Berisha: Ashtu si në vitin 1996, punistët nuk e pranojnë votën e lirë

0
33

Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, ishte në Elbasan dje për të improvizuar një konferencë për shtyp, ku si pretekst dha hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës.

“Së pari, jam këtu për të përshëndetur hyrjen sot në fuqi të Traktatit të Lisbonës, një ditë historike kjo për Bashkimin Evropian, për qytetarët e Evropës, por edhe për të gjithë ata qytetarë që aspirojnë anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian, siç janë qytetarët shqiptarë”, – tha Berisha.

Më pas ai hapi kapitullin e sulmit ndaj opozitës, të cilën e quajti sërish mafioze. Berisha tha se opozita synon të pengojë liberalizimin e vizave.

“Përpjekjet e opozitës, misionarët e saj të dërguar në Bruksel nga Edvin Rama, siç ka dërguar të birin e Sul Bushatit për të lobuar kundër liberalizimit të vizave, ju garantoj se do të shumëzohen me zero dhe kjo, jo se Brukseli nuk vlerëson dhe nuk konsideron opozitën, por, kur opozita u bie bilbilave, kur opozita mbush faqe dhe defterë të tërë me shpifje e trillime, vetëm e vetëm që të mos liberalizohen vizat, trillimeve dhe shpifjeve askush nuk mund t’u besojë dhe nuk mund t’i vlerësojë”, – tha Berisha.

Kryeministri e krahasoi situatën aktuale me atë të vitit 1996, duke mos nguruar të thotë se në të dy rastet opozita iu tremb votës së lirë.

“Opozita është e lirë të përzgjedhë rrugë parlamentare, rrugë jo-parlamentare për opozitarizmin. Këtu nuk mund të ketë asnjë lëkundje në respektimin tonë ndaj saj. Ajo çka ne kemi denoncuar dhe kemi deklaruar është se, një aleancë punisto-mafioze, e konsoliduar dhe e shfaqur, e kryesuar nga zoti Rama, nuk do të mund të imponojë asgjë dhe kjo qeveri është e vendosur të përballet me të gjithë forcën e ligjit me mafien, me klanin punisto-mafioz. Të jeni të sigurt se këto nuk janë shpifje, por realitete. Dua të sjell vetëm një moment. Ishte terroristi Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, në vitin ’96, që, me një skenar të kobshëm për vendin, tërhoqi Partinë Socialiste, dy orë para mbylljes së kutive të votimit.

Sot, ky punist, me dy tre-pinjollë të Bllokut, siç janë Edi Rama e ndonjë tjetër si ky fatziu që shkon në Bruksel për të trilluar për vizat, në traditën e etërve të tyre nuk munden kurrë që të pranojnë votën e lirë. Këta duan pushtet dhe vetëm pushtet. Këta dhe vota janë dy gjëra të kundërta, të papajtueshme. Është mendësia e tyre puniste, ishte punizmi, ai që bëri Gramoz Ruçin t’i japë urdhrin në vitin ’96, në orën 4, komisionarëve të vet që të largohen nga komisionet. Është punizmi që shtyn Edi Ramën të thotë: “O të shkelim vendimet e gjykatave, ose do të rrëzoj qeverinë.” Është mendësia dhe mentaliteti punist, por, kësaj here, i ngërthyer me interesat e mafies më të rrezikshme të Ballkanit dhe të Evropës, siç është mafia e ndërtimit të Tiranës”, – tha Berisha.

Duke folur për atë që e quan mafia e pronave, Berisha tha: “Një vit e gjysmë më parë, kam deklaruar në qeveri dhe e deklaroj sërish se abuzimi më i madh në këtë vend dhe mafia më e rrezikshme e këtij vendi është mafia e tokave dhe se strumbullari i kësaj kanë qenë pushtetarët. Imagjinoni kur vetëm njëri nga këta ‘kocka’ mendon se do të përvetësonte në zemër të Tiranës 54 mijë metra katrorë, atëherë llogariteni. Sërish kërkoj një mirëkuptim dhe mirëkuptimi që kërkoj është ky: Qeveria, në mënyrë absolute, nuk do të bëjë kompromis.

Pas bandave, pas Aldo Bareve, radhën e kanë Aldo Baret e tokave. Por përse e vlerësoj kështu? Ai, atje, mund të ketë pasuri të mëdha që do të dalin, mund të ketë prej tyre më të pasur se ai, në mënyrë të paligjshme. Atëherë duhen çmontuar me darën e ligjit dhe dara e ligjit do të veprojë. Kur përdora termin ‘gërshërët e ligjit për duart e zeza të zyrtarëve që futen në xhepat e qytetarëve’, nuk pati asnjë reagim. Kur përdora termin ‘darët e ligjit për dhëmballët dhe dhëmbët e mafies’, mafiozët kërcyen të gjithë. Ju e patë si reagoi mafia, po i shihte darët në dhëmbët e vet.”