•Arbëreshi Abate frymëzohet për romanet e tij nga imazhet kinematografike. Ndërsa udhëtimet që dikur i konsideronte plagë, tashmë janë kthyer në burim pasurie për të. Në Tiranë për romanin “Kodra e erës” që e bëri fitues të çmimit letrar “Campiello 2012”
Shekulli, 16.11.2012
“Kodra e erës” e Carmine Abates është një libër që tregon historinë 100-vjeçare të rezistencës së një familje arbëreshe. Libri flet jo vetëm për burrat, gratë dhe fëmijët e familjes Arturi, por përshkruan kafshët, zogjtë dhe bimët që ndodhen në të njëjtin vend me këtë familje. Histori të thjeshta njerëzish të cilat tregohen nëpërmjet një gjuhe poetike. Një nga personazhet kryesorë të romanit është “era”. Një rrëfim që autorit i ka lindur nga imazhet që ruante për kodrën që në fëmijëri. Realizim i këtij libri ka qenë një premtim të cilin Abate ia ka bërë babait të tij. Një premtim me veten se një ditë do t’u tregonte njerëzve historitë që ai kishte dëgjuar, para se këto histori të vdesin.
“Kur isha fëmijë im atë më tregonte histori të cilat më rikthenin mbrapa në kohë, sepse nuk donte të vdisnin brenda tij. Një ditë i premtova vetes se këto histori unë do t’ua tregoja dhe të tjerëve”, thotë Carmine Abate. Carmine Abate u lind në Carfizzi, një katund arbëresh në Rajonin e Kalabrisë. Provoi një kohë të gjatë emigrimin në Gjermani. Aktualisht jeton në Trento. Librat e tij, të shkruar në gjermanisht dhe italisht, janë fitues të shumë çmimeve dhe janë përkthyer në Francë, ShBA, Gjermani, Holandë, Greqi, Shqipëri, Kosovë etj. Në shqip ka: “Shtegtimi i unazës”, “Të jetosh pa kufi”, “Dy dete” etj. “Kodra e erës” (Botimet Toena) është përkthyer në shqip nga Sonila Kapo. Ai e prezantoi dje në Panairin e Librit në Tiranë këtë roman që e bëri fitues të çmimit letrar “Campiello 2012”
Për shkrimin e një romani juve keni një imazh që ju motivon. Çfarë duhet ta karakterizojë këtë imazh?
Unë ngacmohem vetëm nga një imazh pastaj gjithë të tjerat rrjedhin vetë. Por ajo që duhet të më godasë duhet të ketë brenda vetes gjithë historinë. Një imazh duhet të jetë si një re që përshkohet nga rreze dielli. Këto rreze dielli unë i bashkoj dhe kështu ndërtoj historinë. Prandaj imazhi që më bën përshtypje duhet të jetë kaq i fortë saqë unë ta shkruaj me mijëra herë deri sa të jetë perfekt. Nuk është një imazh fotografik, por një imazh kinematografik një fotogram. Sepse brenda këtij imazhi ti shikon dhe erën që vuan. Në kinemanë e së ardhmes ndiej dhe aromën e këtyre imazheve. Kështu i shikoj këto pjesë të cilave u ndiej tonin, muzikalitetin, gjuhën dhe personazhet e romanin që fillojnë dalëngadalë të më flasin, dhe kështu unë filloj të shkruaj librin.
Edhe personazhet lindin gjatë procesit të shkrimit?
Personazhet e mia nuk dalin asnjëherë nga një skemë e paracaktuar, por ata lindin gjatë kohës që shkruaj romanin. Prandaj nuk e di asnjëherë se çfarë personazhesh do të më bien. Personazhet e Kalabrisë për të cilët unë shkruaj apo vetë Kalabria më vjen në mëndje kur jam duke udhëtuar me tren. Personazhet vijnë të më takojnë gjatë rrëfimit. Pra ndodhem kilometra larg nga vendi që përshkruaj Nga ky moment ata nuk janë më të tillë, por bëhen njerëz të gjallë.
Si ndikojnë udhëtimet në rrëfimet tuaja?
Udhëtimet që kam rrëfyer kanë qenë të pafundme. Për këtë kam shkruar librin “Të jetosh pa kufij dhe udhëtime të tjera”, por të gjithë librat e mi flasin për udhëtimet. Ose fillojnë për udhëtimet mes deteve, ose me hartën e udhëtimeve si: udhëtimi i parë, i dytë, i tretë etj. Por në rastin tim udhëtimi nuk është udhëtimi simbolik i jetës, por është një udhëtim që bëhet me detyrim. Kam qenë i detyruar të nisem nëpër shumë udhëtime, sepse nuk kisha një punë në shtëpinë time. Por me kalimin e kohës, me kalimin e viteve kam kuptuar se ajo kishte qenë e rëndësime në jetën time. Se emërtimi në sytë e të tjerëve, udhëtim pas udhëtimi ka transformuar plagën e fillimit të nisjes, nga udhëtim në pasuri. Sa më shumë udhëtoj aq më shumë pasurohem, aq më shumë jetoj për publikun. Të jetosh nëpër udhëtime do të thotë mos të heqësh dorë nga rrënjët e moçme, por të mos heqësh dorë as nga rrënjët e reja që ti shikon të rriten nëpër shumë e vende në të cilat shkel.
