
Kemi të regjistruara telefonatat e tij
Gazeta 55, e njohur si një e përditshme pranë qeverisë, në një shkrim editorial të botuesit të saj Fahri Balliu, akuzon kryetarin e shtetit se së bashku me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, kanë gisht në atë që e quajnë tentativë për puç. Në shkrim Balliu shkon edhe më tej kur thotë se kanë të regjistruara telefonatat që ka bërë Ina Rama e Bamir Topi gjatë protestës së 21 janarit.
“Përse në deklaratën e orës 5 të 21 janarit, pasi kishte mbaruar çdo gjë, Topi, jo vetëm që nuk e zë me gojë kryeministrinë, por nuk flet fare për dhunë. Dhe madje, në asnjë deklaratë të tij, nuk flitet për dhunë. Po kështu edhe shoqja Rama. Dhunë dhe kryeministri nuk zënë dot me gojë. Sigurisht, togfjalëshi “Bulevardi Dëshmorët e Kombit” ka qenë emri i koduar i operacionit të tyre, dhe u duket se duke thënë ashtu, mund ta hedhin në Lanë bashkëfajësinë e tyre. Kurrë dhe asnjëherë!
Shokë dhe shoqe strucër! A nuk keni ngritur telefonat ju, nga ora 2 e çerek e deri në 5? Ç’kujtoni, se ato bisedat tuaja mbeten si tabulate egjiptiane, apo mendoni se vetëm ajo firma juaj, kur t’ju teket dhe për budallallëqe e shpifje, fut në përgjim telefona? Jeni aq të zbuluar prej kaq kohësh, sa ndihen edhe fëshfërimat lirike të teksteve, ndihen ngazëllimet, ndihen shpresat për të qenë të lirë nga ligji, nga shteti, demokracia, koalicioni, dhe për të dalë në jetën e atyre skeçeve banale të uzurpimit nga egërsia komuniste e Bllokut, tek perversiteti i kokainës të shoqeve Rama-Kristaq,” thotë në shkrim Balliu.
“Ju, për të fituar Edi i Netës, ia vutë kazmën çdo gjëje, në themel dhe kujtoni që ishit ju shteti; dhe kujtoni se ishit ju ligji. Kurrë! Ka një mijë mekanizma me të cilat, e vërteta kap të ligën, mosmirënjohjen, mashtrimin, shitjen e shpirtit. Ku shkove shoku Topi, në 12 e 30, kur kalove në Bulevard? Ku është telefonata jote, drejtuar dhunuesit dhe kryehorrit të Shqipërisë, Edi Ramës, bashkëpunëtorit të revistës së Sigurimit “në Shërbim të Popullit”, kapterit të ekipit të Dinamos,’ vijon më tej shkrimi.
Komisioni hetimor “thërret” Topin
Komisioni parlamentar që po heton sjelljen e institucioneve shtetërore para, gjatë dhe pas 21 janarit ka shtuar në listën e tij edhe marrjen e informacionit nga presidenti i Republikës. Ky ishte institucioni i vetëm që nuk ishte përmendur kur u listuan drejtuesit më të rëndësishëm, që do të thirreshin në seancë dëgjimore nga komisioni. Tani për tani, komisioni ka vlerësuar vetëm marrjen e informacionit prej presidentit.
“Duhen mbledhur informacioni dhe të dhënat paraprake që janë përcjellë tek presidenti i Republikës për organizimin kriminal të 21 janarit. Duhen informacionet që presidenca ka pasur gjatë rrethimit 5 orësh që iu bë kryeministrisë, informacionet para edhe pas rrethimit, si dhe komunikimet me prokurorinë, gardën, SHISH dhe Ministrinë e Brendshme”, deklaroi një prej deputetëve demokratë.
Të njëjtën gjë me shkrim, komisioni e kërkon edhe nga kryeministri Berisha, si dhe disa informacione të tjera nga ministri i Brendshëm dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë. Nga deputetët demokratë do të kërkohet informacion edhe nga polica bashkiake e Tiranës për rolin që ka kryer ajo gjatë 21 janarit, si dhe nga disa polici të tjera bashkiake, të cilat sipas deputetëve demokratë e kanë të paligjshme pjesëmarrjen në një tubim politik.







