Policia nuk prangos 6 gardistët, prokuroria refuzon t’i pyesë

0
55


Nga Korresp. 24-ore.com

Gjashtë drejtuesit e Gardës së Republikës, ndaj të cilëve prokuroria e kryeqytetit ka lëshuar urdhër-ndalimi si të dyshuar për pasojat e demonstratës së 21 janarit, paraqiten me armë në brez në Drejtorin e Policisë, duke kërkuar të japin shpjegime për ngjarjen dhe nuk arrestohen nga efektivët blu. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme, sipas të cilëve, edhe pse ndaj gjashtë gardistët kishte një urdhër-ndalimi të lëshuar nga institucioni i akuzës Drejtori i Policisë së Tiranës, drejtuesi z.Sajmir Muçaj nuk pranoi ta zbatonte duke i lënë të lirë gardistët e “shpallur” në kërkim.

Ka qenë ora 21 e darkës së mërkurë, kur në telefonin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës prokurori z.Sokol Malaj, ka ardhur një telefonat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duke njoftuar se gjashtë gardistët e shpallur në “kërkim” ndodhen në Drejtorin e Policisë së kryeqytetit. Prokurori Malaj i shoqëruar nga tre prokuror të tjerë dhe katër oficer të policisë gjyqësore që janë pjesë e grupit hetimor të zbardhjes së pasojave të demonstratës së 21 janarit, për pak minuta kanë zbarkuar në ambientet e policisë së kryeqytetit. Aty ndodhej e pranishme edhe përfaqësuesja e ambasadës së SHBA-së.

I shoqëruar nga amerikania dhe me ndërmjetësimin e kësaj të fundit, prokurori Malaj është takuar me drejtorin e policisë së kryeqytetit z.Sajmir Muçaj ku në zyrën e tij ndodheshin gjashtë drejtuesit e Gardës së Republikës të veshur me uniformë ushtarake dhe pistoleta në brez. “I habitur prokurori z.Sokol Malaj ka kërkuar shpjegime nga drejtori i Policisë z.Sajmir Muçaj pse gjashtë të ndaluarit kanë të veshur uniformë dhe pistoletat në brez. Reagimi i drejtorit Muçaj, ishte se “ata nuk janë të arrestuar, por, kanë ardhur të japin shpjegime dhe pas protestës së nesërme (djeshme) do të dorëzohen vetë”-mësohet se i është përgjigjur drejtori Muçaj prokurorit Malaj.

Sipas këtyre burimeve, i ndodhur në këto kushte kryeprokurori i Tiranës ka kërkuar që gjashtë gardistëve t’i vihen prangat pasi ka një urdhër-ndalimi. Por, këtë urdhër-ndalimi drejtori Muçaj ka refuzuar ta zbatoi duke u mbështetur në nenin 254 të Kodit të Procedurës Penale, nen ky i përmendur edhe nga kryeministri Sali Berisha pak ditë më parë në një konferencë për media. Sipas këtij neni që parashikon “moslejimin e arrestimit dhe ndalimit në rrethana të caktuara” thuhet se “arrestimi ose ndalimi nuk lejohet kur nga rrethanat e faktit del se veprimi është bërë gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të një të drejte të ligjshme ose kur ekziston një shkak padënueshmërie”-thuhet në nen.

Drejtori Muçaj i bazuar në këtë nen, pasi sipas tij, gjashtë drejtuesit e Gardës së Republikës ndodhen në punë dhe arrestimi i tyre nuk mund të bëhet. Prokurori Malaj në prezencën e përfaqësueses së Ambasadës së SHBA-së ka këmbëngulur që të kryet arrestimi i tyre dhe më pas do të japin shpjegime për ngjarjen. Në të kundërtën, sipas pretendimit të prokurorit, në asnjë mënyrë të ‘shpallurit” në kërkim nuk do të merren në pyetje. “Nuk bëj pakte me ligjin”-mësohet të jetë shprehur prokurori Malaj, duke paralajmëruar drejtorin Muçaj se mos zbatimi i urdhrit të prokurorisë është vepër penale. Pas tre orë debate dhe diskutime mes drejtorit të Policisë Muçaj, prokurorit Malaj dhe përfaqësueses së Ambasadës së SHBA-së, prokurori Malaj i shoqëruar nga grupa hetimore është larguar nga Drejtoria e Policisë.

