhejms Petifer, që ngritën alarmin për të njëjtën shurdhëri të Perëndimit ndaj zhvillimeve reale në Shqipëri. Kujtojmë injorimin nga qarqe politike perëndimore të alarmeve të ngritura nga Helsinki Uoç, lidhur me cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut apo të pavarësisë së gjyqësorit nga një regjim me tone gjithnjë e më autokratike në Tiranë. Kriza e vitit ’97 ishte e paralajmëruar, por e neglizhuar. E tillë është dhe kjo e sotmja, që është një krizë mes një qeverie gjithnjë e më autokratike dhe tiranike nga njëra anë, dhe një opozite gjithnjë e më të revoltuar në anën tjetër. Perëndimorët kanë përgjegjësi, sepse kanë toleruar për më se 2 vjet intolerancën e një qeverie që i mohoi opozitës, antikushtetutshmërisht, të drejtën për transparencën më minimale të zgjedhjeve.

Perëndimorët kanë përgjegjësi për precipitimin e 21 janarit, sepse për rreth 2 vjet nuk mbështetën, por duke lënë thuajse të dështojë para arrogancës qeveritare, një aksion masiv, por shumë paqësor i opozitës për transparencën e votës. Por, perëndimorët janë përgjegjës edhe për një tjetër zhvillim, që në fakt ka sjellë deformimin e sistemit politik në Shqipëri, duke e transformuar nga republikë parlamentare, në një republikë kryeministrore. Është fjala për amendimet e Kushtetutës në prill të vitit 2008 dhe që, për fat të keq, u trumbetuan nga “ndërkombëtarët” si një “konsensus historik” mes PD-së dhe PS-së.

Ato amendime rrënuan gjithë kundërbalancat dhe kontrollet mbi Kryeministrin, dhe ky është një nga shkaqet se përse Berisha shfaqet kaq i dhunshëm sot me institucionet. Sepse, Berisha nuk do të sillej kaq pa etikë me Kryeprokuroren nëse mandati i saj, nga i pakufizuar, nuk do të ishte limituar me amendimet në 5 vjet. Kryeministri Berisha nuk do të ishte treguar kaq i egër me Presidentin Topi nëse ky do të kishte akoma mundësinë për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Por, Presidenti s’mund ta bëjë dot një gjë të tillë, sepse tashmë shumica mund të zgjedhë një tjetër President vetëm me 71 vota të saj.

I vetmi që mund ta çojë vendin sot në zgjedhje të parakohshme është Kryeministri. Është një monopol që ia kanë dhënë amendimet e Kushtetutës që u lavdëruan nga ndërkombëtarët, të cilët nuk deshën të dëgjonin zërat kritikë në Tiranë si nga media, shoqëria civile, partitë politike më të vogla, ish-presidentët Moisiu dhe Mejdani apo politikani dhe njëri nga ‘baballarët’ e Kushtetutës, Godo. Delegacioni i Komisionit Europian, zyra e OSBE-së, shumë ambasada të tjera perëndimore në Tiranë, u shprehën në publik se amendimet do t’i vlenin stabilitetit të qeverisjes.

Dy vjet më vonë kemi jo stabilitet, por një krizë që po e shpie Shqipërinë dhe demokracinë në humnerë, gjë që provon sesa të gabuara kanë qenë kalkulimet e perëndimorëve. Prandaj themi se kanë përgjegjësinë për krizën, pra edhe detyrimin që të ndërhyjnë fort për zgjidhjen e saj. Tashmë nuk është më koha që institucionet perëndimore të mbajnë qëndrime “të paanshme”, si ai i shpalosur nga hungarezi Martnoyi në Parlamentin Europian. Presidenca nuk mund të bëhet palë, – tha Martnoyi. Është krejt e kundërta.

Kush nuk mbështet të drejtën, bëhet vetiu palë me të padrejtën. Prandaj, edhe Presidenca e PE-së duhet të bëhet palë me atë që është e drejtë, në favor të demokracisë dhe lirisë në Shqipëri. Për një angazhim më të vendosur po flasin edhe zëra brenda Parlamentit Europian. Dhe, nëse edhe këtë herë Perëndimi do ngurrojë të bëhet palë me të drejtën, në Shqipëri do fitojë e shtrembra. Është koha që Europa dhe SHBA-të të përmbushin angazhimin që kanë bërë para shqiptarëve se do mbështesin demokracinë dhe lirinë në Shqipëri.

Dhe, për këtë është më e pakta t’i thuash “jo” një Kryeministri që po privatizon Republikën, ndërsa shpall se do qëndrojë në pushtet edhe 30 vjet! T’i thuash “jo” një Kryeministri që ndërsa akuzon me intriga dhe shpifje prej autokrati opozitën si vrasëse e 3 demonstruesve apo si autore të një grushti shteti, është vetë që godet vetë me grusht autokrati Kushtetutën, ligjet, institucionet e shtetit, Presidentin, Prokurorinë, Shërbimin Informativ dhe gjithkënd që nuk i nënshtrohet.