Nga Abedin Kaja
Të kthyer në një popull heshtjerëndë, duket se vetë po e pranojmë shtrëngimin fizik dhe psikik duke e kthyer kështu dhunën në mënyrë jetese për vete dhe fëmijët tanë. Të vetmet ambiente, ku thyhet heshtja dhe ku shqiptarët debatojnë, janë mejhanet. Aty, ndërsa rrufitin kafen dhe rrëkëllejnë gotën e rakisë, shqiptarët analizojnë gjithçka ndodh, kritikojnë, shkarkojnë dhe emërojnë drejtues institucionesh, por, kur vjen puna për të dalë në “shesh të mejdanit” dhe për ta institucionalizuar kritikën, tërhiqen për në banesat e tyre të varfra. Përfituesi i vetëm i kësaj heshtjeje është politika, e cila edhe ato pak kritika publike në rastet më të shpeshta i keqinterpreton në opinion dhe, siç ndodh te ne, në vend që objekt i debatit të bëhen dukuritë e kritikuara, në qendër të reagimeve vihen vetë autorët e saj, ndaj të cilëve drejtohen sharje dhe fyerje banale duke i cilësuar si tradhtarë, servilë politikë, njerëz pa moral etj.
Dhuna e pushtetit e ushtruar ndaj medieve kritike tregon se autorët e kritikave konstruktive nuk u shpëtojnë dot denigrimeve personale, vetëm se kanë guximin që t’i kritikojnë haptazi dukuritë negative në shoqëri ose për faktin se nuk ngurrojnë t’iu drejtojnë vërejtje udhëheqësve politikë dhe partiakë për sjelljet e tyre të papërgjegjshme ose për manipulimet politike që bëjnë me elektoratin, i cili u ka dhënë votëbesimin. Sipas mendësisë konformiste te disa nga politikanët tanë kritikuesit janë automatikisht në anën e kundërshtarit politik, se kritikat ndaj tyre nuk duhen lejuar, sepse “për momentin nëpër të cilin po kalon vendi, kritikat pengojnë procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin e vendit në BE, se për çështjen kombëtare duhet ndaluar çdo kritikë duke krijuar në mënyrë virtuale përshtypjen se kombëtarë janë vetëm ata që janë në pushtet”. Qëllimi i vetëm i kësaj politike është t’iu mbyllet goja të gjithë atyre, të cilët guxojnë të kritikojnë dukuritë negative në shoqëri, pra, të pengohet shfaqja e mendimit ndryshe, si dhe të mos i jepet hapësira e duhur debatit dhe kritikës si mjet korrigjues për shoqëritë demokratike. E gjitha kjo bëhet nga frika që pushtetarët kanë nga faktet dhe ka si qëllim shmangien përgjegjësive ligjore dhe obligimit të tyre për mosrealizimin e angazhimeve të marra para zgjedhësve, veprime që flasin për paaftësinë e pushtetarëve dhe ruajtjen e status quo-së për zgjedhjet e radhës.
Heshtja si frikë e hakmarrjes nga pushteti
Të ballafaquar me përvoja të hidhura të hakmarrjes nga pushteti, si largimet nga puna për vete dhe të afërmit e tyre, madje edhe nga mungesa e shërbimeve më elementare në zyrat e pushtetit, shumë prej qytetarëve parapëlqejnë që të mos flasin. Shkaku tjetër ka të bëjë me mos-efikasitetin e institucioneve të drejtësisë që gjithashtu heshtin përpara krimit dhe sidomos atij ekonomik, që ka si autor jakat e bardha. Kjo ka bërë që qytetarët të humbasin besimin ndaj institucioneve të drejtësisë dhe ka shtuar frikën e tyre, e cila rezulton me heshtje. Situata e krijuar ka pjellë unitetin e të kundërtave që rezulton në mos-efikasitetin e institucioneve, që ndodh për shkak të heshtjes së qytetarëve, ndërsa heshtja e qytetarëve vjen edhe si pasojë e frikës që zmadhohet për shkak të jo-efikasitetit të pushtetit.
Shkrimtari nobelist Eli Vizel, hebre i mbijetuar i Holokaustit, e ka quajtur heshtjen dhe indiferencën si “nëna e të gjitha të këqijave”. Ndërsa ka analizuar këtë të keqe të madhe të shoqërisë, ai ka thënë: “E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca. E kundërta e artit nuk është shëmtimi, është indiferenca. E kundërta e besimit nuk është herezia, është indiferenca. E kundërta e jetës nuk është vdekja, është indiferenca”. Në shoqëritë që heshtin, lulëzojnë thashethemet. Ata që e ushqejnë heshtjen, janë kryesisht politikanët dhe sundimtarët pushtetplotë, të cilët jo rrallë fusin duart dhe vjedhin nga prona publike dhe qypi i florinjtë i shtetit. Dhe për të vazhduar në rrugën e fitimeve të paligjshme pushteti instalon sistemin e frikës. Kush flet, pëson. Kush nuk nënshtrohet, dënohet. Kush kritikon, shpallet armik. Kush proteston, akuzohet për tradhti.
Dhuna psikologjike si dhunë fizike
Debatet e fundit mes krerëve të politikës dhe sidomos dhuna që përcillet nga tempulli i lirisë, pra nga foltorja e Kuvendit sipas psikologëve janë presion mbi qytetarët dhe cilësohen si të ngjashme me torturat e dhunimet fizike. “Një ndryshim mes torturës dhe trajtimit poshtërues nuk është vetëm i pavlerë, por edhe i rrezikshëm”, – komenton psikologu Steven Milesm, profesor në Universitetin e Minesotës.
Edhe në pasojat afatgjata psikike, shkencëtarët nuk kanë gjetur asnjë ndryshim thelbësor mes torturës fizike e asaj psikologjike. Para së gjithash, prishja apo ndërhyrja në ritmin e ciklin normal të një njeriu, siç është izolimi nga jeta e përditshme, pengimi i mundësive që një person të përfitojë lirisht nga mundësitë që i jep jeta, apo kërcënimet, ka pasur të njëjtat pasoja ashtu sikurse kanë viktimat e një dhunimi apo abuzimi fizik. Të prekurit vuajnë me vite të tëra nën efektet e ashtuquajtura “shqetësime post-traumatike”: tmerri, ankthi, rikthimi i kujtimeve nga e kaluara e hidhur apo shqetësimet gjatë gjumit.
Të gjitha këto bëjnë pjesë në përditshmërinë e jetëve të tyre. Edhe dhimbjet fizike në trupin e tyre, paniku apo humbja e ndërgjegjes, mund të dalin në pah aty. Nuk mund të ketë një popull tjetër të familjes evropiane veç shqiptarëve që të tolerojë talljet që bën pushteti me ta. Le ta marrim aspektin e korrupsionit. Kryeministri i vendit thotë se, kush akuzon të dyshuarin për shpërdorime në tenderët për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, ka punë me mua! Ai thotë se Fazlliçin nuk e ka takuar, por, po ta kishte takuar, do ta çonte në Kuvend – sikur Kuvendi i Shqipërisë të ishte bajraku i tij! Kryeministri shqipton gënjeshtra, mashtrime, shpifje, pa e vrarë mendjen për pasojat që shkaktojnë ato në shoqërinë shqiptare! Kryeministri i shqiptarëve fyen deputetët dhe politikanët e opozitës pa kursyer as familjet e tyre nga foltorja e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë si të ishin ato foltore të tij private! Ai akuzon sot për krime E. Hoxhën dhe R. Alinë, ndërkohë që deri dje u ka thurur lavde dhe ka qenë beniamini i tyre.
E vetmja rrugëdalje, thyerja e murit të heshtjes
Një shtegdalje e mundshme është reflektim i plotë i politikanëve, të cilët për gati 20 vjet të ndërtimit të institucioneve kanë manifestuar disa prirje që kanë ndikuar që ata ta humbin kontaktin me interesat e qytetarëve. Ky reflektim i tyre mund të ishte në formën e përgjegjësive konkrete si institucion i dorëheqjeve. Mirëpo mund të jetë edhe si korrigjim i sjelljeve korruptive nepotiste të shpërdoruesve, që qëndron në themel të humbjes të besimit të qytetarëve. Në fund të fundit, secili qytetar mund të thyejë murin e heshtjes me një gjykim të drejtë dhe duke gjykuar sipas aksiomës: ajo që është keq për mua, është keq edhe për të tjerët, pavarësisht nga pozicioni shoqëror dhe përkatësia politike që gjithsecili ka. Dhe që e keqja të mos i ndodhë askujt, secili nga ne duhet të bëjë diçka për ta pastruar farën e së keqes që vazhdon të rritet duke na u varur si kulpër në qafë dhe që po na merr frymën të gjithëve. Kjo aksiomë morale do ta thyente dhe murin e heshtjes, mur i cili po bëhet mburojë e së keqes dhe po rrezikon, jo vetëm të sotmen, por edhe të ardhmen e fëmijëve tanë.