GARDA
Mjekët: 22 nga gardistët e raportuar si të plagosur janë lënduar nga gazi lotsjellës

TIRANË – Gardistët që plagosen dhe pësuan lëndime trupore nga sendet e forta gjatë demonstratës së 21 janarit, paraqiten në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kryer ekzaminimet përkatëse edhe pse një ditë më parë drejtuesit e Gardës së Republikës refuzuan një “vizitë” të tillë mjekësore. Ka qenë pasditja e së enjtes, kur disa gardistë të plagosur dhe lënduar janë drejtuar Institutit të Mjekësisë Ligjore për të kryer ekzaminimet e plagëve të marra që më pas janë renditur në një akt-ekspertim që pritet t’i bashkohet dosjes hetimore në ngarkim të demonstruesve. Mësohet se gardistët e lënduar janë shoqëruar nga mjeku i institucionit të tyre, i cili ka dorëzuar edhe regjistrin me emrat e 81 gardistëve që kanë marr mjekime të ndryshme brenda Gardës së Republikës nga personeli mjekësor.

“Nga 81 të plagosur e lënduar, 22 prej tyre kishin marr mjekime për shkak të dëmtimeve të shqisave të të parit dhe nuhatjes nga gazi lotsjellës i hedhur ditën e demonstratave nga forcat e ndërhyrjes së shpejt të policisë. Ndërsa 59 prej të tjerëve kishin marr lëndime trupore të ndryshme nga sendet e forta, si gur, fishekzjarr, molotovë e pllaka të betonit të hedhura ndaj tyre ditën e demonstratës”-thuhet nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore. Përveç gardistëve, punonjësve të policisë dhe gazetarëve që janë qëlluar nga efektivët blu edhe agjentët e policisë të veshur civil dhe që ndoqën demonstratën mes turmës kanë pësuar dëmtime. Lëndime këto si nga gazi lotsjellës, gurët e hedhur nga policia si kundërpërgjigje por edhe nga shkopinjtë e gomës të kolegëve të tyre, të cilët në orët e pasdites vonë të së premtes u drejtuan drejt peronave që ndodheshin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” apo edhe brenda ndërtesave të dy kullave.

“Në mesin e të lënduarve janë edhe disa agjentë civilë të policisë, që ndodheshin mes turmës ditën e demonstratës. Këta agjentë kishin për detyrë të vëzhgonin nga afër demonstruesit dhe të identifikonin në heshtje personat që qëllonin me gurë apo sende tjera të paligjshme. Por, në momentin që forcat e policisë hodhën gaz lotsjellës, gurë apo shkopinjë gome drejt turmës edhe ata ranë pre e kësaj dhune për të cilën kanë marr edhe mjekime në Spitalin Ushtarak apo edhe atë civil në kryeqytet”-thuhet nga burimet e prokurorisë, të cilët kanë filluar të administrojnë në dosje të gjitha kartelat mjekësore të 7 të plagosurve me armë zjarri dhe të lënduarve të tjerë mes demonstruesve, policisë dhe gardës. Edhe pse tashmë shumica prej të lënduarve është ekzaminuar nga mjekët e Mjekësisë Ligjore, këta të fundit ende nuk kanë përfunduar raportet përfundimtare që do i bashkohen dosjes hetimore të procedimit penal, për demonstratën e 21 janarit dhe pasojat e asaj dite.

Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, në përfundim të akt-ekspertimeve të tre të vrarëve, kanë arritur në konkluzionin se të tre janë qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9 mm. Sipas këtyre të dhënave të siguruara nga burimet pranë Mjekësisë Ligjore dhe raporteve që tashmë janë administruar në dosjen hetimore, mësohet se të tre viktimat janë vrarë nga armë zjarri në vende të ndryshme në një afat të ngushtë kohorë mes tyre. I pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Hekuran Deda nga Dibra, i cili ndodhej rreth 10 metra nga porta hyrëse e kryeministrisë, hipur në dy tavolina të vendosura nga televizionet private për të pasqyruar demonstratën. Viktima Deda ka qenë duke zbritur nga tavolinat, ku plumbi e ka qëlluar në anën e majtë të kokës, mes veshit dhe ballit, duke i shkaktuar një plagë tejshpuese dhe vdekjeprurëse.

