Berisha: Të gjithë puçistë

0
62


Shekulli Online, 29.01.2011

TIRANË – Kryeministri Sali Berisha ka bërë publik dje deshiren e tij për të “shkrirë” të gjitha institucionet hetimore në Shqipëri dhe për të lënë vetëm një organ hetimor, komisionin parlamentar të ngritur nga gjashtë deputetët e Partisë Demokratike. Ai ka pohuar se komisioni parlamentar do të thërrasë për të dëshmuar Presidentin e Republikës, kryetarin e SHISH, kryeprokuroren, të gjithë ministrat dhe krerët e opozitës.

Ai do të jetë i vetmi institucion që do të hetojë vrasjen e tre protestuesve më 21 janar. Burime diplomatike pohuan mbrëmjen e djeshme për “Shekullin” se vendimi i kryeministrit për të kryer të gjitha hetimet e ngjarjes nga komisioni parlamentar ka shqetësuar kancelaritë e huaja. Ato do të nisin menjëhere negociatat me Berishën për të ndaluar një gjë të tillë dhe për të lënë prokurorinë që të bëjë hetimin e pavarur të ngjarjes nën mbështetjen e ekspertëve amerikane

Ina Rama
Pasi ka akuzuar kryeprokuroren Ina Rama si “ndrikullën që nuk bën hetime por që gënjen”, kryeministri e ka përfshirë sërish atë në atë që ai e quan grusht shteti. I pyetur nga mediat se kush mund të hetojë në rast se prokuroria nuk duhet të hetojë, Berisha u përgjigj: “Ky shtet ka institucione, ka parlament, ka qeveri. Ne po bëjmë gjithçka që t’i nxjerrim nga paraliza këto institucione. Ne kemi besim të plotë, por, natyrisht, parlamenti në çdo kohë mund të mblidhet dhe mund të marrë vendimet që i duhet për vendin. Zgjidhja është – pa ndëshkimin e puçit, me të gjithë organigramën e tij, kriza persiston si një rrezik në këtë vend”.

SHEKULLI
Kryeministri Berisha ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme se po bashkëpunon me një tjetër “grup puçist”, gazetën “Shekulli”. Katër ditë më parë “Shekulli” publikoi pjesë të akt-ekspertimit zyrtar mjeko-ligjor ku thuhej se të tre viktimat ishin vrarë nga plumbat e Gardës së Republikës. Berisha tha: Unë ju them edhe tjetrën se dokumenti i botuar në gazetën Shekulli mbi ekspertizën është dërguar në selinë e Partisë Socialiste nga zonja. Gazetës Shekulli nuk ia ka dhënë direkt, por nëpërmjet selisë së Partisë Socialiste. Është dokumenti që dëshmonte se plumbi është i shtypur..

Atributet e Presidentit
Sali Berisha ka marrë dje atributet e Presidentit të Republikës duke pohuar se data e zgjedhjeve të ardhshme nuk do të caktohet më nga kreu i shtetit por nga kryeministri. “Zgjedhjet do të jenë në vitin 2013. Madje do shoh të dielën më të fundit. Që se kam ndërmend zakonisht, se herë i afroj me një apo dy javë”,- tha Berisha në një kohë kur dekretimi i datës së zgjedhjeve është vetëm një atribut i Presidentit të Republikës.

Marrëveshja me prokurorinë
Kryeministri Bersha pranoi dje që ka negociuar me kryeprokuroren Ina Rama për të bërë një pakt jashtë kuadrit ligjor për arrestimin e gardistëve. Ai i ka ofruar kryeprokurores një seancë pyetjesh (ku ata kanë qenë të armatour dhe me uniforma) me gjashtë drejtuesit e gardës të hetuar për vrasjen e tre personave në këmbim të tërheqjes së urdhër-arresteve për ta. Prokuroria nuk ka pranuar të marrë në pyetje gardistët në këto kushte. Berisha tha: “Unë kisha ftuar ndrikullën e puçit të vazhdojë hetimin, e ftova Prokuroren e Përgjithshme këtu para jush, në datën 21 janar, t’ju informoj sa vijon.

