PREJ SHOAH DERI TE HOMOFOBIA

0
63

Monika Shoshori Stafa

(Në Ditën e Kujtesës)

I.

Në kalendarin e progresit të mendësisë njerëzore, Dita Ndërkombëtare e Kujtesës, që përkujtohet prej disa vitesh edhe në Shqipëri, është një ditë me rëndësi botërore. Caktimi i një dite të veçantë homazhi e reflektimi për fatin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është shprehje e imponimit të vlerave themelore morale që krijoi aleanca botërore antifashiste, mbi të cilat u ndërtua rendi i ri botëror që zotëron dhe sot.

Shqiptarët nuk kanë trashëguar ndonjë problem në ndërgjegjen e tyre historike sa i takon holokaustit. Por shqiptarët nuk janë bashkuar formalisht me reflektimin botëror për katastrofat që ka pësuar njerëzimi, për shkak të urrejtjes dhe dhunës kolektive. Në këtë ditë synohet për t’i vënë njerëzit në mendime. Kjo ditë nuk është aq për të vajtuar dhimbjet e së shkuarës, as për të festuar apo mbajtur zi. Kjo është një ditë homazhi dhe meditimi për traumat e shoqërive që goditen prej dhunës kolektive. Kjo është një ftesë për brezat e rinj, që të mësojnë prej së shkuarës dhe të formohen me profilaksinë ndaj krimit, jo vetëm ndaj krimit kolektiv, por dhe ndaj krimit të fjalës e homofobisë në përgjithësi.

Ndryshimet e thella politike që ndodhën në botë në vitet 1990 çuan në një rikonsiderim të përgjithshëm të së shkuarës, por themeli i moralit politik mbeti po ai: vlerat e antifashizmit. Është rasti për të kujtuar se antifashizëm nuk është vetëm qëndresa ndaj ushtrive të huaja shkaktare të luftës dhe pushtuese të vendeve sovrane. Antifashizmi mori një prej pamjeve të veta më të ndritura në refuzimin e teorisë hitleriane të demoracës, që nxiti katastrofën më të madhe të shekullit të 20, zhdukjen e programuar të hebrenjve. Dhe populli shqiptar e shprehu antifashizmin e vet dhe bashkimin e sigurt me aleancën më të përparuar të kohës jo vetëm me qëndresën ndaj ushtrive të huaja, por edhe me mbrojtjen fisnike të hebrenjve.

Shqipëria është vendi i vetëm i përfshirë në luftë që nuk lejoi të cenohej asnjë hebre që kishte mundur të hynte brenda kufijve të saj historikë. Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është një meritë mbipolitike. Familjet shqiptare ndanë kafshatën e gojës me hebrenjtë, por listat e hebrenjve s’i kishte populli, i kishin autoritetet e qeverive bashkëpunuese, të cilët nuk i dorëzuan.

Populli shqiptar ka meritën se shpëtoi jo atë bashkësi të vogël hebrenjsh që jetonin në këtë vend para shpalljes së teorisë raciste të demoracës. Populli shqiptar mori në mbrojtje dhe shpëtoi disa mijëra hebrenj që arritën të hyjnë në Shqipëri prej vendeve që kishin shpërthyer luftën dhe prej shteteve të pushtuara të Ballkanit. Shpëtimi i hebrenjve jorezidentë e bën Shqipërinë një rast të papërsëritshëm në botë. Prandaj mirënjohja ndaj atyre brezave që bënë luftën dhe mbrojtën nderin e Shqipërisë, duke mos lejuar që asnjë hebre të mos binte në duart e makinerisë së zhdukjes racore, është një detyrë.

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri përbën një përvojë të rrallë për të ndikuar në vetë botëkuptimin shqiptar. Në vitet e pushtimit nazifashist kishte lëvizje antifashiste; kishte të tjerë që donin të luftonin, por nuk kishin gjetur llogoren e duhur; kishte dhe të tjerë që pranuan të qeverisnin nën autoritetin e komandave politike dhe ushtarake të huaja. Me gjithë mospajtimet politike, që shkonin deri në kufijtë e luftës me armë, që ekzistonin në plan të brendshëm midis këtyre faktorëve dhe grupimeve, në një pikë të gjithë u bashkuan në një qëndrim: për të gjithë fati i hebrenjve ishte një çështje e brendshme, për të gjithë teoria naziste e judeofobisë ishte e papranueshme.

Sa shumë probleme ka në vetë jetën e shqiptarëve që meritojnë një qëndrim të tillë, mbipolitik, përbashkues, ashtu si thuhet në tekstin e himnit të flamurit. Për fat të keq, këtë vlerë që lidhet me thelbin e identitetit shqiptar dhe që, si të gjitha gjërat e mbivlershme, shfaqet rrallë, nuk e vërejmë në qëndrimin që mbahet ndaj vetë problemeve që historia i ka nxjerrë përpara popullit shqiptar. Përsëritja e këtij qëndrimi do të lehtësonte shumë progresin tonë historik kombëtar.

