Shoqatat e gazetarëve: Po kërcënohet liria e medias

0
49

Shoqatat e Gazetarëve në Shqipëri janë të shqetësuara nga kërcënimi publik që kryeministri Sali Berisha dhe disa zyrtarë të tij, pjesëtarë të një komisioni hetimor parlamentar kanë bërë ndaj gazetarëve të njohur të medias shqiptare. Ky komision, i ngritur me votat e shumicës në parlament, kërkoi të hetohen tabulatet e 4 gazetarëve kritikë me qeverinë, nën dyshimet e pabazuara se kanë nxitur përplasjen mes demonstruesve dhe forcave qeveritare pas të cilave u vranë tri qytetarë më 21 janar 2011.

Komisioni kërkoi që gazetarët Andi Bushati, Vizion Plus, Filip Cakuli, Top Channel, Sokol Balla Top Channel dhe Mero Baze i Gazeta Tema, të vënë në dispozicion të Komisionit tabulatet e tyre telefonike dhe të raportojnë për dyshimet e ngritura nga Komisioni.

Ne përfaqësuesit e medias në Shqipëri shprehim shqetësimin tonë për tonet kërcënuese ndaj profesionisteve te medias dhe nderhyrjen flagrante ne ushtrimin e lire te profesionit tone. Mbulimi i ngjarjeve nga gazetarët dhe qëndrimet e tyre janë pjesë thelbësore e lirisë së medies dhe kërcënimi ndaj tyre tregon shkallën e ulët të standardit të lirisë së medias që aplikon qeveria në Shqipëri.

Ne jemi të shqetësuar se perzgjedhja dhe sulmi ndaj tyre bëhet për të frikësuar median kritike e cila ka denoncuar skandalet korruptive të qeverisë. Ky akt pason sulmet fizike ndaj disa gazetarëve në protestën e 21 Janarit, ku policia rrahu gazetarin Ened Janina të gazetës Shekulli, gazetarin Ardi Bita të Vizion Plus, ndërsa u plagos gazetari i ABC News, Fatos Mahmutaj.

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarve Profesionistë
Forumi Shqiptar për Mediet e Lira