Pas një angazhimi shumë të fortë, pardje pasdite arritëm në marrëveshje, që secili nga oficerët e Gardës të paraqitej para prokurorit dhe natyrisht, në këtë paraqitje do bëhej deklarata e do të anulohej urdhri i arrestit. Kjo ishte një marrëveshje e qartë si kristali. Por tre orë mbrapa, kjo marrëveshje u shkel me urdhër që mori zonja Rama, duke faktuar se nuk respekton asnjë normë, asnjë moral, asnjë standard.. Shumë e vështirë të besohet një karakter kaq i ulët që vetë të pranojë një marrëveshje, e cila kurrë nuk mund të shkelej. Oficerët e Gardës u paraqitën me dinjitet, siç ishte marrëveshja. Hanxharët, në kundërshtim me të, donin t’i vinin në arrest”.

Qeveria e re
Listës së gjatë të deklaratave bombastike të bëra kohët e fundit nga kryeministri Berisha i është shtuar dje edhe ajo e krijimit të qeverisë së re. “Disponohen të dhëna për gjithçka ndodhi ato pesë orë në bunkerin e krimit, bunkerin bllokmenëve të drejtuar nga Edvin Rama, në kullën e Fidelit. Të gjitha urdhrat, e dhëna nga bllokmenët që po shihnin ëndrrën e tyre të bëhej realitet, janë të evidentuara. Disponohen të dhëna për ndarjen paraprake të posteve të qeverisë së re.

Ishin përcaktuar edhe ata që do të merrnin Ministrinë e Brendshme që do ishte Tomë Doshi, Ministrinë e Kulturës do ta merrte njeriu, të cilin e motra e të plagosurit do ta nxirrte si kriminel nga dhoma, sepse e kishte sjellë në turma duke i premtuar se do ta bënte kryetar komune, pra, Kultura ishte përcaktuar për Zogajn. Te Drejtësia çakalli që bërtiste për 13 mijë viktima (Spartak Ngjela). Kjo është vetëm njëra pjesë e kabinetit që do instalohej”,- tha Berisha.

Skenari i puçit sipas Sali Berishës
“Disponohen të dhëna të plota për sasitë e eksplozivit, tritolit dhe kallashnikovëve, me të cilët do të realizohej sulmi final për të hyrë në ndërtesë. Disponohen të dhëna të plota mbi armët e sofistikuara, çadrat-pistoletë, stilolapsat-pistoletë, thikat me helm që do përdoreshin në stadet e caktuara të këtij grushti shteti, të kësaj përpjekjeje të turpshme për të marrë pushtetin me dhunë. Disponohen të dhëna se grupe ndofta gjer në 10, grupe 5-she u stërvitën ditë të tëra në zona të ndryshme, për të ndërmarr sulmin. Disponohen të dhëna se ky puç u financua me së paku 2 milion dollarë në të gjitha përgatitjet. I patë dhe vetë ombrellat se si drejtoheshin…

Disponohen të dhëna për të gjithë komunikimin në stadin B të puçistëve njëri me tjetrin, në përpjekjet e tyre në panik të madh, në lemeri të plotë u lexohej në ballë puçi i shëmtuar që udhëhoqën e organizuar”.

“Vetëm Bamir Topi nuk e pa dhunën”
Njeriu më i rëndësishëm në Shqipëri, Presidenti i Republikës është cilësuar dje nga kryeministri Berisha si një i paaftë që nuk mund të shohë as atë që ndodh poshtë zyrës së tij, e jo më të jetë një President. I pyetur nëse Presidenti duhet të mblidhte Këshillin e Sigurimit Kombëtar, Berisha u përgjigj: “Kryeministri Berisha: Për çfarë ta mblidhte, për ngjarjen në bulevard? Si ta mblidhte Presidenti për ngjarjen në bulevard? Sepse për Presidentin ishte ngjarje në bulevard, në kafenetë e bulevardit. Për të ishte ngjarje në bulevard.

Do t’ju them një gjë, meqenëse po më pyet për këtë. Nga çdo skaj i këtij vendi, nga çdo qoshe e këtij vendi, nga çdo skaj i Europës, nga çdo qoshe e Europës, nga çdo skaj i planetit dhe nga çdo qoshe e planetit, falë mediave, të gjithë panë një dhunë barbare pesorëshe. Jo të gjithë e kuptuan se çfarë ndodh. Pati një person, një personalitet, i cili nuk pa asnjë dhunë e ky ishte Shkëlqesia e Tij, Bamir Topi, i cili në komunikatën e parë të lëshuar nga zyra e tij, në 12 rreshta nuk citon një herë të vetme fjalën dhunë…”.