KESH: Jemi në vështirësi financiare, ĈEZ na ka 20 milionë dollarë borxh

0
39

Nga Tema

Kompania shqiptare e shpërndarjes së energjisë, OSSH, pronë e grupit ĈEZ pas privatizimit, i ka një detyrim të papaguar kompanisë së prodhimit të energjisë, KESH, prej 2 miliardë lekësh ose rreth 20 milionë dollarësh. Drejtori i kompanisë së prodhimit të energjisë, KESH, Muharrem Stojku, tha dje se pronarët e rinj çekë të OSSH prej muajsh kanë fatura të papaguara nga blerja e energjisë. Kompania shqiptare e prodhimit të energjisë është në vështirësi financiare prej shumë e shumë kohësh dhe tashmë ajo është duke vuajtur edhe mospagimin e energjisë së marrë nga OSSH.

Kompania OSSH ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë në masën 44% brenda dy viteve dhe vitin që vjen energjia pritet të rritet me 23%. Ndërkohë, edhe kompania KESH ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë. Kompanitë shqiptare të sektorit të energjisë kërkojnë të rritet çmimi, për shkak të humbjeve që ato pësojnë nga mosarkëtimet dhe çmimet, që, sipas tyre, nuk mbulojnë kostot. Drejtori i KESH tha se bëhet fjalë për detyrime të prapambetura që nisin nga 1 korriku i këtij viti, të cilat OSSH nuk i ka paguar.

Sipas tij, për këto detyrime kompania private ka disa argumente, për të cilat po dialogohet për të gjetur një zgjidhje. Parashikohet që brenda këtij viti të paguhet 50% e këtij detyrimi. Nisur nga këto të dhëna rezulton se çekët nuk paguajnë faturat, që në momentin që ata kanë marrë në dorëzim drejtimin e kompanisë. E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e borxhit të vjetër prej 13 miliardë lekësh, që institucionet shtetërore nuk i paguajnë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Në këto kushte pronarët çekë kanë gjetur mënyrën për të penalizuar kompaninë shtetërore, KESH, duke mos paguar faturat. Por drejtori Stojku thotë se nga fillimi i vitit do të hartohet një kontratë e re me kompaninë OSSH për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate.

“Nga fillimi i vitit 2010 do të hartojmë një kontratë të re, e cila do të përcaktojë më saktë detyrimet ndaj palëve, por njëkohësisht do të vendosim edhe penalitete në rast mospagimi në kohë të detyrimeve”, – tha Stojku. Shitja e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë mund të konsiderohet si privatizimi më i vështirë i qeverisë shqiptare. Ky proces duket se ka lënë pa zgjidhur borxhet e vjetra, duke nisur një konflikt të ri mes KESH dhe OSSH. Këto detyrime duket se janë një arsye jo e vogël për kërkesën e rritjes së çmimit të energjisë. Në të vërtetë, qeveria shqiptare kishte rënë dakord me kompaninë ĈEZ që kjo e fundit të rriste çmimin e energjisë duke nisur prej vitit 2010 për pesë vite rresht, por duke përjashtuar vetëm vitin 2009.