A këshillohet i pakëshillueshmi?

0
66

Nga Ilir Dhima

Tregojnë që, mbi dy shekuj më parë, në Zvicër dy bashkëshortë të një familjeje të njohur nga Gjeneva takuan Pestalocin, duke iu lutur këtij themeluesim të pedagogjisë moderne që të pranonte të merrte përsipër edukimin e fëmijës së tyre, sipas parimeve të veta mjaft premtuese.

Pas një çasti meditimi, Pestaloci i pyeti bashkëbiseduesit për moshën që kishte djali i tyre, dhe prindërit iu përgjigjën që e kishin shumë të vogël, vetëm 5 vjeç. “Ah, është tepër i madh!” – e mbylli bisedën pedagogu. Kjo gojëdhënë e përhapur gjatë dhjetëra e dhjetëra viteve nëpër shumë vende të botës, prej kohësh ka gjetur strehë edhe në Shqipëri, ku është përkthyer se, njeriu nis ta marrë edukatën e tij me qumështin e gjirit.

Në rastin e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, shqyrtimin e kësaj teme është vështirë ta fillosh që prej foshnjërisë së tij. Por, po të shfletojmë shënimet e dikurshme të Dritëro Agollit, të cilin puna e gazetarit dikur e kishte shpënë edhe në fshatin e thellë Viçidol të Tropojës, mësohet pak a shumë që gjatë një të bujture në shtëpinë e Berishës, i ati i këtij i shpjegon mikut të ardhur aty nga Tirana, se djali nuk po mblidhej hëpërhë në vatër, ngaqë kishte dalë shkrepave të kërkonte dhinë, të cilën të tjerët e kishin gjetur dhe futur në grazhdin e kafshëve. Por, ndonëse këtë ia kishin thënë Sali sokolit, ky s’kishte pranuar të kthehej pa e gjetur dhinë ai dhe vetëm ai.

Më vonë e në vazhdim, energjitë e tepërta që ka mbartur ky njeri nëpër këmbë e nëpër gojë e bënë këtë, me sa duket, të mos mundë kurrë që të arrijë një fleksibilitet të pranueshëm të sistemit të reagimit. Dhe, kur koha solli nevojën e domosdoshme të ndryshimit të menjëhershëm në vendin tonë të krejt sistemit ekonomiko– social, ky Sali Berisha bëri një kthesë të menjëhershme, duke u ulur në karrigen e kreut të shtetit, që vështirësitë e fëmijërisë dhe përunjësitë e pjekurisë mbase ia kanë shfaqur veç në ëndrra. Megjithatë, kjo ‘dhuratë’ e kohës nuk mundi së paku ta pasurojë me zotërimin e aftësisë që të shprehë edhe hidhërimin, që ta pranojë edhe atë. Prandaj ndodhën ngjarjet famëkeqe të 1997 – s. Prandaj po ndodhin edhe këto të sotmet.

Të përshkruhen në këto radhë detaje të kronikës së zezë të këtyre ditëve, pa dyshim që kjo do t’i ngjallte krupë e ligështim çdo lexuesi që po i përjeton ato, të gjalla çdo ditë e çdo minutë. Por, sidoqoftë, do të ishte shprehje e një naiviteti të plotë po të mendohet e të deklarohet, se kjo kronikë ndodhi si një rrufe në qiell të pastër. Në të vërtetë, ajo s’është veçse pjellë e një ngarkese kobzezë të plot viteve nën sundimin e Sali Berishës, që nuk mbeti pa spërkatur një popull të tërë edhe me gjakrat e Gërdecit. Ndërsa, për të tashmen, mund të mjaftojë të përmendet qoftë edhe periudha e 20 muajve të fundit, kur pjesa më e madhe e popullsisë u bë dëshmitare e një grabitjeje të votave dhe pothuajse tërë pasurisë së tij.

Në këto rrethana, që kombet e qytetëruara i kanë arkivuar prej kohësh nën pluhurat e së kaluarës, ndërkombëtarët jo një herë bënë thirrje për të arritur një konsensus, për të zgjidhur krizën, për të shtruar normalitetin. Por, asgjë nuk u ndryshua, çdo e keqe veçse u thellua. Sepse, ndër të tjera, Berisha iu fut edhe karrierës së aktorit në role shekspiriane, një prej të cilëve te “Hamleti” u drejtohet të gjithëve: “Biseda më e mençur përgjumet te një kokëkrisur”.

Ashtu siç paralajmëroi më vonë edhe Gëte: “Fjala më e lumtur kthehet në një moçal/nëse ai që e dëgjon e ka veshin të çalë”. Apo, në plotësim të këtyre thënieve, Christian Gellert Furchtegot: “Vetëm një mjet është i mundur,/por tepërisht i vështirë në të vërtetë,/të çmendurit duhet të bëhen të mençur./Dhe meqë kjo nuk ka për të ndodhur kurrë,/ata do të gjykojnë me sytë e tyre,/por kurrsesi me ndonjë arsye”.

