Nga Arben Manaj, 17 Nëntor 2012
Paramendoni një bisedë hipotetike të zhvilluar diku në Pragë mes një punonjësi të CEZ-it të kthyer nga Tirana, ku është i punësuar pranë kompanisë ceke, me një rrogë ndoshta shumë më të madhe sesa në Pragë, dhe një miku të tij, që e pyet se përse gjithë këto probleme me Shqipërinë. Dhe çeku i Tiranës shkurt i thotë: “shqiptarët nuk paguajnë për energjinë që harxhojnë, ndaj”.
Imagjinoni hapjen e syve dhe tërheqjen pas paksa të kokës së bashkëbiseduesit të habitur që sërish pyet: “Si ka mundësi një gjë e tillë…?!”
Ajo që po ndodh me kompaninë çeke dhe ndërprerjet e energjisë këto ditë në Shqipëri nuk ka asgjë evropiane dhe si e tillë është e frikshme dhe na zhvlerëson çdo retorikë boshe dhe mburrje për civilizimin dhe përkatësinë tonë perëndimore.
Një pjesë goxha e madhe e shtetasve tanë, që pasi harxhojnë energjinë elektrike si çdo mall në treg, nuk pranojnë të paguajnë. Në një logjikë të thjeshtë dhe tjetër kjo quhet ligjërisht vjedhje.
Por nuk do merrem me anën penale të çështjes sesa atë të mentalitetit skandaloz unikal të demonstruar në këtë pikë.
Dhe ky mentalitet ka qenë i nxitur më herët nga partia e demokratikasve gjate tranzicionit, ku një kategori dhe krahina të tëra frymëzoheshin të bënin debitorin dhe kishin mburojë politike.
Kujtojmë këtu rastin e Shkodrës kur PD ishte në opozitë apo shumë qytete të tëra, kur nuk paguhej energjia e shitur nga KESH, e këtij malli që sigurohej dhe paguhej nga blerjet jashtë me paratë e të gjithë shqiptarëve, edhe atyre që paguanin. Tanimë kjo parti është në pushtet dhe e ka privitizuar këtë shërbim tek një kompani e huaj dhe është duke përjetuar bumerangun.
U shpresua se me privatizimin të huajt nuk do toleronin më fenomenin e mospagesës së këtij malli, siç nuk ndodh për shembull me telefoninë celulare të kontrolluar çuditërisht kryesisht nga të huajt në Shqipëri, apo që nuk ndodh me asnjë lloj tjetër shërbimi apo malli të tregtuar në çdo cep të Shqipërisë.
Askund me përjashtim të mini-marketeve shqiptare, ku blihet me lista, ç’ka është një lidhje kontraktuale jozyrtare sesa njerëzore dhe humanitare për një shtresë në nevojë, e aplikuar nga njerëz të mirë që ende gjenden vërdallë në Shqipërinë e egër kapitaliste, pra askund tjetër nuk evidentohet një praktikë e tillë.
Nuk ka shqiptar që të përdor telefonin në shtëpi dhe të mos paguajë faturën apo internetin, nuk ka shqiptar që të pijë kafe apo të hajë e të pijë në një restorant dhe t’i thotë kamarierit nuk paguaj se nuk kam lekë. As nuk qëllon që ata që shkojnë në restorant të pushtojnë kuzhinën dhe restorantin, siç pushtohen nën-centralet këto ditë në Shqipëri, si në Perëndimin e largët.
Pra, vetëm me këtë shërbim, pra energjinë ndodh dhe vetëm me ne shqiptarët. Dhe kjo është ajo që të turpëron më shumë, kur mendon se kjo ndodh në mes të Evropës.
Por ajo që të tmerron më shumë është se ky mentalitet debitor frymëzohet nga shtetarë dhe politikan debila, që justifikojnë këtë lloj debitorllëku. Madje në emër të mbrojtjes së institucioneve arreston edhe punonjës të kompanisë, që kërkon të ndërpresë furnizimin për shkak të mospagimit dhe shlyerjes së detyrimeve financiare kontraktuale.
Edhe në Perëndim hyn në rol përmbaruesi në rast të vonesës së pagesave të tarifave dhe shërbimeve. Por mbi të gjitha operon më parë sistemi i gjobës financiare për debitorin dhe pastaj hyn përmbaruesi.
Fatkeqësia në Shqipëri është se duhet që gjysma e shqiptarëve të jenë përmbarues që të zgjidhin hallet e këtyre kompanive dhe të rikuperojnë humbjet dhe vonesat dhe dëmet financiare të shkaktuara nga gjysma tjetër e shqiptarëve.
Kjo gjendje bëhet akoma më e rëndë edhe për faj të shtetit që kultivon një kulturë të tillë transgresioni. Faji është i tij edhe për shkak se institucionet e shtetit janë debitor sa dhe shumë qytetarë.
Më e keqja është se ky shtet me mentalitetet populist është gati të paguajë miliona si në rastin e General Electrics dhe nuk e ka për gjë fare që të shkojë në arbitrazhin ndërkombëtar me çekët e CEZ, që me siguri do shkojnë, dhe të humbasë dhe të paguajë qimet e kokës.
Askush nga këta shtetarë me prona dhe biznese personale dhe private nuk do të lejonte që shqiptarët të përfitonin nga shërbimet në bizneset e tyre, dyqane apo restorante, zyra avokatie apo dreq e të bir, dhe të toleronin shqiptarët debitor që të mos paguanin në mallin e tyre.
Skandali shqiptar CEZ, padyshim nuk është vetëm çështje mentaliteti popullor, por edhe mungese reale e shtetit ligjor në nivelin praktik.
Ky skandal edhe për shkak të lidhjeve të paramendueshme nuk përjashton as mundësinë e konsekuencave bllokuese në rrugën drejt integrimit evropian, nga shteti amë i kësaj kompanie që operon në Shqipëri, përveç precedentit të rrezikshëm për minim të shanseve për biznes që të ofron Shqipëria.
Tolerimi i kulturës së mospagimit si deri më sot dhe frymëzimi populist aktual i këtij mentaliteti dëshmon e qartë se sa larg jemi nga mentaliteti evropian dhe praktikat e rëndomta në shtetet e kontinentit, ku kërkojmë të kandidohemi si shtet dhe banorë të këtij shteti debil dhe debitor njëkohësisht.