Një histori kujdesi dhe dashurie ndaj partnerëve në Partinë Demokratike

0
54

Nga Tema

Para disa ditësh, një ndër deputetet femra të Partisë Demokratike u shfaq agresive në foltoren e parlamentit duke sulmuar kryetarin e opozitës si të dhunshëm ndaj partnereve. Ajo tha se një shembull i tillë nuk i duhet familjeve dhe shoqërisë shqiptare.

Albana Vokshi, deputetja e re e parlamentit shqiptar, përdori po ato fjalë që përdor kryetari i partisë së saj për të sulmuar kreun e opozitës.

Shumëkush mund të pyesë se pse përdor një deputete një gjuhë të tillë dhe përgjigjja mund të jetë, ose sepse ajo do të tregojë devotshmëri ndaj partisë së saj, ose sepse ajo do të japë shembullin personal, atë të një bashkëshorteje të mirë dhe familjare të përkujdesshme.

Te Vokshi janë kombinuar të dyja këto arsye.

Gazeta “TemA” sjell dhe risjell fakte se përse Albana Vokshi është kaq e përkushtuar dhe e kujdesshme ndaj partnerit dhe familjes së saj.

Së pari, Albana Vokshi ka arritur “të kënaqë” bashkëshortin e saj me disa koncesione të majme.

Gazeta “TemA” ka raportuar se kompania “Stream Oil”, pronë e deputetes së PD, Albana Vokshi, (në emër të burrit të saj), ka marrë me koncesion zonën e shfrytëzimit të naftës në Marinzë.

Disa ditë më parë ishte gazeta “Shekulli” që botoi fakte se po bashkëshorti “i përkëdhelur” i Vokshit ka marrë me koncesion ndërtimin e dy hidrocentraleve në Libohovë. Skandali qëndron në faktin se vendimi i qeverisë është dhënë në kohën kur firma ishte e paregjistruar.

Së dyti, Albana Vokshi tregon se është një familjare e mirë, sepse e motra e saj, Mimoza Vokshi, është ajo që i ka dhënë koncesionet burrit të motrës së saj. Një dashuri e tillë mes motrash nuk shihet shpesh.

Së treti, Albana Vokshi dhe e motra e saj tregojnë përkushtim dhe ndaj familjes politike. Mimoza Vokshi ishte ajo që drejtoi komisionin e tenderit për privatizimin e ARMO-s, e ishte po ajo që prishi në mënyrë antiligjore, duke thyer dhe një vendim gjykate, kontratën për qiranë e ambienteve ku ishte vendosur gazeta “TemA” dhe shtypshkronja e saj.

Së katërti, ortak në sipërmarrjet e familjes së Albana Vokshit është Rrahman Selmanllari dhe këtu lidhen të gjitha devotshmëritë dhe përkushtimet familjare. Nën kupolën e një familjeje të vetme: asaj kryeministrore.