Dhe, ndodhi ajo që ndodhi. Nisi si një protestë popullore. Si një protestë e ligjshme. E tillë, sepse çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe se ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera përveç atyre që, të parashikuara me ligj, në një shoqëri demokratike përbëjnë masa të domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetin ose të moralit, për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.

Do të ishte vërtet e tepërt që të jepen këtu shpjegime, se gjatë asaj pasditeje të 21 janarit pjesëtarë të forcave të rendit dhe të Gardës së Republikës, nën urdhrat e jashtëligjshme jo që nuk e ruajtën moralin qytetar, por e degjeneruan atë në formë demaskuese; jo vetëm që nuk i ruajtën institucionet, por i diskredituan, duke deformuar edhe më tepër performancën e tyre.

Nëse rreth atyre rreziqeve që artikulon ç’rregullisht Berisha, organet e policisë do të kishin vërtet të dhëna paraprake, atëherë ato nuk kishin përse pritnin zhvillimin e demonstratës për të bërë kërdinë. Mos vallë vetëm nëpërmjet saj do të qe e mundur të identifikoheshin demek kontingjentet kriminale dhe terroriste, pjesëmarrja e të cilëve u trumbetua përpara dhe pas zhvillimit të demonstratës?

Që këtej merr kuptim edhe motivi i një gënjeshtre tjetër të madhe të Berishës dhe altoparlantëve të tij. Por, siç dihet prej të gjithëve, gënjeshtra asnjëherë nuk mund të paraqesë rrugën e vërtetë. Ajo mund të kursejë a të shtyjë ca kohë dhe, më së keqi, nëse ky lloj veprimi bëhet mjet jetese apo qeverisjeje, përkushtimi ndaj të vërtetës shndërrohet në devotshmëri ndaj mbrojtjes së mashtrimit. Kjo u vërtetua përsëri dhe më së miri gjatë një jave të vetme.

Sali Berisha, që në vend të dinjitetit ka gënjeshtrën si diçka imanente, në fillim deklaroi që njerëzit protestues kishin ardhur të armatosur. Po përse atëherë asnjë nga ata 113 vetë që policia i ndaloi dhunësisht në birucat e fëlliqura të komisariateve, nuk rezultoi i dyshuar për terrorizëm?! Po përse atëherë menjëherë u vërtetua e kundërta e asaj për të cilën Berisha pati kurajën t’u referohej “të dhënave paraprake” të veta, se të vrarët kishin humbur jetën prej të shtënave nga afër me revolver?!.

Pra, pas tërë atij skenari të parealizuar mirë, Kryeministrit nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të sajojë një gënjeshtër më të madhe të dozave të shfrenimit, sipas së cilës gjithçka që kishte ndodhur qe reagim ndaj një puçi institucional, ndaj një grushti shteti.

Në kuadër të kësaj skeme, përsëri është Kryeministri ai që, krahas kërcënimeve dhe shpifjeve me efekte të rrezikshme, tenton të implikojë edhe ushtrinë për ‘mbrojtjen’ e tij. Ndërmerr, gjithashtu, edhe një nismë tjetër antikushtetuese dhe plotësisht shkatërruese të natyrës së shtetit: nën urdhrin e tij, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi befasishëm një mbledhje të jashtëzakonshme dhe përsëri nën urdhrin e atij, pa praninë e deputetëve të opozitës, ngrihet një komision hetimor për t’i bërë ‘gjyqin politik’ institucioneve kushtetuese, për të paralizuar veprimtarinë e Prokurorisë, për të ‘legjitimuar’ kështu mosdorëzimin pranë organit të akuzës, të gardistëve dhe krerëve të tyre.

Pa u zgjatur me listimin e masave represive që ndërmerr aktualisht Sali Berisha, të cilat po e shndërrojnë klikën e tij në një juntë policore, për çka do të shkruajmë së shpejti, nuk mund të lihet pa përmendur një fakt i padiskutueshëm, që mund t’ia shtojë atij oreksin për akte dhune të mëtejshme, si ta zërë gjaku për krime të tjera, apo për t’u ngjarë disave që qysh më parë vendosin për t’u vetëvrarë: më 21 janar u plagosën dhjetëra qytetarë, më 21 janar u vranë tre njerëz të pafajshëm, por më 21 janar u vra gjithashtu edhe frika e qindra mijëra të tjerëve, që i ndajnë këtej e tutje me regjimin e një personi të njohur për personalitet të ç’rregulluar, fatkeqësisht gjurmët e gjakut.

Prandaj, mbase e para gjë që duhet kërkuar është largimi i këtij personi nga pushteti i dhunës, për t’iu kthyer normaliteti jetës në Shqipëri, për të filluar ajo t’u afrohet modeleve europiane, për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Kështu që, ndërkombëtarët e niveleve diplomatike po të vazhdonin pafundësisht të kërkonin në gojën e Sali Berishës gjuhën e dialogut dhe të konsensusit, kjo më të paktën do të shprehej si një zvarritje e kohës. Sepse, a mund të këshillohet i pakëshillueshmi?