Ky regjim na ka në dorë

0
50


Mustafa Nano

Lexoja sot në gazetën Shekulli, se në lojën e manipulimit të ngjarjes është futur dhe një mjek i spitalit ushtarak, me emrin Sami Koçeku. Ky ka qënë i pari që ka thënë se “të vrarët janë qëlluar nga afër”. Më pas doli që ka gënjyer. Ishte deklarata që i duhej qeverisë, sepse bash mbi këtë deklaratë u ngrit akuza e çmendur: protestuesit janë vrarë nga protestuesit. Mund të mendohet, se mjeku aq ka ditur, aq ka thënë, por mund të mendohet dhe tjetra: mjeku ka bërë deklarata të gatuara në guzhinën e pushtetit e në të mirë të pushtetit. Duhet të besojmë vërtet këtë të fundit? Unë e besoj. Pse t’mos e besoj? Berisha ka në dorë gjithçka, ka të gjitha institucionet (dini ndonjë institucion që mund t’i dalë kundër?

Këto ditë po provon prokuroria të ecë në një rrugë të vetën ligjore, por të shohim deri ku do të ecë; edhe mund të kthehet nga rruga), ka policinë, ka gardën e Republikës (E Republikës? Çfarë shakaje!), ka televizionin TVSH, ka kreun e Kuvendit (e keni parë se ç’mall kemi atje në krye të Kuvendit?), ka presidentin (nuk është se e ka, por puna është se ai nuk është), ka mjekun ligjor, ka ambasadorin amerikan, ka Doris Pack-un, ka dhe intelektualët e vet, që e bëjnë të bardhën të zezë, ka partitë e Kosovës, partitë shqiptare të Maqedonisë, e kështu me radhë. Të gjitha këto institucione, autoritete, instanca, entitete përbëjnë masën opake që mund të fshehë e rrethojë çdo krim të pushtetit.

E dini ç’mendoj? Këta mund të vrasin këdo. Këtij pushteti mund t’ia japë në kokë të më vrasë mua, fjala vjen (Larg qoftë, pasi më pëlqen të jetoj. Shumë.), dhe – tani po vijoj në stilin e Pëllumb Kullës – ma shpif qysh tani situata (më shumë se sa vdekja), ku një doktor i spitalit ushtarak do të thotë se “unë kam pësuar aksident, ngaqë kam qënë i dehur”, ku një doktor tjetër forensik do të thotë të njëjtën gjë, që në fakt e ka thënë përpara tyre vetë policia, ku Lul Basha do të thotë “se hetimi i rrethanave vazhdon, por deri tani na rezulton një aksident banal”, ku Ben Imami do të hedhë idenë, se këtë e ka bërë Andrea Stefani, ku Berisha do të thotë, se “ka dërguar në vendngjarje policët e gardistët më të mirë, dhe se po përgatit një funeral (jo madhështor)”, ku ambasadori amerikan do të denoncojë dhunën e ushtruar nga unë kundër policisë në datën 21 janar, dhe ku në mbrëmje në Opinion do flitet për mua (apo më rren menja?), dhe ku dyshimet e Mero Bazes, se “krimi është i bërë nga familja Berisha”, do të hidhen poshtë me përbuzje nga Fatos Lubonja, i cili nuk do durojë dot që familja Berisha të përgojohet e të baltoset kot më kot edhe për një aksident, të cilin – kështu do thotë – policia antiplebe e ka zbardhur tanimë (do t’i shkojë mendja për të veçuar në debat e sipër faktin, se Much Nanos i janë gjetur në xhep 2o mijë lekë, dhe kjo shumë çuditërisht është po aq sa kanë marrë protestuesit në dt. 21).

Hë, nuk është më mirë të të hajë gjerba a qimja, se sa të vdesësh në këtë mënyrë? Me që ra fjala, nuk është se dua të ndjell vdekjen time. Përsëris: e dua jetën shumë. Me siguri, Berisha, me gardistët e vet, do ta marrin në konsideratë këtë dashuri timen për jetën. Inshallah!