Dy kthime në Shqipni: Meshari dhe Ahmet Zogu

0
73

Nga Ardian Ndreca

Në kremtimin e këtij përvjetori të Pamvarsisë kthehen në atdhe dy simbole të largta në kohë prej njena-tjetrës, por gjithsesi domethanëse për historinë tonë: Meshari i Dom Gjon Buzukut dhe eshtnat e Ahmet Zogut.

I pari, duen apo s’duen disa, vijon me mbetë libri ma i hershëm në historinë tonë. I dyti, duen apo s’duen disa tjerë, mbetet nji prej politikanëve që i kanë dhanë trajtën moderne Shtetit shqiptar.

Meshari, siç e shprehë vetë titulli, asht nji libër meshet i kthyem shqip prej nji prifti katolik me shumë gjasa prej pjesës veriperëndimore të Shkodrës dhe tregon sesi Kisha katolike vijueshmënisht ka diftue kujdes të pashoq ndaj nji populli e nji gjuhe si kjo e jona. Fakti që libri i parë shqip asht botue vetëm 100 vjet mbas shpikjes së shtypit, e nderon posaçerisht gjuhën tonë.

Për Mesharin të gjithë janë të gëzuem që asht kthye përkohsisht në Shqipni, falë interesimit të kardinal Gianfranco Ravasi-t, ministrit të Kulturës së Selisë së Shenjtë, i cili gjatë dy takimeve që pati me universitarët shqiptarë në nandorin e vitit të kaluem në Tiranë, premtoi se do të interesohej pranë Bibliotekës Apostolike të Vatikanit për me e pru në atdhe ketë relikte të historisë dhe kulturës sonë.

Për Ahmet Zogun jo të gjithë bashkëndajnë të njejtin entuziazëm. Shkaqet janë të shumta e këtu po përpiqemi me i shkoqitë shkurtimisht. Ka nji pjesë të shqiptarëve që nuk e duen Zogun pse nuk mbërrijnë me dhanë ndaj tij nji gjykim të kthjellët për shkak të trysnisë që ka ushtrue për dekada në mendjet e tyne historiografia enveriste. Nji pjesë tjetër e sheh si me dyshim thjesht prej faktit se Sali Berisha kohët e fundit e ka emfatizue në teprí figurën e tij, e sot tek ne asht ma keq me të lëvdue sesa me të sha Sali Berisha.

Ka të tjerë, e ndër ta ban pjesë edhe i nënshkruemi, që s’kanë asnji debulesë të veçantë për figurën e Zogut, e arsyet janë të lidhuna me ato që na shtyjnë me preferue figura si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Stravri Vinjau etj. Mirëpo Zogut i ka ra “shorti” me krye nji mision historik të veçantë, të cilin ai e ka krye si ka dijtë dhe me mjetet që ka pasë në dispozicion.

Fajet dhe gabimet e tij duhet të gjykohen me gjakftohtësi, pa i mohue asnji prej meritave që ka pasë. Megjithatë, në fund të fundit Zogu mbetë në nji nivel të caktuem; psh. prej tij nuk na ka mbetë asgja e shkrueme (përposë ndonji letre a ndonji fjalimi zyrtar), ndërsa Gurakuqin e Nolin kemi material të mjaftueshëm për me i gjykue si intelektualë dhe shkrimtarë 24 karatësh, dhe e dijmë se veprimi i tyne politik paraprihej prej idealesh të nalta dhe jo prej cicmicesh politike.

Por ka do tjerë që nuk e duen Zogun vetëm pse ka qenë verior dhe nuk duen që në historinë e Shqipnisë të përmendet nji verior si shtetformues.

Vetë Sali Berisha sulmohet papushim për arsye të prejardhjes së tij veriore. Ka miliona arsye për me e kritikue veprimin politik të qytetarit Sali Berisha, por jo prejardhja e tij familjare. Fakti që ka lindë në Vuçidol asht krejtsisht aksidental dhe veprimi i tij politik nuk lidhet si pasoja me shkakun me vendlindjen e tij. Kam pa se e sulmojnë deri për faktin se foton e parë në jetën e tij e paska në moshën njizetvjeçare, e edhe atë madje së bashku me Tritan Shehun, në shoqninë e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. S’besoj se po të kishte ndonji foto të maparshme do të ndryshonte ndonji gja në gjykimin që kemi sot për politikën që ai ka ndjekë në këto vite dhe për vetë figurën e tij!

Mandej, po të ishte e vërtetë se prejardhja gjeografike ndikon në mënyrë vendimtare në sjelljen e njeriut, atëherë do figura që kanë lindë në qytete e madje në familje të nderueme do të duhej të silleshin ndryshe në Parlamentin shqiptar!

Gjeografia, për nji vend si ky i yni, i gjatë prej veriut në jug vetëm 355 kilometra, asht e papërfillshme dhe nuk mund të problematizohet e të merret si çelës për shpjegimin e fenomeneve politike. Tue qenë se gjatë dekadave të komunizmit regjimi i Tiranës e ka mbajtë haptas dhe qëllimisht të pazhvilluem veriun, tue pengue krye kreje lëvizjen e popullsisë, ramja e këtyne shtërngimeve ka sjellë me vete zhvillime të reja shoqnore. Masat e njerzve që janë ulë në qytete duen kohë me u urbanizue. Madje nuk duen shumë kohë, pse brezi i parë i të ardhunve mbërrin qysh tashti me u mimetizue ma së mirit me ata që tue pasë ardhë disa dekada ma parë e quejnë veten qytetarë denbabaden!

Mos të harrojmë se të njejtat vështirsina kanë ndeshë mbas vitit 1944 “fitimtarët” kur tërhoqën në kryeqytet prej shkrepave të Skraparit e prej katundeve të humbuna të Mallakastrës e Devollit familjet e tyne. Edhe atyne iu asht dashtë kohë me mësue për shembull se ngrohja në kryeqytet, në pallatet italiane që sapo kishin zanë të Shallvareve e në vilat e të shpronësuemve, nuk bahej tue ndezë parketin në mes të dhomës, por tue përdorë mjete tjera ma të përkora. Çdo gja lyp kohën e vet.

Ata që kanë mendue me e kthye në atdhe Mesharin dhe eshtnat e Zogut kanë ba shumë mirë. Sot të vetmet arsye për me kremtue diçka janë të lidhun me të kaluemen.

Meshari asht shenjë i nji kulture shpirtnore që s’na përket ma tansisht si popull, por gjithsesi tregon se ku kanë qenë rranjët tona. Kurse Zogu asht simbol i manovrimit të suksesshëm politik shtetformues. Ai po trumbetohet me forcë pse sidomos në pikat e veta ma të errta asht ma afër klasës së sotme politike sesa Gurakuqi, Noli e shumë atdhetarë tjerë të panjollë.

Në ketë përvjetor vijon me u harrue qëllimshëm figura madhore e Luigj Gurakuqit, pa të cilin as Pamvarësia e Shqipnisë, dhe as koha që i ka parapri dhe i ka pasue menjiherë asaj nuk mund të kuptohen mirëfilli. Gurakuqi trazon ndërgjegjet, ndërsa Zogu mund të trazojë vetëm gjumin.