Ngjela: Demonstrata, hap drejt Perëndimit. Protestat do vazhdojnë

0
86


Çlirim Hallaçi, 29.01.2011

“Protestat do të vazhdojnë”. Në emër të Opozitës së Bashkuar kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela tha se protestat masive të qytetarëve do të vazhdojnë.

Një hap gjigant drejt perëndimit e quajti Ngjela demonstratën homazh të ditës së djeshme ku mendohet se morën pjesë më shumë se 100 mijë qytetarë.

Tubimi ishte një hap i madh para për lirinë në Shqipëri“- tha Ngjela

PS, Gjermeni: Homazhi, një thirrje që drejtësia të bëjë punën e saj
Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni falënderoi sot në emër të PS-së dhjetëra e qindra mijëra qytetarë nga të katër anët e vendit që iu bashkuan dje homazheve për tre shqiptarët që u vranë në 21 janar. “Ky homazh madhështor e dinjitoz përbën imazhin më të mrekullueshëm që populli shqiptar mund t’i transmetonte një bote skeptike e të shqetësuar nga përpjekjet e turpshme të këtij regjimi për të mbjellë frikë e panik. Dje një botë e tërë pa përmes medieve se pavarësisht provokimeve që nuk u ndalën, madje as në respekt për të rënët, pavarësisht shpërthimeve të turpshme të Sali Berishës e gjuhës kërcënuese e shantazhuese të të ashtuquajturit kryeministër e të të gjitha institucioneve të kontrolluara prej tij, shqiptarët treguan se protesta e tyre, paqësore e dinjitoze nuk ka për t’u ndalur.

Homazhi i djeshëm nuk ishte thjesht një shfaqje respekti ndaj të rënëve dhe një sfidë qytetare e paqësore që i bëhej regjimit. Ajo ishte po ashtu një thirrje që drejtësia në Shqipëri të bëjë punën e saj e sigurt se ka mbështetjen dhe solidaritetin e çdo qytetari, e çdo gruaje e çdo nëne, në kushtet kur sulmohet paburrërisht. Që drejtësia shqiptare të vazhdojë punën për të nxjerrë përpara ligjit e ndëshkimit të merituar ata vëllavrasës që qëlluan, vranë e plagosën shqiptarë.

Demonstrata e homazhit ishte të gjitha këto e shumë më tepër, por mbi të gjitha ajo ishte një mesazh i qartë që i dërgohej nga qindra mijëra shqiptarë një regjimi të ngujuar e rrethuar me ushtarë e policë, i cili sot nuk përfaqëson veç një minoritet ndër shqiptarët: ndërsa Sali Berisha me çdo ditë që kalon po tregon se nuk ndan asgjë nga kultura dhe vlerat evropiane, ai ka përballë një popull evropian, i cili nuk do të reshtë së protestuari në emër të atyre vlerave e parimeve që shkelen përditë me këmbë nga ky pushtet”.

Redaksia online