Historinë e Shqipërisë nuk e mundon asgjë nga e shkuara e saj në lidhje me judeocidin e ushtruar brutalisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Prandaj Shqipëria dhe institucionet e saj, ndonëse dhe mund të harrojnë për ta kujtuar Ditën e Kujtesës, së brendshmi bashkohen në reflektimin e përgjithshëm të njerëzimit ndaj katastrofave të tilla, ndaj urrejtjes gjenetike që është përsëritur e përsëritet në format më të ndryshme, prej gjenocidit, etnocidit, përndjekjes, aparteidit, dhunës totalitare, deri te terrorizmi klasik e modern, deri te “fjala e urrejtjes” dhe homofobia pa shkak, që i vërtiten njerëzimit si përtëritje e të njëjtit thelb të holokaustit.

II.

Afro shtatë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, holokausti mbetet ende një plagë e hapur për njerëzimin. Në gjuhën e burimit “holokaust” do të thotë “sakrifikim me zjarr për nder të hyjnive”. Ajo që ndodhi me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte vërtet një “sakrifikim me zjarr”, por ky flijim nuk iu kushtua asgjëje hyjnore, asgjëje sublime. Fati i afro 7 milionë hebrenjve u përcaktua nga teoria çnjerëzore e Fuhrerit, nga doktrina naziste e “zhdukjes përfundimtare”.

Për herë të parë shfarosja masive u kthye në industri. Fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore, me të drejtë, nga njëri jubile në tjetrin, shpallin numrin e dëshmorëve që kanë dhënë për çlirimin e njerëzimit prej epidemisë nazifashiste. Por 7 milionë hebrenj të shfarosur mbeten edhe sot e kësaj dite thjesht viktima. Holokausti është një prej taksave më të mëdha që pagoi njerëzimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Burimet arkivore të Shqipërisë janë një dritare e vogël për të parë përmasat e llahtarshme të holokaustit nazist. Por nga kjo dritare e vogël mund të shihet një prej pamjeve më të veçanta të kësaj katastrofe. Nga kjo dritare mund të shihet se holokausti nuk ka qenë aspak një dukuri e pashmangshme. Kujtesa e shkruar e popullit shqiptar dëshmon se, ashtu sikurse rezistenca antifashiste, që mori përhapje botërore, ashtu dhe rezistenca kundër katastrofës së quajtur “Shoah” mund të merrte të njëjtën përmasë.

Shqipëria njihet në botë si vendi ku jo vetëm nuk u dorëzua asnjë hebre, por fundi i luftës e gjeti me afro 15-fishin e numrit të hebrenjve rezidentë të regjistruar në fillimin e viteve 1930. Kjo ndodhi në një kohë kur qendra të mëdha me influencë në botë gati-gati bënin sikur nuk e shihnin tmerrin që po ndodhte para syve të tyre dhe te portat e selive të tyre. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku nuk u vunë në veprim ligje antihebraike. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku mbrojtja e hebrenjve u quajt zyrtarisht “çështje e brendshme” e saj.

Burimet shqiptare mund të shërbejnë më së miri për të mundësuar që kërkuesit të shohin jo vetëm me pasion, por më shumë me reflektim të thellë, përmes dritares së tyre, çfarë ndodhi në këtë vend të vogël të të papriturave të mëdha me hebrenjtë e ardhur nga shumica e vendeve të Ballkanit dhe të Europës.

Dita e Kujtesës konfirmon një realitet të rrallë në historinë europiane e botërore: realitetin e një vendi që nuk dorëzoi asnjë hebre në duart e nazifashistëve, realitetin e një vendi që u dha strehë disa mijëra hebrenjve të rrezikuar me zhdukje fizike në vendet fqinje dhe në shkallë rajonale.

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri konfirmon e promovon një cilësi të shkëlqyer të botës së saj, një virtyt popullor që bën pjesë në imazhin e një vendi të përparuar. Shqiptarët sot do të dëshironin që atë shpirt humanist që populli shqiptar ka shprehur jo vetëm ndaj hebrenjve, por ndaj tjetrit në përgjithësi kur ka qenë i rrezikuar ose në moment dobësie, ta shprehte edhe gjithë veprimtaria tjetër e përfaqësuesve të tij, duke përfshirë atë politike.

Nga humanizmi i shprehur ndaj çdo bashkësie në rrezik, nga toleranca ndërfetare dhe vlera të tjera të qytetarisë shqiptare, ka kohë e vend për të mësuar të gjithë, por në mënyrë të veçantë ata që provokojnë frymë konflikti dhe mosdurimi. Dita e Kujtesës bashkon homazhin ndaj viktimizimit masiv dhe katastrofës që pësoi populli hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, nderimin për shqiptarët që e penguan këtë katastrofë në atë masë që ishte në fuqinë e tyre, si dhe homazhin për viktimizimin e vetë popullit shqiptar, gjatë dy shekujve të fundmë, në formën e gjenocidit, etnocidit, albanofobisë, spastrimit dhe dëbimit etnik dhe në forma të tjera.