Plumbi që ka qëlluar Dedën, ka goditur edhe një gazetar të televizionit ABC duke i shkaktuar plagosjen në dorë. Viktima Deda, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore ka gjetur vdekjen nga një plumb i kalibrit 9 mm.

Më pas, vetëm pak sekonda nga vrasja e Dedës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Ziver Veizi nga Gjirokastra, i cili ndodhej rreth tre metra nga porta hyrëse e kryeministrisë në bulevard. Sipas raportit të mjeko-ligjorëve, viktima Veizi ka marrë një plumb në kraharor, në anën e djathtë ballore. “Plumbi që ka sjell vdekjen e tij, është i kalibrit 9 mm”, – thuhet në raportin e prokurorisë.

Vetëm pak minuta nga këto dy vrasje, është qëlluar shtetasi Faik Myrtaj. “Vrasja e Myrtajt, është bërë nga një plumb i vetëm, i cili e ka goditur në shpatullën e djathtë duke përshkruar hyrjen me një pjerrtësi të vogël. Edhe plumbi që ka qëlluar Myrtajn është i kalibri 9 mm”,- thuhet nga ekspertët.
Sipas prokurorisë, në vendin e ngjarjes, dhe në oborrin e kryeministrisë janë gjetur një sasi e madhe gëzhojash të të njëjtit kalibër 9 mm, të cilat janë shkrehur nga armët e efektivëve të Gardës së Republikës të tipit MP5 të prodhimit turk. Sipas prokurorisë, predhat e gjetura në trupin e të vrarëve, janë të armëve të kalibrit të njëjtë që efektivët e Gardës kanë në përdorim.

Që në orën 12:00 të mesditës së djeshme, prokuroria e kryeqytetit ka lëshuar gjashtë urdhër-arrestet për drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, mes tyre komandantin e këtij institucioni gjeneral Ndrea Prendi dhe pesë vartësit e tij, por, policia e shtetit nuk i zbaton këto urdhra.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës, ku grupi hetimor nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës prokurorit Sokol Malaj, ka konstatuar nga hetimet paraprake të ngjarjes, elementë të veprës penale të kryer nga drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, vartësit e të cilëve dyshohet se kanë vrarë tre demonstruesit dhe kanë plagosur me armë zjarri së paku 10 persona të tjerë.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi për Komandantin e Gardës gjeneral Ndrea Prendin i njohur si ish-shoqëruesi personal i kryeministrit Sali Berisha dhe pesë komandantët të njësive të Gardës, por ende nuk janë zbatuar nga Policia e Shtetit.

“Është lëshuar urdhër-arresti për Komandantin e Gardës gjeneral Ndrea Prendi, komandantin e njësisë numër dy të Gardës kolonel Dashamir Shehi, efektivët e të cilit sipas rregullores kishin për detyrë ruajtjen e ambienteve të kryeministrisë. Për komandantin e njësisë speciale të Gardës major Alfred Ahmetcenaj, komandantin Fran Prenga, komandat i njësisë Vladimir Ndreaj dhe një komandant tjetër i njësive që ishin organizatorët e planit të masave ndaj demonstratës”,- thuhet nga prokuroria, të cilët nuk japin detaje për dy emrat e tjerë të gardistëve. “Shekulli” deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk ka mundur të sigurojë këto dy emra, por ka konfirmuar 4 prej tyre të cilët janë personat e sipërpërmendur.

Gjashtë drejtuesit e gardës akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal Ushtarak dhe akuzën e “vrasjes në rrethane cilësuese” kundër dy apo më shumë personave (pasi është qëlluar në drejtim të turmës) sipas Kodit Penal civil. Mësohet se urdhrat për arrestimin e gardistëve janë dërguar në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por, në mënyrë skandaloze, deri në mesnatën e djeshme, urdhrat nuk janë ekzekutuar nga policia në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit.