ANA PRET DREJTESI

0
56


Redaksionale, 29.01.2011

Lotët e Anës…

Doli përsëri dje. Pak para se të fillonte një nga tubimet paqësore më të frikshëm që kemi parë në Tiranë, për nga përmasat dhe solemniteti, Berisha u shfaq para gazetarëve në përpjekjen e tij të fundit për ta ndalur lumin e njerëzve. Kishte dy ditë që paralajmëronte, dënonte me vdekje, tërhiqte policinë nga detyrat e saj funksionale, keqpërdorte deklaratat e ambasadorëve të perëndimit dhe veprimet e tyre rutinë për sigurinë, shpikte kampe stërvitore për kriminelë, qeveri në hije dhe puçistë të rinj, derisa gjeti që armiku kryesor është Presidenti.

I duhej doemos të mos e shihte atë pamje nga dritarja e zyrës së tij. Nuk di nëse e ngriti tinëz grilën e blinduar apo jo, por askush nuk e kishte mendjen tek ai. Tri memorialet e ngritura si kodra me lule të tre qytetarëve të ekzekutuar me urdhër të tij, u bënë vend pelegrinazhi për dhjetëra- mijëra qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Nuk e ndali dot edhe pse konsumoi gjithçka.

Nga e premtja në të premte, opozita po kujton 3 të vrarë nga kryeministri para zyrës së tij, kurse kryeministri ka ekzekutuar praktikisht një sërë institucionesh të rëndësishme të shtetit duke e dërrmuar atë. Nga e premtja në të premte, ai ka ekzekutuar kryeprokuroren e Përgjithshme, duke e etiketuar ndrikull, lavire bulevardi, puçiste, gënjeshtare, të pafytyrë. Ka ekzekutuar Shërbimin Informativ Shtetëror, të cilin e ka konsideruar pjesë të puçit. Ka dënuar me vdekje liderin e opozitës.

Ka shkatërruar dimensionin më delikat të ushtrisë shqiptarë- pjesë e NATO-s, depolitizimin, duke u bërë thirrje gjeneralëve të saj të mbrojnë pushtetin e tij. Në fund ka sulmuar dhe presidentin, duke e akuzuar si pjesë e skemës që kërkon të rrëzojë atë nga pushteti. Pra, për çdo ditë nga e premtja e shkuar, ky njeri e ka qëlluar përditë me grushta shtetin ku qeverisë, duke nxjerrë jashtë loje gjithë institucionet e tij. E gjithë kjo ka ndodhur shpejt, si një film me xhiro të shpejta, brenda javës së zisë. Arsyeja është e qartë.

Sali Berisha në çdo shtet normal, ku veprojnë minimumet e standardit të drejtësisë do të duhet të jetë i ndaluari kryesor i akuzës për tre të vrarët. Ka pranuar se ka qenë në zyrë të tij, ka tentuar të krijojë një alibi për vrasjet, dhe po tenton të shesë si informacione gjithë halucinacionet e tij që burojnë nga paranoja se po i marrin pushtetin. Në rrethana të tilla ky njeri kthehet në një rrezik kombëtar, pasi është i paparashikueshëm në lojërat e tij të çmendura me integritetin e shtetit shqiptar.

Nëse dje do të ishim të ulur në një zyrë ku do të ishin dhe ambasadorët e Perëndimit, përfshi atë amerikan dhe ata të vendeve kryesore perëndimore dhe do të dëgjonin përkthyeset e tyre tu përkthente fjalimin e kryeministrit, me siguri secili prej tyre me vete do të mendonte si të gjendej një mënyrë që këtij njeriu t’i hiqej nga duart me takt pushteti, kjo bombë, e cila kur gjendet në duart e një të çmenduri mund të bëj hatanë. Gazetarët e medies perëndimore, që e kishin dëgjuar dje, e kishin kthyer menjëherë në objekt barsoletash dhe nuk i shkëpusnin dot asnjë fjali për t’ia cituar. Dhe nuk kishin faj. Çfarë t’i citonin seriozisht?

Ti citonin që opozita ka kampe stërvitore, që ka bërë qeveri hije për puçin, që ka plan A dhe B të dështuar, dhe një C të pazbatuar, që Presidenti është në krye të komplotit kundër tij, që Edi Ramën do ta ekzekutojë po i shkoi më para zyrës së vet? Të gjitha këto e kalojnë kufirin e të marrit seriozisht si “burrë shteti”. Këto vetëm sa bindin secilin që e dëgjon, që ndaj tij duhet vërtet një plan për t’ia hequr nga duart këtë lodër të rrezikshme që po përdor kundër fatit të Shqipërisë. Dhe e gjithë kjo për një arsye shumë personale. Çdo drejtësi e lirë dhe e pavarur në këtë vend do të çojë në burg Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën për tri vrasjet.

E di që shumë njerëz lëshojnë një ofshamë pesimizmi kur dëgjojnë këto fjalë, por Sali Berisha duhet të kuptojë që vrasjet politike nuk parashkruhen. Ato nuk kanë afat hetimi apo dënimi. Ato nuk mund të mbyllen me procedurë apo imunitet. Ato do të hetohen dhe do të dënohen një ditë. Nuk them dot që e bën Ina Rama, edhe pse nuk e mohoj këtë, por di të them që Shqipëria do të ketë një kryeprokuror që do ta dënojë këtë krim. Në mos sot dhe mot, pas 5 vjetësh apo diçka më vonë. Sali Berisha është i kapur në krim dhe po përpiqet të shkatërrojë shtetin për t’i shpëtuar përgjegjësisë së krimit.

Po bën herë si i çmendur e herë si budalla, herë si “burrë shteti” e herë si halabak, herë si puçist e herë si viktimë, vetëm e vetëm që t’i shpëtojë këtij gjykimi. Por dënimi i tij është vulosur. Fëmijët e viktimave dje ishin në bulevard dhe puthën për herë të fundit para mijëra qytetarëve fotografitë e prindërve të tyre. I puthën dhe hodhën sytë e përlotur nga dritarja prej ku fshihet vrasësi i tyre. Askush të mos mendojë se mund të fitojë betejën me zemërimin e tyre. Nuk bëhet më fjalë për ikjen e Berishës nga pushteti, apo shkarkimin e Lulëzim Bashës. Bëhet fjalë për dënimin e tyre.