Libri juaj i parë është në poezi. Ç’i ndodhi më tej kësaj gjinie?
Më pëlqen poezia, por ajo kërkon më shumë nivel eksperimental sepse mund të shkruaj për publikun disa fjalë në gjermanisht, disa në italisht, por dhe në shqip. Ndërsa në roman është e vështirë të bëhen eksperimente sepse më pëlqen të më lexojnë të gjithë. Ky kalim ka qenë i natyrshëm, prandaj nëse unë kaloj me lehtësi nga poezia në prozë kjo varet nga urgjenca që ka brenda. Nëse brenda një historie të gjatë është një imazh i fortë dhe i suksesshëm shkruaj një poezi, por nuk bëj diferencë midis prozës dhe poezisë.
Si e pritën “tuajët” në Kalabri Çmimin “Campiello”?
Disa ditë pasi kam fituar çmimin, kalabrezët kanë qenë të përqendruar të gjithë pas çmimit tim. Ata shkruanin se “ne fituam falë Carmine Abate-s”. Por në Kalabri fitoi pjesa më e mirë, ajo Kalabri që nuk është e lidhur aspak me mafien, ajo pjesë që reziston dhe që është e pastër. Kjo më ka dhënë kënaqësi shumë të madhe dhe e kam ndarë me dëshirë këtë gëzim me njerëzit e mi. Sepse ai moment ka qenë fitore e madhe kolektive. Pasi ka fituar një histori e cila ka çuar në vend shumë probleme.
Keni pasur modele referentë letrarë?
Nëse me referim nënkuptoni se nga cilët unë kam mësuar të tregoj apo të shkruaj, mund të them se kam mësuar nga contadini-t, nga babai im, nga ata njerëz të vendit tim që dinin të tregonin. Unë jam shkrimtar sepse kam ditur të dëgjoj. Por jam bërë shkrimtar shumë vonë, pasi në shtëpinë time nuk kishte libra. Pëlqej Marquez-in, por më pëlqen shumë dhe John Fante një shkrimtar italo- amerikan, që trajton të njëjtat tema si unë, ato të emigranteve të kulturuar. Por më pëlqen shumë dhe letërsia ballkanike, më pëlqen shumë Kadare etj.
Cilat janë kujtimet e herës së parë në Shqipëri më 1984?
Kam qenë thjesht si turist në një hotel pranë detit në Durrës. Më pas erdha në Tiranë dhe kur tregova se isha shkrimtar më ftuan në Lidhjen e Shkrimtarëve. Aty kam njohur Zija Çelën dhe përkthyesin e librit tim të parë, të birin Dritan Çela. Vitin në vazhdim kam qenë i ftuar në Universitetin e Tiranës për katër javë dhe kam shëtitur në të gjithë Shqipërinë me të fejuarën time që tani është ime shoqe. Ka qenë shumë e veçantë për mua.
Po për këtë udhëtim keni shkruar?
Një nga romanet që prezantohet nesër në Institutin Italian të kulturës titullohet “Mozaiku i motit të madh”. Tek ky roman flas për eksperiencat e para që kam pasur kur kam ardhur më 1984 në Shqipëri, por dhe për ato që vazhduan më vonë. Ndonëse shumë nuk e dinë, por Shqipëria kur hapi kufijtë me botën kërkoi dhe kontaktet e para me vëllezërit arbëreshë. Ne më përpara nuk kishim parë asnjë shqiptar dhe nuk e dinim si ishin, në fillim kemi takuar një grup të balerinëve të Teatrit të Operës dhe nga ky grup arbëreshët mbetën të mahnitur. Kështu u bëmë miq. Në romanin tim e kam shkruar dhe këtë histori. Aty tregoj se si një arbëresh dashurohet me një balerinë të cilën e ndjek kudo.
Por kam shkruar dhe për udhëtimin kur erdha në Shqipëri, në vendin nga ku u nisën të parët e mi 5 shekuj më parë. Erdha për të parë se nga vij, për të gjetur origjinën time, por ngela i zhgënjyer në vitin 1984, sepse nuk mund të gjeja asgjë, nuk mund të flisje me asnjë, sepse vendi ishte nën diktaturë. Kështu më ndodhi në plazhin e Durrësit, që nëse u flisja njerëzve ata shmangeshin. Por dalëngadalë “Mozaiku i motit të madh” vjen në ditët tona. Në njëfarë mënyre historia arbëreshe me atë të shqiptarëve takohen përsëri. Nisen së bashku, ndahen dhe në fund të romanit bashkohen
Lumo Skëndo
Çmimet Kombëtare të Bibliofilisë
Dy edicionet e Çmimit Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skëndo” u mblodhën në një. Në sallën e Bibliotekës së vjetër Kombëtare që mban emrin e një rilindësi të kulturës si Mit’hat Frashëri alias Lumo Skëndo, u dhanë dy çmime. Çmimi i Bibliofilisë për vitin 2010 iu dha shtëpisë botuese “Onufri” për botimin e veprës së plotë të Martin Camajt. Ndërsa për vitin 2011, çmimi i shkoi botimit të “Toenës”, albumi “Princi i Shqiptarëve, Wilhelm von Wied” me autor Artan Lame.
Juria pranë Bibliotekës Kombëtare merr parasysh nga botimet e një viti ata ekzemplarë me vlerat më të larta estetike e teknike të libërshtypjes.
Valeria Dedaj