Pas hebrenjve ndoshta nuk ka një popull tjetër në botë që të ketë provuar mbi fatin e vet aq dhunë kolektive dhe as verbëri ksenofobike sa shqiptarët, sidomos ata jashtë kufijve shtetërorë. Kjo dhimbje e përbashkët i bën dy popujt më të afërt dhe më të ndjeshëm ndaj njëri-tjetrit. Kjo dhimbje e përbashkët duhet të provohet vazhdimisht para opinioneve ndërkombëtare, që popujt të jenë sa më të garantuar për mospërsëritjen e të njëjtit fat tragjik. Prandaj duhet jo një ditë kujtesë, por një kohë kujtesë në vijimësi.

Dita e Kujtesës do të jetë një ditë reflektimi për efektet shkatërrimtare çnjerëzore të dhunës kolektive. Bota e sotme është bërë e vogël. Europa e sotme është një bashkësi pa kufij, një bashkësi multietnike, multikulturore, multifetare dhe multialfabetike. Shqipëria, që përgatitet për të bashkuar veten me kontinentin mëmë, do ta pasurojë atë me dy vlera themelore: humanizmin, mbrojtjen e tjetrit në rrezik dhe tolerancën fetare. Në fakt, thellë-thellë, te shqiptarët toleranca fetare dhe ajo etnike kanë qenë historikisht të pandara. Sikur me këtë tolerancë të bashkohej edhe ajo politike në raportet e brendshme, kjo do të kishte qenë një arritje tjetër e shkëlqyer.

III.

Është në dinjitetin e dijes që të mos jetë asnjëherë absolute. Nuk duhet thënë kurrë “asnjë hebre nuk e humbi jetën në Shqipëri”. Në një artikull të botuar në vitin 1945 pohohet se 6 hebrenj kanë marrë pjesë në luftën antifashiste si partizanë vullnetarë dhe janë vrarë në luftë. Në kërkim të të dhënave plotësuese për këtë problem, kam mundur të identifikoj të paktën 10 emra hebrenjsh që luftuan bashkë me shqiptarët për lirinë e vendit që u dha strehë e mbrojtje. Këta 10 hebrenj u vranë si antifashistë, jo si viktima të Shoah, aq më pak të dorëzuar prej shqiptarëve. “Rënë për Shqipërinë”, atdheun e tyre të dytë, ata meritojnë të shpallen dëshmorë të Shqipërisë, dhe të kenë një pllakë memoriale.

Ky propozim i hershëm, i paraqitur për herë të parë nga hebreu Ing. Samuil Mandil në të përditshmen “Bashkimi”, datë 20 shkurt, që një numër hebrenjsh të rënë në luftën antifashiste si luftëtarë për çlirimin e Shqipërisë të shpallen dëshmorë të luftës, do të nderonte cilindo institucion shqiptar që do të ndërmerrte nismën e plotësimit (të vonuar) të tij.

Në artikullin e Ing. Samuil Mandil përmenden si dëshmorë pesë hebrenj: 1. Jakov Avramoviç; 2. Juzef Konforti; 3. Juzef Bivas; 4. Zhak Ruben dhe 5. David Koen. Por kemi mundur të vërejmë se numri i hebrenjve të vrarë në luftë si antifashistë është dyfishi, dhe konkretisht kanë dhënë jetën në luftë për çlirimin e Shqipërisë edhe: 1. Dario Arditi; 2. Jakov Bahar; 3. Leo Tyjer; 4. Baruh Baruhoviç dhe 5. Amuras Moiseb. Mosshpallja e tyre dëshmorë gjatë periudhës ideokratike nuk ka ndonjë lidhje me ndjenja apo ide antisemite shtetërore, por thjesht ka qenë shprehje e të njëjtit qëndrim politik të mbajtur ndaj të rënëve anglo-amerikanë, të cilët u vendosën në një varrezë monumentale disa vite më parë.

Do të ishte një gjest i denjë që pikërisht në kuadër të nismave për Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, këta dhjetë hebrenj të rënë në luftë si antifashistë të shpalleshin dëshmorë. Kjo jo vetëm do të shprehte një nderim të merituar e të vonuar ndaj këtyre njerëzve, të cilët një jetë që patën e dhanë për Shqipërinë, por do të ishte një përgjigje e paqortueshme ndaj spekulimeve që kanë nisur të përhapen në një pjesë të shtypit të huaj, të cilit “modeli Shqipëri” nuk i shërben si pasqyrë e mirë.